Te skuadra e Dritës kanë vetëm një opsion për ndeshjen e mbetur kundër Ballkanit, që do të luajnë të mërkurën në shtëpi. Gjilanasit e përmendin vetëm fitoren, e cila do ta rihapte garën për titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll. Se gara do të hapej me fitoren e Dritës, ka thënë trajneri i kësaj skuadre, Zekirija Ramadani, të martën në konferencën për shtyp.
Dueli mes Dritës dhe Ballkanit zhvillohet të mërkurën prej orës 13:00 në fushën me bari sintetik në Gjilanit dhe i takon xhiros së tretë të elitës së futbollit kosovar.
Për Dritën kjo është ndeshja e vetme e pazhvilluar në stinorin vjeshtor. Ndërsa, Ballkani e ka edhe ndeshjen ndaj Gjilanit, që e luan në fundjavë, po ashtu në udhëtim.
Trajneri i Dritës, Ramadani, ka thënë se janë munduar të përgatiten mirë për derbi, i cili sipas tij, do të vërë përballë dy skuadrat më të mira të Superligës. Ai insistoi se ekipi vendas futet në ndeshje për fitore, për të zvogëluar diferencën e pikëve me kampionin në fuqi.
Ballkani është lider me 39 pikë të mbledhura nga 16 ndeshje të zhvilluara. Drita zë vendin e tretë me 31 pikë. Llapi e ka mbyllur stinorin vjeshtor me 34 pikë dhe është i dyti në tabelë.
Drita në derbi futet pas humbjes që e pësoi në vikend nga Malisheva, 2:1, dhe synim i ekipit gjilanas është që të reflektoj me fitore pas asaj disfate.
Sipas Ramadanit, derbi do të vendoset nga një detaj, i cili shpreson të jetë në anën e Dritës.
“Është një ndeshje e mbetur me Ballkanin, një derbi me rivalin direkt për objektivat që i kanë dy skuadrat. Edhe pse Ballkani është në avantazh me pikë, ne nuk e kemi ngritur ende flamurin e bardhë. Do të japim 100 për qind nga vetja për të arritur objektivin në këtë ndeshje. Përballë kemi një ekip që ka luajtur mirë në Evropë dhe kampionat, i cili është shumë cilësor”, ka thënë Zekirija Ramadani.
“Një derbi i vërtetë, ndoshta do të vendos një detaj, i cili shpresoj të jetë në favor tonin dhe në fund ti gëzohemi fitores. Edhe nëse humbin nuk mbaron gjithçka, por nëse fitojmë mbetet gara e hapur dhe mund të rriten apetitet jo vetëm për ne por edhe ekipet tjera që mund të arrihet Ballkani. Me një fitore indirekt aktivizojmë edhe Prishtinën edhe Llapin për kreun e tabelës”.
Fitoren ndaj Ballkanit e do me çdo kusht edhe kapiteni i Dritës, mesfushori Rron Broja.
“Derbi kundër Ballkanit është i vështirë, por ne jemi munduar të përgatitemi mirë gjatë këtyre ditëve. Besoj se do të japim maksimumin për të fituar dhe për të mos humbur hapin për titull. Besoj me një fitore do të mbajmë hapin dhe do mbetet e hapur gjithçka në garën për titull”, tha Broja.
Edhe suharekasit e vlerësojnë lart derbin me Dritën. Por insistojnë se do të dalin në fushë për t’u kthyer te fitorja pas rezultateve jo të mira në ndeshjet e fundit.
Në dy duelet e fundit të Superligës, Ballkani ka marrë vetëm një pikë. Të dielën ka barazuar pa gola me Prishtinën, pasi u mposht 5:3 nga Llapi. Ishte mposhtur edhe nga Dinamo në Zagreb në Ligën e Konferencës.
“Kemi ndeshjen e mbetur ndaj konkurrentit për vendin e parë dhe luajmë në udhëtim. Jemi në një moment dhe në fund të stinorit ku kemi bërë dyfish më shumë ndeshje se ekipet tjera dhe lodhja ka filluar të shfaqet që është normale pas gjithë atyre ngarkesave fizike e psikike. Mirëpo nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi. Do të shtrëngojmë dhëmbët dhe do të japim gjithçka për të fituar ndeshjen edhe pse do të jetë vështirë”, ka thënë Armend Thaqi për KOHËN. Mbrojtësi i krahut të djathtë është prej lojtarëve kryesorë te Ballkani, që me fitore do të bënte hap të madh drejt mbrojtjes së titullit.