Sport

Donjeta po stërvitet me ish-kampionin olimpik për kualifikimet për “Tokio 2020”

Boksierja më e mirë në Kosovë, Donjeta Sadiku, ka zgjedhur Bullgarinë për ta zhvilluar fazën e fundit përgatitore për turneun kualifikues të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, që mbahet në Paris nga 4 deri më 8 qershor. Ajo është së bashku me trajneren e saj, Marjola Sallauka, dhe do të përgatitet për dhjetë ditë bashkë me ish-medalisten evropiane e botërore, Stanimira Petrova. E përgatitjet e Sadikut në qendrën sportive “Diana” në Sofje të Bullgarisë do të mbikëqyren nga trajneri Petar Lesov. Trajneri 60-vjeçar si boksier e ka fituar medaljen e artë në kategorinë mizë në Lojërat Olimpike të vitit 1980. Bullgari Lesov ka qenë edhe kampion i dyfishtë i Evropës në kategorinë 52 dhe 51 kilogramë. Sadiku është e lumtur që do ta ketë mundësinë të punojë me trajnerin Lesov e po ashtu e vlerëson pozitive përgatitjen dhe sparingun me boksieren Petrova.

“Është përgatitje e mirëseardhur për mua. Do të mundohem ta shfrytëzoj maksimalisht përvojën e tyre. Bashkëpunimi me ta është në favor timin e po ashtu edhe të bullgares, sepse stilet tona të boksit përshtaten me stilet e kundërshtareve tona. Jam në formë të mirë dhe besoj se do të jem gati për ta realizuar ëndrrën për Lojërat Olimpike”, ka thënë Sadiku të mërkurën për KOHËN.

Në fakt turneu kualifikues, që u pezullua shkaku i masave izoluese në shumë shtete të Evropës në marsin e vitit të kaluar në Londër, do të vazhdojë në Paris të Francës. Sadiku shpreson në sukses për të fituar normë olimpike. Asaj i mbetet të ketë suksese në turneun e nisur vitin e kaluar, ku e fitoi meçin e parë kundër gjermanes Maya Kleinhans, ndërsa luftën e dytë e ka përballë suedezes Agnesa Lexiussion. Sadiku javë më parë me ftesë të Federatës së Boksit të Finlandës u përgatit në qytetin Tampere. Gjatë kësaj periudhe Sadiku partnere të sparingut e pati boksieren 40-vjeçare Mira Potkonen, që e pati fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike “Rio 2016” në kategorinë 60 kilogramë.

“Në turneun kualifikues që nisi në Londër kam qenë në formë shumë të mirë, mirëpo shtyrja për një vit është ende më mirë për arsye se kam marrë pjesë edhe në turne të ndryshëm, ku kam fituar edhe më shumë përvojë”, është shprehur Sadiku.

Sadiku e kategorisë 60 kilogramë është kthyer në ring me të rifilluar aktivitetet ndërkombëtare, pas ndërprerjes shkaku i pandemisë. Ka fituar medalje të argjendtë në turneun e mbajtur në tetor, në Sofje të Bullgarisë. Sadiku në vjeshtën e vitit të kaluar mori pjesë në dy turne, që për të ishin të mirëseardhur. Donjeta është bindshëm më e suksesshmja në Kosovë, derisa suksesin më të madh e ka në vitin 2016. Fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian për të reja të mbajtur në Ordu të Turqisë. Ajo dy herë u pengua të marrë pjesë në botërorët e organizuar në Indi. India ia pamundësoi pjesëmarrjen në Botëror, një herë si juniore dhe së fundi si seniore, shkaku që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

“Donjeta është në formë të mirë dhe i mbetet ta mbyllë me sukses edhe fazën e fundit. Me boksieren nga Bullgaria do të ketë edhe përgatitje, edhe sparing. Me Donjetën është trajnerja Marjola. Ne jemi të bindur se Donjeta ka kapacitet për ta fituar turneun dhe mundësinë për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike që mbahen në Tokio”, ka thënë trajneri i Donjetës, Besim Brahimi.

Aktualisht Kosova i ka të konfirmuara gjashtë norma olimpike, pesë në xhudo dhe një në mundje.