Sport

Drita kërkon ta luajë në “Fadil Vokrri” derbin e qytetit, FFK-ja ende pa vendim

Klubi i futbollit Drita i është drejtuar me kërkesë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që ndeshjen kundër Gjilanit ta organizojë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Këtë e ka bërë të ditur të hënën drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.

FFK-ja ende nuk ka marrë vendim. Megjithatë, sipas kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, kërkesa e Dritës do të shqyrtohet, ndonëse një ekspert i menaxhimit të fushave të futbollit ka vlerësuar ditë më parë se fusha e stadiumit në Prishtinë është mjaft e dëmtuar dhe se ajo duhet të riparohet.

“Është komisioni ai që do të vendosë nëse ka kushte për t’u luajtur ndeshja derbi. Vendimi do të merret të martën ose të mërkurën. Do të shohim nëse ka kushte për t’u lejuar zhvillimi i derbit”, ka thënë Ademi të hënën për KOHËN.

Drita e Gjilani e kanë zhvilluar në prillin e vitit 2019 një ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri”. Gjilani, si nikoqir i ndeshjes, pati vendosur për ta luajtur derbin në kryeqytet, pasi stadiumi në Gjilan ishte në rinovim dhe nuk i plotësonte kushtet për të ofruar siguri për zhvillimin e ndeshjes.

Stadiumi është ende në rinovim dhe mungojnë edhe rrethojat. Të dielën gjatë ndeshjes Gjilani – Ulpiana një shikues u fut në fushë.

“Ende nuk e dimë saktë se a do të luajmë të shtunën apo të dielën ndeshjen derbi, por sipas të gjitha gjasave të dielën. Nesër na konfirmon FFK-ja zyrtarisht, sepse kemi kërkuar që ndeshjen ta zhvillojmë në ‘Fadil Vokrri’. Kemi kërkuar të luajmë në Prishtinë, pasi stadiumi është në rinovim”, ka thënë drejtori sportiv i Dritës, Zymberi, të hënën për KOHËN.

Te Gjilani thonë se ende zyrtarisht nuk i ka njoftuar askush se ku do të luhet ndeshja.

“Nuk kemi informatë të konfirmuar. Por, sidoqoftë, ata janë organizatorët”, është shprehur drejtori i Gjilanit, Sevdail Robelli.

“Fadil Vokrri” ka qenë i ngarkuar muajt e fundit. Në këtë stadium luajnë përfaqësuesja A e Kosovës dhe ajo U-21, e po ashtu përfaqësuesja e futbollisteve. Futbollistet të martën e luajnë ndeshjen kundër Norvegjisë. Në “Fadil Vokrri” luhen edhe të gjitha ndeshjet evropiane të skuadrave të vendit. Në baza të rregullta luan Prishtina, ndërsa së fundi është shfrytëzuar edhe nga Llapi për ndeshje kampionale.

Derbi mes skuadrave nga Gjilani vlerësohet më i madhi në sportin kosovar. Pavarësisht pozitës së skuadrave në tabelë dhe forcës së tyre, përballja e Dritës dhe Gjilanit gjithnjë lë në hije ndeshjet e tjera të kampionatit të Kosovës. Kështu pritet të jetë edhe këtë herë.