Sport

Derbi për pozitën e parë

Te kampionia në fuqi, Drita, do të kenë vetëm një synim kur të dalin në fushën e stadiumit të qytetit në Gjilan për t’u përballur me skuadrën e Ballkanit. Synimi i gjilanasve është që ta rrëzojnë Ballkanin nga froni në Superligën e Kosovës në futboll, të cilin po e mban një kohë të gjatë.

Për ta arritur synimin, Drita patjetër duhet ta fitojë ndeshjen me ekipin suharekas. Te ekipi gjilanas janë të vendosur të marrin tri pikët, që do t’ua garantojë pozitën e parë në tabelë pas xhiros së 16-të, që nisi të premten.

Derbi mes Dritës dhe Ballkanit zhvillohet të dielën prej orës 13:30. Është dueli i fundit për xhiron e 16-të. Drita zë vendin e dytë në tabelë me 33 pikë të mbledhura, dy më pak se Ballkani që është lider. Të dy skuadrat kanë nga një ndeshje më pak të luajtur.

Te Drita pranojnë se nuk do të jetë aspak lehtë ta mposhtin Ballkanin që ka ekip cilësor. Në fakt në ndeshjen e fazës së parë të këtij edicioni, Ballkani e pati mposhtur Dritën 2:0 në Suharekë në kuadër të xhiros së tetë. Kjo ishte humbja e vetme e Dritës këtë edicion që ka edhe tri barazime e dhjetë fitore.

“Ndeshja me Ballkanin do të jetë e vështirë në çdo aspekt. Ballkani është lider dhe jo rastësisht qëndron aty prej kohësh. Për ne do të jetë një mundësi reale për ta rrëmbyer pozitën e parë në tabelë, ndonëse nuk mendoj se kjo ndeshje është përcaktuese për ndonjë gjë tjetër për shkak se është ende shumë herët dhe ka shumë ndeshje për t’u luajtur. Drita ka cilësi ta mposhtë çdo ekip dhe me këtë qëllim edhe do të futemi në fushë. Nëse jemi në formën tonë më të mirë, kemi mundësi ta fitojmë ndeshjen, edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë”, është shprehur Limani.

Ballkani nuk do të niset drejt qytetit të Gjilanit me “flamur të bardhë”, ka garantuar mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi. Edhe Ballkani ka vetëm një humbje deri më tash, por ka një fitore më shumë se sa Drita. Sipas Thaqit, Ballkani do të mundohet ta vazhdojë serinë e rezultateve të mira edhe në këtë derbi. Ballkani mbetet lider edhe me barazim.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, si për ne ashtu edhe për Dritën, kështu që besoj se do të jetë një derbi i vërtetë. Na pret një duel i vështirë për shkak se përballë kemi kampionin. Mirëpo, jemi të motivuar maksimalisht që të japim më të mirën nga vetja për një rezultat pozitiv në stadiumin e Gjilanit. Shpresojmë në një paraqitje të mirë”, është shprehur Thaqi.

Të dielën, por nga ora 12:00, luhet një ndeshje tjetër por që do të jetë tërësisht nën hijen e derbit që do të zhvillohet në Gjilan. Në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë do të takohen dy skuadrat e fundit në tabelë, Llapi me Besën.

Ndërkohë të shtunën zhvillohen dy ndeshje, të cilat startojnë prej orës 13:00. Në Mitrovicë, Trepça ’89 e pret Gjilanin derisa në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë, Arbëria është nikoqire e skuadrës së Drenicës.

Xhiroja e 16-të e Superligës së Kosovës u hap të premten me një derbi tjetër. Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtina dhe Feronikeli luajtën pa gola. Me këtë barazim, si Prishtina ashtu edhe Feronikeli kanë mbetur në pozitat e njëjta në tabelë. Prishtina është e treta me 25 pikë, pesë më shumë se Feronikeli që renditet i pesti. Përderisa te Feronikeli janë ndarë të kënaqur me pikën e fituar në Prishtinë, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për skuadrën e drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani. Prishtina e pati rastin më të mirë në ndeshje, por e humbi penalltinë. Ishte mesfushori Sabien Lilaj, ai që dështoi nga pika e bardhë në minutën e 14-të pasi gjuajtjen e tij e priti portieri mysafir Ilir Avdyli.

“Nuk jemi të kënaqur me rezultatin, nuk duhet t’ia bëjmë qejfin vetes. Duhet të arrijmë objektivin, patjetër në çdo takim kërkojmë tri pikët. Patëm rastet tona teksa humbëm penalltinë, por kjo ndodh. Feronikeli nuk na lejoi të krijonim raste, pasi që kishte ardhur për barazim. Ne nuk kënaqemi me asnjë rezultat tjetër pos fitores, por duhet të kthehemi pas disa ditësh për ndeshjen tjetër”, ka thënë Ramadani, ekipi i të cilit arriti barazimin e katërt këtë sezon.

 

Superliga – XVI

E premte

Prishtina – Feronikeli 0:0

E shtunë

Trepça ’89 – Gjilani (13:00)

(Arbitra: V. Ibërdemaj, L. Muhadri, M. Berisha, B. Ajeti)

Arbëria – Drenica (13:00)

(Arbitra: Sh. Murtezi, F. Sekiraqa, G. Hyseni, I. Ceroviku)

E diel

Llapi – Besa (12:00)

(Arbitra: L. Jashari, F. Kabashi, F. Jashari, A. Halilaj)

Drita – Ballkani (13:30)

(Arbitra: D. Çaka, F. Berisha, B. Morina, I. Mehmeti)

Image