Sport

Drenica në kërkim të pikëve në “Fadil Vokrri” për t’i ikur rënies

Si Prishtinës ashtu edhe Drenicës, u duhen pikët në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të xhiros së 30-të në Superligën e Kosovës në futboll. Të dyja skuadrat pësuan humbje xhiron e shkuar dhe të dyja po luftojnë për të mbetur në elitë edhe për sezonin e ardhshëm. Në fakt, Drenica ka dy humbje rresht, të cilat e kanë lënë në pozitën e shtatë në tabelë me 35 pikë, dy më pak se zona e barazhit. Ndërkohë, Prishtina ka tri pikë më shumë se Drenica dhe renditet e pesta në tabelë. Ndeshja mes Prishtinës dhe Drenicës do të zhvillohet të dielën prej orës 14:00. Te Drenica e kanë parasysh se nuk lejohen më gabimet, sidomos kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund të këtij sezoni. E këtë e pranon edhe mesfushori Armend Abazi, i cili beson në fitore ndaj Prishtinës. Në të vërtetë, Drenica në dy ndeshjet e fundit ka pranuar gjashtë dhe nuk e ka shënuar asnjë gol.

“Dy humbjen e fundit na kanë futur në një pozitë të vështirë në tabelë. Jemi përgatitur maksimalisht si në aspektin taktik ashtu edhe në atë psikik që t’i harrojmë këto humbje dhe t’i kthehemi pikëve dhe lojës së mirë, me të cilën identifikohemi si ekip”, është shprehur Abazi. “Shpresoj që ndeshje ndaj Prishtinës të jetë pika e kthesës së rezultateve pozitive, në mënyrë që të jemi më të qetë në duelet e tjera që na presin deri në fund të sezonit”.

Sikurse Drenica edhe Prishtina është optimiste për fitore në këtë përballje. Kështu insiston portieri i Prishtinës, Eglant Haxho. Sipas tij, është momenti që Prishtina të reflektojë pas humbjes në kampionat dhe eliminimit në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës.

“Vijmë nga dy rezultate negative dhe ekipi ka pasur kohën e duhur për të reflektuar për ndeshjen e radhës, e cila është e vlerësuar maksimalisht . Drenica është ekip që ka bërë mirë këtë sezon dhe gjithmonë ka luajtur mirë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Dihet që Prishtina gjithmonë luan për rezultat maksimal, që janë tri pikë në këtë ndeshje, që do t’i marrim me angazhimin e duhur për t’u ngritur edhe më shumë në tabelë”, ka thënë Haxho.

Të dielën, por prej orës 13:30 luhet edhe një ndeshje interesante e kësaj xhiroje. Në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, skuadra e Dukagjinit e pret Gjilanin. Dukagjini në duelin e fundit triumfoi ndaj Drenicës, ndërsa Gjilani ishte bindës ndaj Feronikelit. Gjilani është i dyti në tabelë me 55 pikë të mbledhura, tetë më pak se Ballkani që është lider. Ndërkohë, Dukagjini zë vendin e tetë me 33 pikë dhe po lufton për t’i ikur zonës së barazhit.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, si për ne ashtu edhe për Gjilanin. Ne e kemi parasysh situatën në të cilën jemi dhe duhet të japim më të mirën për një rezultat të favorshëm. Secilën herë që jemi ndeshur me Gjilanin, kemi treguar ndeshje të mirë. Kështu që, besoj edhe këtë herë nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për Gjilanin”, tha mbrojtësi i Dukagjinit, Ardin Dallku.

Kjo xhiro nis të shtunën me tri ndeshje që do të nisin në orën 14:00. Përderisa Llapi ka punë më të lehtë, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për Ballkanin e Dritën. Llapi është mysafir i Feronikelit që tashmë ka konfirmuar rënien në Ligën e Parë. Ballkani është mysafir i Ulpianës që po lufton për të ikur nga pozita e parafundit, ndonëse duket një mision i pamundur. Kurse, Drita e pret në shtëpi skuadrën e Malishevës.

“Presim një kundërshtar të fortë, një skuadër me eksperiencë që e njeh kampionatin mirë. Skuadër e shpejtë në sulm dhe agresive në aspektin defensiv. E rëndësishme për skuadrën tonë është të kemi përqendrim maksimal, ta zotërojmë topin dhe të jemi të gatshëm për të reaguar. Kam besim te grupi që do të paraqitet në mënyrën më të mirë, ta ndëshkojmë kundërshtarin dhe të marrim tri pikë”, ka thënë trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.

Superliga – 30

E shtunë

Drita – Malisheva (14:00)

Ulpiana – Ballkani (14:00)

Feronikeli – Llapi (14:00)

E diel

Dukagjini – Gjilani (13:30)

Prishtina – Drenica (14:00)


1. Ballkani 29 19 6 4 47:17 63

2. Gjilani 29 14 13 2 45:24 55

3. Drita 29 15 7 7 44:20 52

4. Llapi 29 13 8 8 47:33 47

5. Prishtina 29 10 8 11 36:32 38

6. Malisheva 29 10 7 12 35:33 37

7. Drenica 29 10 5 14 39:42 35

8. Dukagjini 29 7 12 10 25:31 33

9. Ulpiana 29 5 9 15 26:50 24

10. Feronikeli 29 3 3 23 12:74 12