Futbollistët e Dritës, të mërkurën në mbrëmje, e kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore një natë para ndeshjes kundër Antwerpit. Ekipi kosovar përgatitjet finale i ka bërë në stadiumin “Bosuil”, aty ku edhe do të luhet ndeshja, të enjten prej orës 19:00. Ky është takimi i parë i rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Për të arritur në këtë fazë, Drita eliminoi Inter Turkun e Finlandës në rundin e parë kualifikues. 1:0 humbi në Turku, por ia doli që të rikthehet fuqishëm në ndeshjen e kthimit në Prishtinë, duke fituar 3:0 për të kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm prej 3:1. Kurse, Antwerpi e nis aventurën evropiane nga rrethi i dytë, pikërisht ndaj nënkampiones së Kosovës. Te Drita synojnë paraqitje dinjitoze përballë ekipit belg në duelin e parë, e pastaj për të shpresuar kalimin tutje në ndeshjen e kthimit, që zhvillohet javën tjetër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Gjilanasit do të synojnë të lënë përshtypje të mirë sikurse ndaj Feyenoordit para një viti. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, e ka vlerësuar lart ekipin kundërshtar në konferencën për shtyp, të mërkurën mbrëma. Sipas tij, do të jetë ndeshje e fortë ndaj një kundërshtari cilësor dhe me projekt të qartë. Megjithatë, niveli i lartë i kundërshtarit, Nuhiu thotë se është motiv shtesë për ekipin që ai e drejton.
“Do të jetë një ndeshje e fortë kundër një kundërshtari shumë serioz, stabil dhe me një projekt serioz. Kemi analizuar aq sa kemi mundur kundërshtarin nën udhëheqjen e trajnerit të tanishëm. Ata luajnë futboll të bukur, skuadër kompakte dhe gjithashtu me individ cilësor. Projekti që ata kanë, stabiliteti i skuadrës, tradita e tyre dhe forca që ata kanë, do të jetë motiv për ne”, deklaroi Nuhiu.
Trajneri nga Maqedonia e Veriut, që drejton Dritën për herë të dytë në garat evropiane, shton se është sportive që të besojë në rezultat pozitiv.
“Një mundësi e artë për futbollistët e mi për t’u përballur me një ekip të fortë dhe për të treguar vlerat tona. Është sportive të besojmë dhe të provojmë të bëjmë gjëra të mëdha”, tha Nuhiu.
Drita kishte arritur deri në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës edhe në vitin e kaluar. Ishte eliminuar nga Feyenoordi. Pa gola ishte mbyllur ndeshja e parë në Prishtinë, ndërkaq në Roterdam kishte humbur 3:2 pas një paraqitjeje tejet të mirë.
Ndeshje të vështirë duelin me Antwerpin e ka cilësuar edhe kapiteni i Dritës, Ardian Limani. Si kapiten, Limani po e udhëheq ekipin nga Gjilani në garat evropiane për herë të katërt në pesë vjetët e fundit. Ai thekson se Drita duhet të luajë me kujdes të madh.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë, por ne kemi ardhur këtu me vetëbesim të plotë se mund të marrim rezultat të mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm në çdo aspekt të ndeshjes, sepse në këtë nivel nuk falen gabimet”, tha Limani.
Limani pohon se te Drita motivi është shumë i madh. Ai shton se mendjen e kanë vetëm te ndeshja e parë, por nëse marrin rezultat pozitiv, në Prishtinë do të jetë ndeshje e zjarrtë, sipas tij.
“Jemi shumë të motivuar për të zhvilluar ndeshje të madhe dhe kemi besim që do t’i shfrytëzojmë mundësit tona që do të na paraqiten në ndeshje. Kemi dy ndeshje dhe nëse marrim rezultat të mirë, në Prishtinë do të jetë ndeshje e zjarrtë sepse do t’i kemi “Intelektualët” pas vetës, por fokusin e kemi së pari te ndeshja e parë. Shpresoj që do të na ecë gjithçka siç e kemi planifikuar”, u shpreh Limani .
Drita është ekipi i vetëm kosovar që ka arritur ta kalojë rrethin e parë të Ligës së Konferencës këtë edicion. Llapi e Gjilani u eliminuan në start, ndërkaq Ballkani pas mënjanimit në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, garat i vazhdon në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.