Sport

Derbi mbyllet baras, Llapi dhe Drenica arkëtojnë pikë të plota

Drita dhe Prishtina i kanë ndarë pikët duke luajtur baras 0:0, në kryendeshjen e javës së 12-të, e cila u zhvillua të martën në stadiumin e qytetit në Gjilan. Për Dritën ishte barazimi i parë pas katër fitoresh radhazi dhe i dyti në këtë sezon, kurse për Prishtinën barazimi i tretë.

Kjo xhiro ishte planifikuar të luhej në fundjavën e kaluar, por u shty shkaku i rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus në Kosovë.

Të dyja ekipet, Drita dhe Prishtina krijuan raste të mira shënimi, por asnjëra nuk ia doli të realizojë. Endrit Krasniqi dhe Lumbardh Dellova rrezikuan për Prishtinën në fillim të ndeshjes, por nuk ia dolën të shënojnë. Në minutën e 17-të, Drita fiton penallti. Gledi Mici e ndali në zonë Almir Ajzerajn dhe gjyqtari Selim Isufi tregoi në pikën e bardhë. Përgjegjësinë e mori Erjon Vucaj, goditjen e të cilit nga 11 metra e ndali portieri Eglant Haxho, i cili e shpëtoi Prishtinën.

Deri në fund të pjesës së parë vendasit ishin dominues, duke krijuar edhe disa mundësi e më së afërmi golit iu afrua Astrit Fazliu, goditjen e të cilit e priti për mrekulli portieri Haxho, që ishte në formë të lartë në këtë ndeshje. Në pjesën e dytë, pavarësisht rasteve nga të dyja ekipet, gola nuk pati. Mundësinë më të mirë e pati Xhevdet Shabani nga gjuajtja e lirë, por gjuajtjen e tij e ndali portieri Haxho në minutën e 67-të.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se i vjen keq që nuk kanë arritur t’i marrin tri pikë. Sipas tij, Drita ka treguar nivel të lartë.

“Mendoj se kemi bërë një ndeshje të mirë, futbollistët dhanë maksimumin, kemi krijuar shumë në pjesën e parë dhe më vjen keq që nuk fituam. Treguam që jemi nivel i lartë dhe kemi shumë cilësi. Penalltia edhe mund të humbet. Pas penalltisë kemi krijuar mjaft raste, por thjesht mungoi fati”, tha Nuhiu..

Ndërkaq trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, deklaroi se nuk është i kënaqur me rezultatin. Duelin e zhvilluar të martën e ka quajtur si derbi të vërtetë.

“E para, ishte një derbi i vërtetë, kishim përballë kampionin aktual dhe gjithmonë u munduam të mos gabojmë. Derbit nuk mbarojnë me shume gola, por me 1 ose 2.

Ishim shumë të kujdesshëm. I përgëzoj lojtarët për angazhimin, pasi kemi ndërruar edhe skemën e lojës. Me rezultatin nuk jemi të kënaqur, pasi gjithmonë luajmë vetëm për fitore dhe duhet t’i rikuperojmë ato sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Ramadani.

Me 23 pikë, Drita zë vendin e dytë me një ndeshje më pak se Ballkani që është lider me 26 pikë. Ndërkaq, me 15 pikë, Prishtina renditet e pesta.

Fitoren e dytë në këtë edicion e ka shënuar Llapi. Skuadra nga Podujeva e ka mposhtur Trepçën ’89 me rezultat të thellë 5:0. Për llapjanët ishte triumfi më i thellë në këtë sezon, kurse për mitrovicasit, humbja më e lartë.

Dy gola nga Edon Sadriu (19’, 44’) dhe nga një i Muhamet Hysenit (42’) Elvis Prençit (64’) e Altin Aliut (89’) kanë qenë të mjaftueshëm për triumfin e ekipit të trajnerit Tahir Batatina, që vinte pas një serie negative të rezultateve. Llapi renditet i parafundit me tetë pikë, ndërkohë Trepça ’89 është e gjashta me 14 pikë.

Fitoren ndaj Trepçës ’89, si jetike e ka quajtur trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Sipas tij, krizën që e ka pasur Llapi, mund ta kenë edhe skuadrat e tjera.

“Mendoj që kemi qenë në krizë rezultatesh, por jo në krizë loje. Kemi luajtur mirë, por kemi humbur ndeshjet. Si trajner kam rrezikuar me disa ndryshime, pasi që kjo ndeshje ishte jetike. U kam dhënë hapësirë lojtarëve të rinj, pasi që nga ardhja ime në Llap u kam dhuruar mundësi talenteve. Besoj që do të rikthehemi dhe do të jemi skuadër që lufton e që kërkon më shumë në fushë, shfrytëzuam mungesat e tyre dhe bëmë maksimumin. Kampionati është i gjatë, si ne që kemi pasur krizë, mund ta kenë edhe ekipet e tjera. Ne e patëm atë krizën tonë që gjërat nuk ecën siç duhet”, tha Batatina.

Disfatën ndaj Llapit e ka arsyetuar trajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi. Sipas tij, mungesat që ka pasur në ekip kanë ndikuar shumë.

“Mungesa e lojtarëve e bëri të veten pasi kishim disa mungesa për shkak të lëndimeve dhe kartonëve. Llapi diti ta shfrytëzojë mungesën e lojtarëve tonë dhe me meritë i mori tri pikë. Pauza është e mirë për ekipin, pasi do të rikuperohen shumica e lojtarëve”, u shpreh Idrizi.

Tri pikë të rëndësishme, për fitoren e tretë në katër ndeshjet e fundit në krye me trajnerin Bledar Devolli, i ka arkëtuar edhe Drenica, e cila e ka fituar derbin rajonal kundër Feronikelit, 1:0. Golin që pati vlerën e triumfit për “kuqezinjtë” nga Skenderaj e ka shënuar Argjen Malaj i Feronikelit, i cili në minutën e fundit të ndeshjes, në tentim për ta larguar topin, e dërgoi në portën e skuadrës së tij dhe ndeshja u mbyll me fitoren e Drenicës. Drenica zë vendin e katërt me 18 pikë, ndërkaq Feronikeli renditet i shtati me 12 sosh.

Superliga – Java 12

Drita – Prishtina 0:0

Drenica – Feronikeli 1:0

(Shënues: Malaj 90’ a.g.)

Llapi – Trepça ’89 5:0

(Shënues: Sadriu 19’, 44’, Hyseni 42’, Prençi 64’, Aliu 90’)

E mërkurë (13:30)

Arbëria – Besa

(Gjyqtarë: B. Jahmurataj, F. Abrashi, B. Hyseni, E. Zasella)

Ballkani – Gjilani, është shtyrë

Image