Sport

Drita synon ta rrëzojë Ballkanin nga froni, Gjilani ta thellojë krizën e Prishtinës

Te skuadra e Dritës kanë një synim për duelin kundër Ballkanit. Duan ta fitojnë ndeshjen dhe ta largojnë skuadrën nga Suhareka prej pozitës së parë në tabelën e Superligës së Kosovës në futboll.

Drita - Ballkani është derbi i xhiros së 22-të në elitën e futbollit kosovar dhe zhvillohet të shtunën në stadiumin e qytetit në Gjilan prej orës 13:00. Ballkani prin në tabelë me 42 pikë, sa i ka edhe Gjilani që zë vendin e dytë. Ndërsa Drita është e treta me një pikë më pak.

Në tri ndeshjet e luajtura në stinorin pranveror Ballkani ka tri fitore, derisa Drita ka një barazim karshi dy fitoreve. Në dy ndeshjet e mëparshme të këtij edicioni, Ballkani ka bilanc pozitiv ndaj Dritës. Në duelin e parë në Gjilan barazoi pa gola, kurse në Suharekë triumfoi 2:0.

Kapiteni i Dritës, mbrojtësi Ard Limani, është shprehur optimist para kësaj ndeshjeje. Limani tha se të gjithë futbollistët e Dritës janë maksimalisht të motivuar dhe me përkrahjen e tifozëve do të arrijnë t’i ndalin pikët në Gjilan.

“Të gjithë futbollistët janë të gatshëm dhe të motivuar për këtë ndeshje. E kemi parasysh rëndësinë e saj. Përballemi me një ekip që është favorit për titull dhe ndeshjet e tilla tregojnë madhështinë dhe cilësinë e secilës skuadër. Vendosin detajet. Jemi gati të shfrytëzojmë çdo dobësi të Ballkanit dhe t’i mbulojmë pikat e tyre të forta, ndërsa me përkrahjen e tifozëve tanë do ta fitojmë ndeshjen”, tha Limani, i cili bëri thirrje që stadiumi të jetë i mbushur. “Fitorja në derbi të tillë të jepë motiv të kampionit”.

Skuadrës së Dritës i kthehet nga lëndimi mesfushori Muharrem Jashari, ndërsa do t’i mungojë mbrojtësi i krahut të majtë, Ilir Blakçori.

“Më gëzon forma e skuadrës sime. Kam besim të plotë se lojtarët do të zhvillojnë ndeshje të madhe, ku nuk do të mungojë as lufta e as disiplina për të marrë më të mirën”, tha trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka pranuar se për ekipin e tij është një udhëtim i vështirë. Daja ka shtuar se Ballkani e ka synim ta vazhdojë ecurinë e rezultateve pozitive. Ballkani të premten është vendosur në Gjilan, pas seancës stërvitore që e mbajti në Suharekë.

“Është transfertë e vështirë sepse luajmë me një nga ekipet pretendente për titull. Drita luan një futboll bashkëkohor dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Mirëpo ne futemi në secilën ndeshje, sado e vështirë që është, për të marrë rezultat pozitiv. Përtej vështirësisë, pres prej ekipit të japë më të mirën për të vazhduar ecurinë pozitive që e kemi pasur deri më tani”, ka thënë Daja.

Maksimumin ndaj Dritës e kërkon edhe qendërmbrojtësi i Ballkanit, Bajram Jashanica. Sipas tij, kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe suharekasit të dalin në fushë për të marrë rezultat pozitiv.

“Kemi ecuri të mirë dhe jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje në të cilën do të luftojmë siç kemi bërë deri më tani për të vazhduar me ritmin që e kemi pasur në pranverë. Është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë”, tha Jashanica, që e vlerësoi lart Dritën.

Ashtu siç nis kjo xhiro, edhe do të përfundojë – me derbi.

Të dielën prej orës 13:30 zhvillohet ndeshja e fundit e xhiros së 22-të. Kampionia në fuqi, Prishtina, e pret skuadrën e Gjilanit. Ndeshja luhet në stadiumin në Suharekë për shkak të punimeve në “Fadil Vokrri”.

Prishtina në pesë ndeshjet e fundit nuk di për fitore. Ka katër humbje rresht dhe një barazim pa gola, të cilin e mori xhiron e kaluar në udhëtim ndaj Drenicës. Te Prishtina po shpresojnë t’i japin fund kësaj serie, për të ndërprerë kështu serinë pozitive të Gjilanit prej 18 ndeshjeve pa humbje.

Prishtina është e gjashta në tabelë me 25 pikë.

“Gjilani është ekip shumë i fortë dhe me meritë është në atë pozitë në tabelë. Pavarësisht situatës ku ndodhemi për shumë arsye, ku të gjithë i kemi fajet, Prishtina ngelet gjithmonë ekip që synon vetëm fitore. Shpresoj që prej këtij takimi të kthehemi te fitorja dhe ta kalojmë këtë ngërç psikologjik”, ka thënë mbrojtësi i Prishtinës, Gledi Mici.

Ndërkohë, sulmuesi i Gjilanit, Blerim Krasniqi, thotë se ekipi i Ismet Munishit synim e ka të mbajë hapin me skuadrat e kreut të tabelës edhe pas duelit me Prishtinën. Gjilani do të jetë pa portierin Enea Koliçi që u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e kaluar.

“Na pret një ndeshje e vështirë jo vetëm për faktin se Prishtina ndodhet në një situatë të vështirë, por edhe për kualitetet që posedon si ekip. E vlerësojmë lart ekipin e Prishtinës dhe do t’i qasemi ndeshjes me seriozitetin më të madh. Faktori fushë nuk do ketë rëndësi, pasi për fat edhe kundërshtarët nuk do jenë në fushën e tyre. Ne kemi objektivat tona dhe si gjithmonë futemi me qëllimin më të madh. Asgjë nuk do të ndryshojë ndaj Prishtinës, kështu që presim të vazhdojmë rrugëtimin tonë nga ku edhe e kemi nisur”, tha Krasniqi për KOHËN.

Superliga – XXII

E shtunë

Drita – Ballkani (13:00)

Llapi – Malisheva (13:00)

E diel

Ulpiana – Drenica (13:00)

Feronikeli – Dukagjini (13:00)
Prishtina – Gjilani (13:30)

1. Ballkani 21 12 6 3 31:15 42

2. Gjilani 21 11 9 1 29:16 42

3. Drita 21 12 5 4 32:13 41

4. Llapi 21 10 6 5 35:24 36

5. Drenica 21 8 4 9 25:24 28

6. Prishtina 21 6 7 8 23:21 25

7. Malisheva 21 6 5 10 21:24 23

8. Ulpiana 21 4 7 10 18:36 19

9. Dukagjini 21 3 9 9 16:27 18

10. Feronikeli 21 3 2 16 8:38 11