Sport

Donjeta Sadiku merr ftesë për të garuar në Lojërat Olimpike në Tokio

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka marrë ftesë për të përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Komiteti Olimpik i Kosovës ka pranuar sot ftesën për Sadikun nga Komisioni Tre-Palësh në përbërje: Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare, Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Verore”, thuhet nga KOK-u.
Donjeta garoi në turneun olimpik kualifikues që u mbajt në Paris, por u ndal në raundin e dytë.

Pesë xhudistët: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe mundësi Egzon Shala, kanë fituar normën olimpike, ndërsa dy notarë dhe një atlet përfaqësohen me ftesë për shkak të univerzalitetit, emrat e të cilëve pritet të konfirmohen në ditët në vijim.

Krahas Sadikut, ftesë nga Komisioni Tre-Palësh ditë më parë mori edhe shenjëtari, Drilon Ibrahimi.

Lojërat Olimpike Tokio 2020 mbahen prej 23 korrik – 8 gusht 2021 në Tokio të Japonisë.