Sport

Drenica paralajmëron Gjilanin para udhëtimit në Skenderaj

Pasi u eliminua nga Kupa e Kosovës në futboll, vikendin e shkuar, skuadra e Drenicës synon fitore në ndeshjen e parë të stinorit pranveror në Superligë.

Drenica pësoi humbje në 1/8 e finales së Kupës nga Prishtina (2:1), pas vazhdimeve. Këtë disfatë po synon ta kompensojë duke i fituar tri pikë ndaj Gjilanit. Gjilani është “kampion” i stinorit vjeshtor dhe llogaritet favorit përballë Drenicës, që kohët e fundit është stabilizuar pas problemeve të mëdha financiare që e përcollën vitin e shkuar. Drenica madje është një prej skuadrave më të përforcuara në afatin kalimtar të janarit, me mbi dhjetë futbollistë të transferuar.

Trajneri Tahir Lushtaku insiston se ekipi i tij është gati për duelin me Gjilanin. Lushtaku është i suspenduar për këtë ndeshje.

Ndeshja Drenica – Gjilani zhvillohet të shtunën prej orës 13:00 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj dhe i takon xhiros së 19-të. Në dy përballjet e luajtura në vjeshtë, Gjilani ka bilanc pozitiv. Ka barazuar 1:1 në udhëtim dhe ka fituar 2:1 në shtëpi.

“Mendoj se i kemi bërë të gjitha përgatitjet për ndeshjen ndaj Gjilanit dhe jam i bindur se jemi gati.

I kemi parasysh cilësitë e Gjilanit, ka një përbërje të fortë. Por unë besoj në pikët e plota pasi i dimë edhe dobësitë e kundërshtarit. Ne do t’i qasemi ndeshjes me seriozitetin më të madh dhe apeloj që në tribuna të ketë numër sa më të madh të tifozëve tanë në mënyrë që së bashku t’i gëzohemi fitores”, ka thënë Lushtaku.

Drenica zë vendin e gjashtë në tabelë me 23 pikë të mbledhura, 12 më pak se Gjilani. Optimist për fitore ndaj Gjilanit është shprehur edhe sulmuesi Kastriot Rexha. Rexha iu bashkua Drenicës pas një pauze prej gati një viti shkaku i lëndimit.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe po ashtu rëndësi ka se si e nisim pranverën. Gjilani ka ekip të fortë, por ne kemi besim të madh dhe do të japim më të mirën për rezultat pozitiv, që është fitorja në këtë përballje”, tha Rexha.

Gjilani pranverën e ka nisur me fitore në Kupë, duke u kualifikuar në çerekfinale. E eliminoi Dukagjinin në një tjetër ndeshje ku kishte kontestim të vendimeve të arbitrit.

“Presim një ndeshje të vështirë pasi e dimë se Drenica ka një skuadër cilësore dhe luan futboll shumë të mirë. Jemi të vetëdijshëm për këtë fakt dhe kemi punuar për këtë ndeshje. Gjithsesi ne kemi objektivat tona dhe synojmë maksimumin nga kjo përballje. Kemi objektiva madhore dhe nga ndeshja në ndeshje presim t’i arrijmë ato. Klubi ka investuar dhe është super i organizuar ndaj meriton të ketë sukses”, ka thënë futbollisti i Gjilanit, Muhamed Useini, të premten për KOHËN.

Të shtunën janë edhe dy ndeshje të tjera. Ballkani e pret Dukagjinin, ndërsa Drita përballet me Feronikelin. Drita ndeshjen si vendase do ta luajë në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan për shkak të fushës së rënduar në stadiumin e Gjilanit, pas reshjeve të fundit të borës.

Xhiroja mbyllet të dielën me dy ndeshje. Kampionia në fuqi, Prishtina, është mysafire e Malishevës, ndërsa Llapi e pret skuadrën e Ulpianës.

Llapi në këtë ndeshje do ta bëjë inaugurimin e punimeve në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Për shkak të punimeve në stadium, terreni i të cilit u kthyer nga fushë me bari artificial në fushë me bari natyral, Llapi për një periudhë të gjatë ndeshjet si vendas i ka luajtur në Merdar dhe në qytete të tjera.

“Çdo gjë është gati dhe stadiumi tani ka formën e një stadiumi evropian. Jam shumë i lumtur pasi tani kemi një super stadium në dispozicion dhe me padurim pres të luajmë ndeshjen e parë. Natyrisht edhe ta fitojmë”, ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Superliga – XIX

E shtunë (13:00)

Drenica – Gjilani

Ballkani – Dukagjini

Drita – Feronikeli

E diel (13:00)

Malisheva – Prishtina (13:00)

E diel (13:30)

Llapi – Ulpiana

1. Gjilani 18 9 8 1 23:13 35

2. Drita 18 10 4 4 22:11 34

3. Ballkani 18 9 6 3 22:14 33

4. Llapi 18 8 5 5 28:21 29

5. Prishtina 18 6 6 6 22:17 24

6. Drenica 18 7 2 9 22:22 23

7. Malisheva 18 5 4 9 17:20 19

8. Dukagjini 18 3 9 6 13:19 18

9. Ulpiana 18 4 6 8 17:30 18

10. Feronikeli 18 3 2 13 5:24 11