Dy prej tri skuadrave të para në tabelë, Drita dhe Ballkani, do të përballen mes vete në derbin e xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshja Drita – Ballkani zhvillohet të mërkurën prej orës 16:00 në stadiumin e qytetit në Gjilan. Drita e Ballkani kanë bilanc të njëjtë këtë edicion pas tri xhirove të para. Kanë tubuar nga shtatë pikë, por Ballkani është lider falë goldallimit më të mirë. Drita është e treta derisa vendin e dytë e mban Drenica, po ashtu me shtatë pikë të mbledhura.
Drita në derbin ndaj Ballkanit futet pas fitores minimale vikendin e shkuar në udhëtim ndaj Malishevës (1:0). Ndërkohë, Ballkani fitoi në shtëpi ndaj Ulpianës, 3:2, me gol në kohën shtesë. Për Ballkanin kjo ishte fitorja e dytë rresht pas asaj në kryeqytet ndaj kampiones në fuqi, Prishtinës (1:0).
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, në konferencën për shtyp të mbajtur të martën, duelin me Ballkanin e ka vlerësuar tejet të fortë. Megjithatë, Nuhiu ka shtuar se ekipi i tij është përgatitur dhe është i gatshëm për këtë ndeshje, në të cilën ka kërkuar që të vazhdohet forma e mirë që Drita e ka treguar në tri xhirot e para.
“Na pret një përballje e fortë, pasi takohen dy skuadra të cilat në dy vjetët e fundit gjithmonë kanë zhvilluar ndeshje të mira dhe të forta. Kjo për shkak të cilësisë së futbollistëve dhe kualitetit që skuadrat e kanë si në aspektin individual ashtu edhe në atë grupor. Nuk dyshohet që do të jetë një ndeshje e taktizuar si nga njëri apo tjetri trajner, por ne sigurisht i kemi marrë masat, kemi analizuar kundërshtarin dhe mendoj se jemi gati”, është shprehur Nuhiu. “Ne si ekip gjithmonë kërkojmë maksimumin. Është vetëm fillimi i kampionatit dhe nuk ka kundërshtarë të lehtë, duhet çdo ndeshje ta përgatitim në mënyrën më të mirë nëse duam të fitojmë. Do të vazhdojmë kështu”.
Qendërmbrojtësi Ardian Cuculi ka pranuar se Drita në këtë përballje futet për rezultat pozitiv, përkatësisht fitore.
“Është një ndeshje vërtet kampionale, është një kundërshtar shumë i fortë, me një ekip që ka treguar cilësi këto dy-tre vjetët e fundit, me lojtarë shumë cilësorë që luajnë bashkë. Do të jetë një ndeshje që nuk do të varet rrjedha e kampionatit, por gjithsesi do të shërbejë për vazhdimësinë e njërit ekip. Duke luajtur me një ekip të tillë, të tria rezultatet janë në lojë. Shpresoj që me një angazhim maksimal të të gjithëve do të bëjmë përpjekjet tona për të arritur një rezultat pozitiv, pse jo edhe të fitojmë. Kështu të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt kreut të tabelës, gjegjësisht vazhdimësinë e kampionatit”, ka thënë Cuculi.
Ballkani udhëton në Gjilan për ta vazhduar momentin e mirë. Kështu të paktën thotë Ermal Krasniqi, sulmues i krahut te Ballkani.
“E vlerësoj shumë këtë ndeshje. Është derbi i vërtetë. Drita ka ekip cilësor. Lojtarët e saj janë me përvojë dhe kualitet. Por ne shkojmë të bëjmë paraqitje të mirë dhe të kthehemi me rezultat pozitiv”, thotë Krasniqi.
Ndërkohë fitore po kërkon edhe Llapi që këtë edicion ka dy barazime e një humbje dhe zë vendin e tetë në tabelë.
Në xhiron e katërt Llapi e pret Malishevën, ekip që pësoi xhiron e shkuar në shtëpi nga Drita. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pasi stadiumi i Llapit në Podujevë ende nuk është përfunduar. Dy ndeshjet e mëparshme të këtij edicioni, Llapi si vendas i ka luajtur në Merdar.
“Mendojë se fusha na ka penalizuar shumë deri më tani dhe kjo është arsyeja që nuk kemi ende fitore këtë sezon. Por me ndërrimin e stadiumit besoj fuqishëm në fitore dhe paraqitje të mirë të ekipit, me të cilin do të luftojmë për titullin e kampionit”, ka paralajmëruar trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Të mërkurën zhvillohet edhe dueli ndërmjet Feronikelit dhe Dukagjinit, në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në Drenas.
Superliga – IV
E mërkurë (16:00)
Drita – Ballkani
Llapi – Malisheva
Feronikeli – Dukagjini
E enjte (16:00)
Prishtina – Gjilani
Ulpiana – Drenica
1. Ballkani 3 2 1 0 6:4 7
2. Drenica 3 2 1 0 5:3 7
3. Drita 3 2 1 0 3:1 7
4. Gjilani 3 1 2 0 2:1 5
5. Malisheva 3 1 1 1 4:3 4
6. Feronikeli 3 1 0 2 3:3 3
7. Dukagjini 3 0 2 1 3:4 2
8. Llapi 3 0 2 1 1:3 2
9. Prishtina 3 0 1 2 2:4 1
10. Ulpiana 3 0 1 2 4:7 1