Prishtinë, 4 mars – Java e 23-të e Superligës së Kosovës në futboll do të hapet të premten me dy duele. Të shtunën do të zhvillohen dy ndeshje të tjera, kurse xhiroja do të mbyllet të dielën me një takim.
Pretendenti për titull, Ballkani, do të jetë nikoqir i Drenicës në stadiumin e qytetit në Suharekë, në njërën prej ndeshjeve që luhen të premten. Ekipi që po drejtohet nga trajneri Bledi Shkëmbi, Ballkani, vjen pas disfatës nga Llapi në Podujevë, e cila bëri që ta humbë edhe vendin e parë në renditje.
Skuadra e trajnerit Bledar Devolli, Drenica, në xhiron e kaluar barazoi pa gola në shtëpi kundër Gjilanit.
Për të dyja këto skuadra pikët kanë vlerë të madhe, por ato synimet i kanë të kundërta. Ballkani, që aktualisht është në vendin e dytë me 45 pikë, po lufton për titull dhe dalje në Evropë, kurse Drenica që zë vendin e nëntë (të parafundit) synim kryesor ka mbetjen në Superligë. Pozita aktuale “kuqezinjtë” i dërgon në fund të kampionatit në Ligën e Parë.
KOHA ka provuar të marrë një prononcim nga trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi, por ai nuk ka dashur të flasë për duelin e së premtes. Shkëmbi ka thënë shkurt se për ndeshjen ndaj Drenicës kanë vendosur që të mos deklarohen për media.
Trajneri i Drenicës, Bledar Devolli, ka deklaruar për KOHËN se përballja me Ballkanin do të jetë e vështirë. Por, ai ka shtuar se edhe përkundër kësaj, Drenica do të udhëtojë për rezultat pozitiv.
“E dimë që është ndeshje e vështirë, pasi Ballkani ka ekip shumë të mirë dhe trajner që i përgatit shumë mirë ndeshjet. Por, ne do shkojmë nesër si ekip me autoritet dhe duam ta komandojmë ne lojën. Duhet të lozim pa frikë, të jemi agresivë në të dyja fazat e lojës. Në qoftë se i bëjmë këto besoj shumë se do të dalim me rezultat pozitiv”, ka thënë Devolli.
Drenica ka vetëm një fitore në dhjetë ndeshjet e fundit dhe atë kundër rivalit rajonal, Feronikelit.
Në të dyja ndeshjet e ndërsjella kampionale në kuadër të këtij kampionati, Ballkani ka triumfuar. Në Suharekë fitoi me shifrat 5:0, kurse në Skenderaj me 2:1.
Ndeshja tjetër e së premtes do të luhet në Brestovik të Pejës. Besa e pret Trepçën ’89. Skuadra pejane e ka vetëm një fitore në këtë kampionat deri më tani dhe atë pikërisht kundër Trepçës ’89 (2:1).
Besa, që vazhdon të mbetet e fundit në renditje me vetëm shtatë pikë, në duelin e javës së shkuar humbi si mysafire e Dritës me rezultat 3:1. Nga humbja vjen edhe Trepça ’89, e cila në shtëpi u mposht nga Prishtina 2:1. “Minatorët” renditen në pozitën e pestë me 28 pikë.
Të shtunën do të zhvillohen dy ndeshje me peshë. Prishtina e pret Llapin, kurse Gjilani është nikoqir i Arbërisë. Dueli i fundit zhvillohet të dielën ndërmjet Feronikelit dhe Dritës. Vetëm ndeshja ndërmjet Feronikelit dhe Dritës do të nisë nga ora 13:30, kurse katër duelet e tjera luhen prej orës 13:00.
Supeliga –XXIII
E premte – 13:00
Ballkani – Drenica
(Arbitra: D. Çaka, F. Abrashi, T. Ibërdemaj, B. Ajeti)
Besa – Trepça ‘89
(Arbitra: M. Ajeti, A. Ejupi, B. Kabashi, V. Hoxha)
E shtunë – 13:00
Prishtina – Llapi
(Arbitra: M. Bejtullahu, E. Bicaj, F. Jashari, E. Zasella)
Gjilani – Arbëria
(Arbitra: A. Shala, L. Muhadri, A. Bullatovci, A. Halilaj)
E diel – 13:30
Feronikeli – Drita
(Arbitra: T. Maloku, B. Selimaj, B. Morina, B. Jahmurataj)
1. Drita 22 47 pikë
2. Ballkani 22 45
3. Prishtina 22 44
4. Gjilani 22 32
5. Trepça'89 28
6. Feronikeli 22 27
7. Llapi 22 26
8. Arbëria 22 25
9. Drenica 22 24
10. Besa Pejë 22 7