Sport

Drenica me startin më të mirë në Superligë, tani synohet Evropa

Drenica është lidere e Superligës së Kosovës në futboll, pas shtatë xhirove të zhvilluara. Kuqezinjtë i kanë 14 pikë, një më shumë se Ballkani nga Suhareka.

Ky është starti më i mirë në kampionat i Drenicës, thonë në klubin nga Skenderaj.

Skuadra që drejtohet nga Tahir Lushtaku së bashku me Prishtinën janë të vetmet që nuk kanë rënë asnjëherë nga Superliga.

Por Drenica nuk e ka fituar asnjëherë titullin e kampionit e as Kupën e Kosovës në futboll. Po ashtu nuk ka luajtur ende në garat evropiane.

Trajneri Lushtaku e pranon se nuk ka pritur që ekipi që drejton të jetë në këtë pozitë pas shtatë xhirove. Pohon se ka besuar te kualiteti i lojtarëve të tij.

“Ndoshta nuk e kam pritur që pas shtatë xhirove të jemi lider, por kam qenë optimist që do të kemi rezultate të mira, sepse kam besuar në këta futbollistë. Me një disiplinë dhe punë të madhe që jemi duke e bërë bashkë edhe me asistentët e mi, po tregojmë që kemi grup të bashkuar dhe që duam ta ngremë klubin në nivele më të larta profesionale. Drenicën këtë edicion e veçojnë shumë risi dhe ndryshime pozitive që janë bërë në klub. Mendoj që e mira e krejt kësaj është se jemi në rrugën e duhur dhe kemi një plan të punës që synojmë ta realizojmë”, u shpreh Lushtaku të enjten për KOHËN.

Ai shton se Drenica nuk ka pasur fillim kaq të mbarë në kampionatet pas luftës. Një pjesë të madhe të rezultateve pozitive ua dedikon edhe ish-futbollistëve që tani janë pjesë e shtabit teknik.

“Nëse flasim për startin e Drenicës në këtë kampionat, ndoshta është starti më i mirë prej që jemi në Superligë. Paraqitje të mira kishim edhe në vitin 2010, kur kemi qenë nënkampion vjeshtor, por ndoshta startin nuk e kemi pasur si tani. Një detaj që e karakterizon kampionatin e vitit 2010 më ketë tani është se në atë kohë i kam pasur futbollistë asistentët që i kam tani, Brahim Vojvodën, Bekim Xanin, Arton Hajdarin dhe Sami Gecin. Po ashtu edhe drejtorin sportiv, Besim Bajraktari. Të gjithë po e bëjmë një punë të palodhshme dhe meritat shkojnë për stafin e trajnerëve, futbollistët dhe kryesinë e klubit”, deklaroi Lushtaku.

Ai theksoi se do të jetë e vështirë që të mbahet kjo pozitë deri në fund të kampionatit.

“Besoj që do të jetë vështirë që ta mbajmë këtë pozitë që kemi në tabelë aktualisht. Por, unë shpresoj që me formën dhe angazhimin maksimal do të vazhdojmë me rezultate pozitive”, tha Tahir Lushtaku, që Drenicën e ka udhëhequr disa herë.

I pari i shtabit teknik të “kuqezinjve” mendon se ia ka dalë që t’i rikthejë atmosferën dhe lojën e bukur, e cila, sipas tij, kishte humbur në edicionin e kaluar.

“Besoj që këndellja dhe riorganizimi kanë qenë shumë të vështira. Por duke ruajtur shumicën e futbollistëve që i kam njohur, e të cilët e kanë bartur barrën kryesore sa kam qenë edhe më herët trajner, dhe me sjelljen e disa lojtarëve të tjerë, kemi arritur që ta kthejmë atmosferën dhe harmoninë në ekip. Njëkohësisht me punë dhe disiplinë kemi arritur ta kthejmë edhe atë lojën e mirë që ka bërë Drenica nën udhëheqjen time. Dihet se prej kur kam dhënë dorëheqje, loja e Drenicës nuk i ngjante as për së afërmi lojës së që kemi zhvilluar ne. Pra, kemi arritur t’i rikthejmë lojën e mirë, disiplinën dhe jemi këtu ku jemi, lider momental të Superligës”.

Lushtaku me Drenicën i ka synimet e qarta - daljen në Evropë. Janë dy rrugë, përmes kampionatit apo Kupës.

“Dua të jem realist. Dëshira dhe motivi janë të mëdha, duke filluar nga unë, stafi dhe të gjithë futbollistët që me punë, ndeshje të mira dhe rezultate në fushë, të dalim në Evropë. Por, do të jetë e vështirë, sepse varet edhe nga shumë faktorë të tjerë. Klubi duhet të ketë qëndrueshmëri financiare dhe një organizim shumë më të madh dhe përkushtim në këtë drejtim. Po ashtu nevojitet edhe fond më i madh i lojtarëve. Nëse do të jemi të renditur në pjesën e epërme të tabelës në fund të stinorit vjeshtor, atëherë ne do të kemi mundësi të përforcohemi me tre futbollistë në pranverë”, tha Lushtaku. “Do të mundohemi që Evropën ta kërkojmë edhe përmes Kupës, ku dihet që Drenica në këta katër-pesë vjetët e fundit ka shkuar katër herë në gjysmëfinale dhe është eliminuar. Me pak fat ka mundur të jetë fituese e Kupës. Shpresoj që në këtë edicion do të na përcjellë fati dhe do ta fitojmë Kupën e Kosovës”.

Në gara evropiane pos kampionit dhe fituesit të Kupës dalin edhe nënkampioni dhe skuadra e renditur në vendin e tretë në Superligë.

Sulmuesi Kreshnik Uka, që është i huazuar te Drenica nga skuadra e Prishtinës, e pranon se nuk e kanë pritur një start kaq të mirë.

“Thënë të drejtën nuk e kemi pritur këtë start kaq të mirë. Por, brenda ekipit kemi lojtarë me cilësi dhe një grup shumë të mirë. Prandaj këto rezultate kanë ardhur si shkak i punës që kemi bërë deri më tani”, u shpreh Uka.

Ai e pranon se do të jetë e vështirë të mbahet pozita e parë.

“Është shumë e vështirë ta mbash pozitën e parë, sepse janë 4-5 ekipe që kanë bërë përforcime të mëdha dhe me buxhet të jashtëzakonshëm. Kështu që do të jetë sfidë e vërtetë ta ruajmë këtë pozitë, por asgjë nuk është e pamundur. Në skuadër jemi shumica e lojtarëve që kemi qenë bashkë edhe më herët dhe e njohim njëri-tjetrin, duke ia shtuar kësaj përforcimet e qëlluara që kanë ardhur”.

Edhe Uka pohon se Drenica synon Kupën dhe daljen në Evropë.

“Synimi i klubit së bashku me lojtarët, është Kupa. Shpresojmë te Kupa e Kosovës dhe të dalim në garat evropiane”.

Në xhiron e tetë të Superligës, që do të zhvillohet në fundjavë, Drenica do të jetë mysafire e Ballkanit në Suharekë.