Pas pauzës së detyrueshme në vikendin e fundit si pasojë e karantinimit të disa qyteteve me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe vendimit të Qeverisë për pezullim të sportit, Superliga e Kosovës në futboll vazhdon të martën (sot).
Vikendin e shkuar nuk u zhvillua asnjë aktivitet sportiv në Kosovë, me përjashtim të ndeshjes së hendbollit ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.
Në elitën e futbollit kosovar do të luhen tri ndeshje të martën dhe një të mërkurën, kurse derbi ndërmjet Ballkanit dhe Gjilanit është shtyrë. Kjo është bërë për shkak se sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku është ftuar nga Përfaqësuesja A e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji.
Megjithatë, të martën, në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës do të zhvillohet një derbi, ai ndërmjet kampiones në fuqi, Dritës, dhe fitueses së Kupës, Prishtinës. Kjo ndeshje nis prej orës 13:30 dhe zhvillohet në Gjilan. Është dueli i parë i këtyre skuadrave këtë edicion pasi ndeshja e xhiros së tretë nuk është zhvilluar ende për shkak të angazhimeve të Dritës në gara evropiane.
“Do të jetë një përballje e vështirë pasi takohen dy skuadra me shumë cilësi brenda. Prishtina ka bërë mjaft lëvizje para fillimit të kampionatit, duke transferuar futbollistë të mirë dhe për këtë arsye nuk do të jetë aspak lehtë për ne. Megjithatë e kemi analizuar mirë dhe do të kemi kujdes të madh në pikat e tyre të forta”, ka thënë trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu. “Duhet të japim maksimumin, të tregohemi të disiplinuar dhe të shfrytëzojmë vlerat tona për të arritur qëllimin - fitoren”.
Drita zë vendin e dytë në tabelë me 22 pikë të mbledhura, katër më pak se Ballkani që është lider. Por kampionia ka dy ndeshje më pak të luajtura. Prishtina është e pesta me 14 pikë dhe një ndeshje më shumë të luajtur se Drita.
Prishtina në derbi futet pas një serie prej tri humbjeve rresht dhe një triumfi në katër ndeshjet e fundit derisa Drita ka regjistruar katër fitore në po aq ndeshje.
“Përballë kemi një kundërshtar që këtë sezon ka treguar formë të mirë dhe është shumë i fortë. Do të jetë vështirë për ne, por besoj se jemi gati për këtë sfidë, prej së cilës duam të dalim me rezultat pozitiv”, ka paralajmëruar sulmuesi i Prishtinës, Otto John.
Të martën luhen edhe dy ndeshje të tjera, që gjithashtu nisin prej orës 13:30: Llapi – Trepça ’89 dhe Drenica – Feronikeli. Ndërsa, të mërkurën në Obiliq skuadra e Arbërisë e pret Besën e Pejës. Ekipi nga Dobraja në katër ndeshjet e fundit ka po aq humbje derisa Besa ka tri barazime e dy humbje në pesë përballjet e fundit.
Superliga – XII
E martë
Drita – Prishtina (13:30)
(Arbitra: S. Isufi, F. Berisha, B. Morina, I. Ceroviku)
Llapi – Trepça ’89 (13:30)
(Arbitra: M. Bejtullahu, L. Muhadri, F. Jashari, A. Halilaj)
Drenica – Feronikeli (13:30)
(Arbitra: B. Kasumi, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, B. Ajeti)
E mërkurë
Arbëria – Besa (13:30)
(Arbitra: B. Jahmurataj, F. Abrashi, B. Hyseni, E. Zasella)
Ballkani – Gjilani luhet më vonë