Drita zhvilloi dy ndeshje të mëdha me Viktoria Plzenin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Barazoi pa gola në Republikën e Çekisë, ndërsa fare në fund humbi 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Këto ndeshje trajneri Akis Vavalis ka kërkuar që të harrohen e të përqendrohen për duelin e parë të kampionatit kundër Llapit, skuadër të cilën e vlerëson shumë.
Trajneri grek të shtunën në konferencën për shtyp theksoi se është i lumtur me punën e bërë që nga 12 qershori. Ai e pranoi se në skuadër ka pasur shumë ndryshime, por pavarësisht kësaj, theksoi se Drita bëri ndeshje të mëdha.
Drita luan në fushën me terren sintetik të dielën, në orën 17:00, kundër Llapit, në kuadër të xhiros së parë të Superligës së Kosovës në futboll.
“Duhet të jemi të fokusuar për ndeshjet e vështira që po vijnë, fillimisht kundër Llapit. Do të përballemi me një kundërshtar që në këtë vit ka shpenzuar shumë para dhe ka bërë shumë transferime. Kjo e bën Llapin një kundërshtar shumë të fortë. Por duhet ta shohim paraqitjen e skuadrës sonë dhe të përqendrohemi në paraqitjen tonë. Kam besim të madh në të gjithë lojtarët e mi. Kemi lojtarë shumë të mirë në të gjitha pozitat dhe e kam të vështirë ta krijoj formacionin titullar. Por kjo është saktësisht ajo që kemi dashur, sepse ka shumë ndeshje, të Kupës po ashtu, dhe duhet të jemi grup i madh”, tha Vavalis të shtunën. Ai bëri të ditur se Drita do të kërkojë të jetë dominuese në çdo ndeshje.
“Nuk kam pasur asnjë ankesë nga djemtë, kanë punuar fort. Nëse do të vazhdojmë kështu, do të kemi paraqitje të mira edhe të dielën, e po ashtu edhe në ndeshjet e tjera. Do të provojmë të jemi dominues, si në fazën ofensive ashtu edhe në atë defensive. Po ashtu nuk duhet ta harrojmë agresivitetin, pasionin, motivimin dhe dëshirën që i kemi pasur në dy ndeshjet kundër Viktorias. Kjo është më e rëndësishmja në futboll”, deklaroi Vavalis, që në konferencën për shtyp ishte bashkë me kapitenin e skuadrës, Rron Brojën.
Edhe mesfushori Broja ka thënë se Llapi do të jetë skuadër e rrezikshme në këtë edicion.
“Gjatë gjithë javës edhe jemi munduar të punojmë që ta harrojmë humbjen nga Plzeni, sepse ndeshjet në ligën e Kosovës dallojnë nga ato të Evropës. Jemi të vetëdijshëm për këtë dhe shpresoj dhe besoj se nesër do t’i qasemi me seriozitet ndeshjes dhe të arrijmë që ta fitojmë ndeshjen e parë dhe të vazhdojmë më tutje”, tha Broja.
Ndeshje të vështirë pret edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Edhe tekniku llapjan vlerësoi se Drita është skuadër me grup të fortë e individë cilësorë. Por ai ka besim te lojtarët e tij.
“Kemi krijuar një grup lojtarësh shumë cilësorë dhe me shumë bagazh në futbollin tonë. Disa prej tyre janë rikthyer në klubin ku e filluan karrierën, ndërsa pjesa tjetër ka nivel të mirë dhe potencial të kënaqshëm”, tha Batatina të shtunën për KOHËN.
Llapi bëri shumë ndryshime në këtë verë. Postin e drejtorit sportiv ia besoi Mentor Zhdrellës. Ka kthyer Ilir Blakçorin e Hamdi Namanin, që ishin pjesë e Dritës, si dhe Arbnor Ramadani, që ishte te Gjilani. Transferoi Leotrim Bekteshin, Granit Jasharin, Besar Musollin, Ergyn Ahmetin dhe talentin premtues Elvir Gashijani. Sulmit ia shtoi edhe meksikanin Jose Cobian.
“Do të jetë rrugëtim i vështirë, por jo edhe i pakalueshëm, sepse kemi potencial të shkëlqyer në skuadër dhe mundemi të shfaqim lojë të mirë dhe cilësore. Ndeshjet e para nuk janë përcaktuese për kreun e tabelës, por vazhdimësia e skuadrës, organizimi i mirë dhe puna e palodhshme sjellin rezultatet e kërkuara nga kryesia, qyteti dhe tifozët ‘Legjendat’”, deklaroi Batatina.
Të dielën, Ballkani e nis mbrojtjen e titullit në udhëtim te Liria e Prizrenit, që është kthyer në Superligë pas katër vjetësh. Edhe ky ballafaqim nis në orën 17:00, dhe luhet në stadiumin “Përparim Thaçi”, në Prizren.
Dueli mes Fushë-Kosovës e Gjilanit është shtyrë për kohë të pacaktuar me kërkesë të gjilanasve, që po përballen sërish me probleme financiare e organizative.