Sport

Drita dhe Drenica kërkojnë këndelljen

Pas ndeshjeve kualifikuese të përfaqësueseve për kampionatin botëror “Katari 2022”, rikthehen kampionatet vendore. Të premten dhe të shtunën do të luhen duelet e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll, të fundit të fazës së parë të kampionatit.

Java do të hapet të premten me dy përballje të rëndësishme. Drita që zhvilloi një mini-fazë përgatitore në Durrës gjatë këtij pushimi do ta kërkojë këndelljen në udhëtim tek Ulpiana.  Kjo ndeshje zhvillohet të premten prej orës 13:00, në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan dhe do të jetë hera e parë këtë edicion që Ulpiana luan në stadiumin e saj. Drita ka dy humbje dhe një barazim në tri ndeshjet e fundit. Ndërkaq Ulpiana, që ka befasuar ekipet pretendente për titull, vjen pas një disfate dhe dy barazimeve. Drita zë vendin e pestë me 12 pikë pas tetë ndeshjeve, kurse Ulpiana renditet e nënta me gjashtë pikë të grumbulluara. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se pushimi prej dy javësh i ka shërbyer shumë që ta përgatisë ekipin në shumë aspekte.

“Ka qenë një pushim i mirëseardhur për skuadrën tonë. Kemi pasur lojtarë të dëmtuar, të cilët janë rikuperuar nga lëndimet. Po ashtu në aspektin fizik, disa futbollistë që nuk kanë qenë në formën e tyre më të mirë, kemi arritur që gjatë këtyre dy javëve të punojmë dhe të arrijmë në gjendjen e tyre fizike sa më të mirë”, është shprehur Nuhiu.

Ai e pranon se do të udhëtojnë në Lipjan për pikë të plota. Por thekson se Ulpiana ka ekip shumë të mirë dhe kërkon kujdes nga lojtarët e tij.

“I gjithë fokusi është te ndeshja kundër Ulpianës. Është një skuadër mirë e organizuar, si në aspektin defansiv ashtu edhe në atë ofensiv. Ka ide edhe për të dalë përpara, skuadër që ka befasuar edhe ekipe në kampionatin tonë. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm. Por mendoj që është momenti që skuadra jonë të dalë dhe të tregojë të gjitha cilësitë, e gjithë kualitetin që ka. Mendoj që në bazë të lojës që ka treguar, Ulpiana ka merituar të ketë edhe më shumë pikë. Është ekip i disiplinuar”, theksoi Nuhiu.

Sulmuesi i krahut, Arbnor Muja, nuk pritet ta ndihmojë ekipin. Sipas trajnerit Nuhiu, Muja ende nuk është rikuperuar plotësisht. Optimist për duelin ndaj Ulpianës është shprehur edhe Rron Broja. Sipas tij, ka ardhur koha që Drita t’i kthehet fitores.

“Kemi punuar mjaft mirë gjatë këtyre dy javëve që patëm pushim. Kemi punuar në shumë aspekte që të përmirësohemi më shumë. Te premten na pret një ndeshje e vështirë. Do të luajmë kundër një skuadre që mbrohet dhe sulmon mjaft mirë. Por besoj që ka ardhur momenti që ta tregojmë kualitetin që kemi dhe të rikthehemi te fitorja dhe aty ku e kemi synimin tonë”, tha Broja.

Ulpiana po përgatitet për befasinë e radhës. Dhe këtë e ka pranuar edhe mesfushori Argjent Mustafa, që mendon se prania e shikuesve në stadium, do të jetë motiv shtesë për të dhe bashkëlojtarët e tij. Ai theksoi se Ulpiana ka ekip që të përballet me secilin kundërshtar në Superligë.

“Është hera e parë që do të luajmë në Lipjan dhe kjo na gëzon shumë, sepse do të kemi edhe përkrahjen e tifozëve tanë. Besoj që kemi potencial të përballemi me çdo ekip në mënyrën më të mirë. Edhe kundër Dritës do të hyjmë për të marrë më të mirën”, tha Mustafa.

Të premten luhet edhe derbi i rajonit të Drenicës. Ekipi i Drenicës do të jetë nikoqir i Feronikelit në Skenderaj. Përderisa Drenica është e dyta në tabelë me 14 pikë, Feronikeli zë vendin e shtatë me 10 pikë. Drenicasit vijnë pas humbjes shokuese nga Ballkani 3:2, derisa Feronikeli pas fitores ndaj Ulpianës 1:0. Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, ka thënë për KOHËN se përballë do ta kenë rivalin rajonal që është ndër ekipet më të trofeshme në vend në vitet e fundit. Sipas Lushtakut, vetëm tri pikë kanë rëndësi për Drenicën. Ai insiston se humbja nga Ballkani tashmë është harruar.

“Të premten e presim Feronikelin, një ndër skuadrat më të trofeshme të pasluftës dhe dihet që do të jetë derbi rajonal. Por, pavarësisht këtyre, ne kemi punuar maksimalisht me futbollistët këto do dy javë të pauzës që ka pasur Superliga dhe kjo ka qenë e mirëseardhur për ne, sepse vinim pas një ndeshjeje që është për t’u harruar, ku humbëm me përmbysje nga Ballkani. Ishim duke fituar 2:0 dhe në fund humbëm 3:2. Por atë ndeshje e kemi lënë pas qysh në stërvitjen e parë dhe kemi punuar për ndeshjen që na pret. E dimë që luajmë me Niklin dhe në këtë takim hyjmë me të vetmin qëllim, që të arrijmë fitore dhe të arkëtojmë pikë të plota, sepse vetëm kështu mund t’u kthehemi rezultateve pozitive. Nuk do të jetë e lehtë. E cilësoj ndeshje të vështirë, por jo të paarritshme. Kam besim te lojtarët e mi që do të japin maksimumin dhe të arrijmë fitore”, tha Lushtaku.

Për rezultat pozitiv do të udhëtojë edhe Feronikeli. Sulmuesi i ekipit nga Drenasi, Dren Gashi, ka deklaruar se e kanë analizuar në çdo pikë kundërshtarin.

“Të dyja ekipeve besoj se na ka shërbyer mirë pushimi. Ne kemi analizuar çdo pikë të kundërshtarit dhe do të shkojmë në Skenderaj që të arrijmë të marrim rezultat pozitiv. Duke pasur parasysh që është derbi mes Drenasit dhe Skenderajt, mendoj që nuk do të jetë ndeshje e lehtë për asnjërën palë . Shpresoj që të gjithë nga ne të japim maksimumin dhe të kthehemi në shtëpi pozitivisht”, u shpreh Gashi.

Derbi i xhiros së nëntë zhvillohet të shtunën në stadiumin e qytetit të Gjilanit. Skuadra e Gjilanit është nikoqire e liderit të Superligës, Ballkanit. Me fitore eventuale, Gjilani do të barazohej me pikë me Ballkanin. Në të kundërtën, nëse triumfon ekipi nga Suhareka, atëherë do të krijonte shkëputje në tabelë. Ballkani është i vetmi ekip këtë sezon në elitën e futbollit kosovar që nuk e ka pësuar asnjë humbje dhe me 16 pikë zë vendin e parë. Ndërkaq Gjilani, që renditet i treti me 14 pikë, ka tri fitore, katër barazime dhe ka pësuar një disfatë.

Duel interesant pritet të zhvillohet edhe ndërmjet Prishtinës dhe Llapit. Kjo ndeshje do të luhet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Prishtinasit kanë dy barazime radhazi dhe këndelljen e kërkojnë ndaj llapjanëve që vijnë pas fitores së parë në kampionat kundër Dukagjinit. Kampionia në fuqi nuk e ka nisur mirë kampionatin. Pas tetë xhirove ka dhjetë pikë dhe zë vendin e gjashtë. Ndërkaq Llapi është i fundit me gjashtë pikë, aq sa kanë edhe Ulpiana e Dukagjini.

Dukagjini – Malisheva është dueli interesant i së shtunës që zhvillohet në Klinë. Të dyja këto ekipe në edicionin e shkuar garuan në Ligën e Parë, Grupi A. Kjo do të jetë hera e parë në histori që përballen në Superligë. Dukagjini ka gjashtë pikë dhe zë vendin e tetë, kurse Malisheva me 12 pikë renditet e katërta. Të gjitha ndeshjet e javës së nëntë në Superligë do të nisin prej orës 13:00.

Superliga – 9

E premte (13:00)

Ulpiana – Drita

Drenica – Feronikeli

E shtunë (13:00)

Gjilani – Ballkani

Prishtina – Llapi

Dukagjini – Malisheva

1. Ballkani 8 4 4 0 11:6 16

2. Drenica 8 4 2 2 10:9 14

3. Gjilani 8 3 4 1 10:7 13

4. Malisheva 8 3 3 2 9:5 12

5. Drita 8 3 3 2 6:5 12

6. Prishtina 8 2 4 2 10:7 10

7. Feronikeli 8 3 1 4 5:8 10

8. Dukagjini 8 1 3 4 6:9 6

9. Ulpiana 8 1 3 4 8:12 6

10. Llapi 8 1 3 4 4:11 6