Skuadra e Drenicës ende nuk i ka nisur përgatitjet për edicionin e ri, 2022/2023. Madje, nuk ka as datë të caktuar se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Kjo situatë gati kaotike e ka përcjellë klubin nga Skenderaj tash e një kohë.
Kryetarja e klubit, Mihane Kodra – Bekteshi, ka thënë për KOHËN se problemet financiare dhe organizative janë arsyet që Drenica ende nuk i ka filluar stërvitjet.
Sipas saj, brenda javës së ardhshme do të zgjidhen telashet dhe lojtarët do të dalin në fushë.
“Arsyet financiare dhe organizative kanë bërë që Drenica të mos i nisë ende përgatitjet për kampionatin e ri. Unë të hënën do ta mbaj një takim me lojtarët vendorë dhe do të bisedojmë që sa më shpejt të rregullohet situata që është krijuar. Duhet të rregullohen gjërat sa më shpejt”, ka thënë Kodra-Bekteshi.
Ajo e pranon se klubi u ka ende borxh lojtarëve. Shpëtimin e sheh te Komuna e Skenderajt dhe te donatorët.
“Ne kemi pasur borxhe të mëdha në edicionin e kaluar. Aktualisht ua kemi nga një pagë borxh lojtarëve, e cila duhet të shlyhet sa më shpejt. Kemi pasur edhe telashe me Administratën Tatimore të Kosovës, por tani është rregulluar situata. Pra, kanë qenë borxhe të grumbulluara. Besoj që së bashku me Komunën dhe me donatorë do të organizohemi që të fillojmë sa më shpejt përgatitjet”, deklaroi Kodra-Bekteshi.
E para e klubit të Drenicës e pranon se situata nuk është e mirë edhe sa i përket skuadrës.
Drenica është pa trajner dhe shtab teknik. Trajneri Tahir Lushtaku ka dhënë dorëheqje ditë më parë. Disa lojtarë janë larguar nga ekipi, ndërkaq nuk është transferuar asnjë.
“Ne jemi edhe pa shtab teknik, kështu që së pari duhet ta emërojmë trajnerin dhe stafin e tij e më pas të mendojmë edhe për përforcime. Pra, ata më pas do të vendosin se kush do të vjen në skuadër. Kemi marrë shumë oferta për trajnerë, por nuk kemi vendosur ende”, tha Kodra-Bekteshi.
Në fund kryetarja e Drenicës theksoi se kanë punuar shumë që të gjejnë donatorë që do ta marrin klubin, por nuk kanë arritur t’i bindin. Ajo premton se nuk do ta lë Drenicën as kësaj radhe.
“Jemi mundur që të gjejmë njerëz të vullnetit të mirë dhe donatorë që ta marrin klubin, por nuk kemi mundur të gjejmë, nuk kemi mundur t’i bindim. Unë nuk kam mundur ta largohem dhe ta lë klubin dhe do të jem këtu sërish. Do ta jap më të mirën që Drenica të nisë sa më shpejt përgatitjet dhe ta zëmë hapin. E dimë që jemi shumë vonë”, shtoi Kodra-Bekteshi.
Për shkak të situatës jo të mirë financiare dhe organizative ditë më parë trajneri Tahir Lushtaku dha dorëheqje nga Drenica.
“Arsyet e largimit tim besoj janë të njohura për publikun e që kryesisht kanë të bëjnë me situatat dhe problemet brenda klubit dhe jo vetëm ato financiare. Dorëheqja ime vjen edhe për shkak të karakterit dhe personalitet tim të ndërtuar me punë të madhe profesionale dhe djersë dhe nuk jam nga ata persona që tentojnë të krijojnë personalitet dhe karakter në emër të dikujt tjetër, sikurse bëjnë disa persona brenda dhe jashtë klubit”, shkroi Lushtaku.
Drenica e mbylli kampionatin e fundit në vendin e gjashtë me 50 pikë. Deri në xhirot e fundit luftoi për mbijetesë. Drenica dhe Prishtina vazhdojnë të mbesin skuadrat e vetme që asnjëherë nuk kanë rënë nga Superliga.