Sport

Drilon Hajrizi me telashe shëndetësore, FBK-ja i uron shërim të shpejtë

Drilon Hajrizi

Basketbollisti më i mirë në vend,  Drilon Hajrizi, po kalon një periudhë sfiduese. Ai ka pasur telashe shëndetësore dhe i është nënshtruar një operimi. Ka disa javë që lideri i Trepçës nuk ka stërvitur me skuadrën mitrovicase për shkak të një infeksioni serioz në vesh. 

Operimi ka kaluar me sukses, ndërsa Hajrizi pritet të mungoi një periudhë nga palestrat kosovare. Ai është prej basketbollistëve më të mirë që Kosova ka pasur ndonjëherë.

Të hënën Federata e Basketbollit e Kosovës i ka uruar shërim të shpejtë Hajrizit. Ai është prej reprezentuesve më të rëndësishëm të Kosovës. Në edicionin e kaluar e udhëhoqi Trepçën drejt triumfit në të gjitha garat e basketbollit kosovar. Trepça e fitoi titullin e kampionit, Kupën e Kosovës, Superkupën dhe Ligën Unike, të zhvilluar në formë turneu.

Hajrizi 33-vjeçar, karrierë të suksesshme ka bërë edhe te Peja e Sigal Prishtina. Ka luajtur edhe në Japoni si dhe te Bashkimi i Prizrenit. Prej vitit 2020 është sërish te Trepça, ku  më herët u zyrtarizua si kapiten i skuadrës. 

“Federata e Basketbollit e Kosovës i uron shërim sa më të shpejtë basketbollistit të Kosovës, Drilon Hajrizi. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Bordi Ekzekutiv i FBK-së, besojnë që Hajrizi do të rikthehet sa më shpejt në parket, aty ku e ka vendin dhe aty ku ka dhënë kontribut të madh në basketbollin e Kosovës. Driloni ka luajtur rregullisht për Kosovën, që nga pranimi në FIBA deri në ndeshjet e fundit. Basketbollisti mitrovicas ka 29 ndeshje me ‘Dardanët’, duke luftuar gjithmonë për çdo top dhe duke qenë ndër më të dalluarit. Ai u shpall basketbollisti më i mirë për vitin 2023 nga Federata e Basketbollit e Kosovës, ndërsa në karrierën e tij ka fituar shumë çmime individuale dhe ekipore. Drilën e presim në parket më të fortë se kurrë”, ka shkruar FBK-ja.