Sport

Donjeta Sadiku një fitore larg Lojërave Olimpike

Donjeta Sadiku e kishte ngritur lart dorën e majtë. Dorën e djathtë po priste t’ia ngre lart gjyqtarja e ringut. Dhe ashtu ndodhi. Sadiku të enjten festoi me dy duart lart kalimin në gjysmëfinale të turneut kualifikues për Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Boksierja e kategorisë deri në 60 kilogramë e mposhti bindshëm, 5:0, të enjten, boksiren e Gjermanisë, Maria Felicitas Ganglbauer, në turneun që po mbahet në Busto Arsizio të Italisë.

Është një fitore larg për të siguruar një biletë për Lojërat Olimpike, që këtë vit mbahen në Paris.

Luftën e radhës e ka të shtunën kundër boksieres nga Italia, Alessia Mesiano. Italiania mposhti rumunen Loredana Andreea Marin.

“Italiania është nikoqire dhe duhet të jetë një nivel më e mirë. Besoj se do të jetë më e mirë dhe do ta sigurojë normën olimpike. Italiania është kundërshtare e njohur për Donjetën. Është koha për revansh, pasi në luftën e tyre në vitin 2019, Donjeta nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Përkundër që ishte e sëmurë, ajo u fut në ring për të luftuar. Tani është në formë të shkëlqyer dhe besojmë se do të triumfojë”, ka thënë sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK), Latif Demolli.

Sadiku e Mesiano ishin përballur në vitin 2019, në turneun ndërkombëtar “Strangja” që mbahet çdo vit në Sofje të Bullgarisë.

Luftën e pesë vjetëve më parë e kujton edhe boksierja nga Italia. Ajo pranon se Sadiku ka përparuar shumë nga ajo kohë.

“E njoh boksieren kosovare. Kam luftuar kundër saj dhe e kam mposhtur, por ajo ishte shumë ndryshe në vitin 2019. Ajo ishte vërtet një kundërshtare që tregonte se ishte duke bërë përparim, ndërsa tani është e mirë edhe teknikisht. Megjithatë, unë e di këtë, gjithashtu kam stërvitur me të së fundi në kampione përgatitore në Asissi”, ka thënë Mesiano për mediumet italiane të enjten, pas fitores kundër boksieres nga Rumania.

Në fakt, Donjeta Sadiku ka qenë bindëse edhe përballë dy kundërshtareve të ditëve të kaluara. Me rezultat 5:0 të mërkurën e mposhti edhe boksieren nga Greqia, Christina Linardatou, e po ashtu edhe britaniken Shona Whitwell në meçin e parë të turneut kualifikues. Luftën ndaj britanikes e zhvilloi të martën.

Ndërkohë, të enjten, në ring u ngjit edhe Shpëtim Bajoku. Në turneun në Itali, ditë më parë u eliminua Bashkim Bajoku.

Turneu në Busto Arsizio ndahet në tri norma olimpike për femra e katër për meshkuj. Asnjë boksier i Kosovës në të kaluarën nuk ka fituar normë për Lojërat Olimpike. Sadiku në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” e përfaqësoi Kosovën me ftesë nga Komisioni Trepalësh.

Kosova i ka tri medalje të arta olimpike nga Lojërat Olimpike falë Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës. Edhe në Paris shpresat më të mëdha për të fituar medalje Kosova i ka nga sporti i xhudos. Tashmë disa norma janë siguruar, ndërsa pritjet janë të mëdha për medalje.