Sport

Drenica ka paguar 77 mijë euro për ish-lojtarët

Drenica

Drenica ka paguar borxh prej 77 mijë euro ndaj ish-lojtarëve të cilët e kanë paditur klubin nga Skenderaj në FIFA. Kubi drenicas ka qenë i detyruar të kryejë obligimet në mënyrë që të mund të regjistrojë lojtarët për sezonin e ri që nis me 13 gusht.

Kryetarja e klubit, Mihane Kodra-Bekteshi, ka thënë për KOHËN të dielën se përveç pagesës për ish-lojtarë, janë duke punuar që të shlyhen edhe dy paga që ua kanë borxh lojtarëve.

“Javën e kaluar kemi shlyer të gjitha borxhet ndërkombëtare që i kemi pasur. Pra, kemi paguar 77 mijë euro dhe tashmë kemi të drejtën e regjistrimit të lojtarëve. Nuk kemi buxhet të madh, por po shpresojmë që do t’ia dalim së bashku me donatorët që na janë bashkuar. Besoj se do të kemi një funksionim të mirë të klubit. Kemi dy paga të pashlyera, por para se të nisë sezoni, do ta bëj të pamundurën që ta shlyej edhe një muaj nga borxhi”, tha Kodra-Bekteshi.

Ajo konfirmon edhe borxhin e madh që Drenica e ka në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

“Edhe me ATK-në kemi bërë një marrëveshje dhe po paguajmë rregullisht borxhin. Kemi gjetur një borxh prej 220 mijë euro ndaj shtetit, ndërsa tash jemi duke e paguar rregullisht sipas marrëveshjes”, u shpreh kryetarja e Drenicë.

Kodra - Bekteshi është kryetarja e vetme e një klubi jo vetëm në futboll, por edhe në sportet e tjera.

Ajo insiston se Drenica do të jetë gati për të nisur mbarë edicionin e ri. Konfirmon se ekipi do të drejtohet nga Bekim Shotani.

“Kemi punuar në heshtje dhe nuk jemi ndalur, meqenëse jemi goditur edhe ne si klubet tjera nga kriza financiare. Kemi bërë një organizim të mirë, ekipi po stërvitet dy herë në ditë nën udhëheqjen e Bekim Shotanit. Drenica do të jetë gati për fillimin e edicionit të ri në Superligë. Nuk kemi marrë lojtarë të shtrenjtë, kemi krijuar një skuadër me lojtarë të rinj e disa që kanë dalë edhe nga shkolla e futbollit. Nuk kemi pasur mundësi të ndalim lojtarët shkaku i buxhetit të vogël. Por, nuk besoj se kemi dallim nga ekipet tjera. Në bazë të cilësisë dhe nivelit, jemi me 5-6 klube në të njëjtin nivel”, theksoi Kodra-Bekteshi.

Sipas saj, Drenica synon të organizohet dhe në vitet në vazhdim të luftojë edhe për trofe. Thotë se është lodhur duke e dëgjuar fjalën “mbijetesë”.

“Jam lodhur nga fjala ‘mbijetesë’, do të jemi shumë më të organizuar. Buxhetin e kemi zvogëluar me qëllimin që lojtarëve të mos u mbesim borxh asnjë cent. Qëllimi është që të mbesim në Superligë dhe më pas të arrijmë të bëhemi klub që synon trofe. Në infrastrukturë po bëjmë ndryshime. Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur gatishmërinë të bëjë sistemin e ujitjes në fushë, ndërsa ne kemi ndërmend që muajin e ardhshëm të nisim ndërtimin e një zhveshtoreje”, tha ajo.

Kodra-Bekteshi e ka falënderuar ish-trajnerin Tahir Lushtaku, që me punë dhe angazhim ia ka dalë që ta mbajë Drenicën në Superligë. Ajo konfirmoi po ashtu se drejtori sportiv do të jetë Taulant Dajaku.

“Ne e falënderojmë Tahir Lushtakun për angazhimin e madh dhe falë punës së tij Drenica sezonin e kaluar mbijetoi në Superligë. Si drejtor sportiv ka mbetur Taulant Dajaku, ndërsa nuk janë bërë ndryshime as në pjesën tjetër të strukturës”.

Drenica në sezonin e fundit përfundoi në pozitën e gjashtë me 50 pikë. Së bashku me Prishtinën vazhdojnë të jenë klubet e vetme që nuk kanë rënë asnjëherë nga Superliga.

Për dallim nga Prishtina që është klubi më i suksesshëm në Kosovë, Drenica nuk e ka fituar asnjëherë titullin e as Kupën e Kosovës.