Sport

Drita e Prishtina synojnë fitore pas barazimeve rresht

Drita ka zhvilluar katër ndeshje në këtë edicion të Superligës së Kosovës në futboll. E fitoi ndeshjen e parë dhe më pas barazoi tri ndeshje rresht. Prishtina në pesë ndeshjet e para ka marrë dy fitore e tri barazime. Edhe “bardhekaltrit” janë në seri të dy barazimeve në dy ndeshjet e fundit. Por në kryendeshjen e xhiros së gjashtë të elitës së futbollit kosovar, ekipet “bardhekaltër” kërkojnë pikët e plota.

Drita dhe Prishtina të dielën nga ora 15:00 do të luajnë në terrenin me bar sintetik në Gjilan.

Te të dyja ekipet e dinë se do të jetë ballafaqim i vështirë, por për të ndjekur titullin e kampionit duhet fituar edhe të tilla ndeshje.

Trajneri i gjilanasve, Akis Vavalis, e ka vlerësuar skuadër të fortë Prishtinën. Drita është e pesta me gjashtë pikë pas katër ndeshjeve të luajtura. Prishtina në pozitën e katërt ka nëntë pikë, por e ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.

“Pozita në tabelë e bën të jetë një derbi i madh. Siç e dini, po vijmë nga rezultatet negative në ndeshjet e fundit dhe për ne është e rëndësishme t’u kthehemi fitoreve të dielën. Më vjen keq dhe u kërkoj falje djemve, kryesisë dhe tifozëve. Me dy ndeshje pozitive mund të krijohet gjendje stabile që të mos ketë distancë. Këtë mund ta fillojmë nga nesër në ndeshje të mëdha. Jam i bindur se do të shfaqim më të mirën në terren”, është shprehur Vavalis në konferencën për shtyp të shtunën.

Nga dita e diel këndelljen e kërkon edhe sulmuesi i krahut te Drita, Almir Ajzeraj.

“Është ndeshja e duhur ku duhet filluar reagimi dhe kthimi i fitoreve. Kjo nuk është hera e parë që na ka ndodhur. Ne jemi të bashkuar që t’u rikthehemi fitoreve dhe pikëve maksimale”, është shprehur Ajzeraj, që ishte përkrah Vavalisit në konferencë.

Drita, Prishtina dhe Ballkani janë skuadrat e vetme pa humbje në fillim të këtij sezoni në Superligë.

Paraqitje pozitive dhe shmangien e humbjes e synon edhe Hasan Hyseni, sulmuesi i krahut te skuadra kryeqytetase.

Hyseni ka dy gola të shënuar me Prishtinën në fillim të këtij edicioni. Uron të vazhdojë me paraqitje të mira për ta ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave.

Ai ka thënë se atmosfera në skuadër është shumë e mirë.

“Normal që do të jetë udhëtim i vështirë. Megjithatë, ne jemi përgatitur mirë. Kemi punuar mirë gjatë javës dhe do të udhëtojmë në Gjilan për rezultat pozitiv, pa marrë parasysh formën nëpër të cilën po kalon Drita. Ndeshjet derbi janë gjithmonë të vështira”, ka thënë Hyseni të shtunën për KOHËN.

Të dielën nga ora 15:00 në program për t’u zhvilluar janë edhe dy ndeshje të tjera të xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës.

Në stadiumin e qytetit në Suharekë, kampioni në fuqi Ballkani e pret Malishevën.

Fituesi i kampionatit në dy edicionet e fundit hyn në këtë ndeshje pas udhëtimit të vështirë që e pati në Ligën e Konferencës. Të enjten, Ballkani pësoi disfatë në “Doosan Arena” nga Viktoria Plzen e Republikës së Çekisë. Por, synon të qëndrojë në krye të tabelës për të mbetur në hap për titull kampioni.

Në duelin tjetër të dielën në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, Liria e pret Feronikelin ’74.