Kastriot Rexha ishte vendimtar në fitoren e Dritës ndaj Ballkanit, në derbin e xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll. Rexha shënoi dy gola për t’ia siguruar fitoren 2:1 Dritës të dielën.
Me këtë fitore Drita rrëzoi nga froni Ballkanin pas një kohe shumë të gjatë. Ndeshja e luajtur në Gjilan u vendos në pjesën e parë. Për Ballkanin golin e vetëm e shënoi Mirlind Daku, që arriti në shifrën e 21 golave në 15 ndeshje.
Me fitoren e arritur të dielën, kampionia në fuqi e Kosovës është bërë për herë të parë këtë edicion lidere. Tani Drita ka një pikë më shumë se Ballkani. Drita udhëheq me 36 pikë, kurse Ballkani është i dyti me 35 pikë. Të dy skuadrat kanë nga një ndeshje më pak të luajtur.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka deklaruar se skuadra e tij e meritoi fitoren.
“Një ndeshje e luftuar, shumë dëshirë, shpirt luftarak dhe erdhëm deri te fitorja. Kishim një kundërshtar të fortë dhe ishte ndeshje shumë e mirë. Mendoj që ia dolëm me sukses. Shpirti i grupit, karakteri i lojtarëve dhe përvoja e tyre, ishin vendimtare. Mendoj që me shumë meritë e morëm fitoren”, ka thënë Nuhiu.
Vizitorët ishin të parët që iu afruan golit. Nazmi Gripshi, pas një aksioni individual, gjuajti përtokë, por topi shkoi afër shtyllës pingule.
Mysafirët dolën rrezikshëm edhe në një aksion tjetër disa minuta më pas, por Drita u kundërpërgjigj pas 20 minutash lojë. Rexha gjuajti fuqishëm drejt e në duart e portierit Armend Rugji.
Në minutën e 29-të, futbollistët e Dritës kërkuan penallti kur Arbër Prekazi e devijoi topin në këndore, por gjithçka ishte e rregullt sipas gjyqtarit Dardan Çaka.
E pas gjysmë ore lojë, sulmuesi shtatlartë Rexha u shkëput më së larti pas harkimit të Ilir Blakçorit për epërsinë fillestare të Dritës.
Lojë e barabartë u zhvillua nga të dyja skuadrat në minutat në vazhdim. Megjithatë, aksioni i gjatë i minutës së 44-t u konkretizua në gol. Përderisa kapiteni gjilanas, Ardian Limani, mbeti i shtrirë në mesfushë pas një dueli, aksioni vazhdoi ndërsa pasimin e fundit e bëri Armend Thaçi. Thaçi harkoi në zonë ku e gjeti më së miri sulmuesin Mirlind Daku, i cili nga afërsia realizoi për 1:1. Vendësit kërkuan anulim të golit për pozitë jashtë loje.
Mirëpo, sapo rinisi loja, në aksionin e parë, Rexha iu kundërpërgjigj Dakut me tjetër gol me kokë. Kësaj radhe asistues ishte Almir Ajzeraj, ndërsa shtatlarti i Dritës e shënoi golin e gjashtë të këtij edicioni.
Pas pushimit mes pjesëve, Ballkani për pak sa nuk realizoi. Aksionin individual të Ermal Krasniqit e ndali në fund portieri Leutrim Rexhepi.
Në minutën e 52-të, humbja e topit në mesfushë nga Erjon Vucaj ka mundur t’u kushtojë vendësve nëse Daku do të ishte më i saktë.
Ballkani në vazhdim u hodh në sulm me të gjitha forcat për të mos dalë i mposhtur nga ky duel, por nuk arriti të shënojë më.
Ndërkohë, trajneri Ismet Munishi ka thënë se përkundër humbjes, është i kënaqur me angazhimin e lojtarëve.
“Paraqitja ishte e mirë, e kënaqshme, hiq dy episodet aty ku kemi stërvitur më së shumti. Mund të them se ishin pakujdesi, apo zotësi të Kastriot Rexhës, përndryshe jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve, vazhdojmë tutje. Duhet të ishim më të vëmendshëm, mirëpo me angazhimin, me ndeshjen dhe me referimin jam i kënaqur”, tha Munishi.
Ndërkohë, Llapi e ka fituar ndeshjen “derbi” të fundit të tabelës. Llapi, në 10 minutat e parë, e mbylli çështjen e fituesit ndaj Besës, në duelin e dy skuadrave të fundit në tabelë. Llapjanët në stadiumin “Zahir Pajaziti” fituan me rezultatin 2:0.
Për skuadrën e drejtuar nga Tahir Batatina ishte fitorja e dytë rresht, madje pa pranuar gol, kurse për pejanët që udhëhiqen nga trajneri Jerome Klein ishte disfata e pestë e njëpasnjëshme.
Golin e parë për Llapin e shënoi Valmir Veliu në minutën e tretë, kurse të dytin pas shtatë minutash e shënoi Engjëll Hoti. Ishte fitorja e katërt e Llapit në 16 ndeshje. Llapi mbetet në vendin e nëntë me 14 pikë, derisa Besa e fundit me gjashtë pikë.
Superliga – XVI
E diel
Drita – Ballkani 2:1
(Shënues: Rexha 31’, 45’ – Daku 44’)
Llapi – Besa 2:0
(Shënue: Veliu 3’, Hoti 10’)
E shtunë
Arbëria – Drenica 1:0
(Shënues: Bytyqi 89’)
Trepça ’89 – Gjilani 3:0
(Shënues: Muja 21’ p., Sie 77’, Nimani 84’)
E premte
Prishtina – Feronikeli 0:0
