Agron Selmani u kthye pas një kohe të gjatë për t’i hapur dyert e stadiumit “Ismet Shabani” në Ferizaj.
Stadiumi i qytetit kishte shërbyer për shumë vjet si shtëpi për Agronin dhe familjen e tij. Familja Selmani e kishte mirëmbajtur stadiumin e Ferizajt për plot dy dekada.
Në stadium tani kanë mbetur pak gjëra që e identifikojnë familjen Selmani si pjesë të tij.

Shtëpia me dy dhoma, ku Agroni, vëllezërit e motrat e tij, babai dhe nëna kishin jetuar gjatë, është rrënuar. Shtëpia e tyre ishte brenda në stadium.
Është rrënuar edhe shumëçka tjetër në atë që dikur ishte stadium futbolli.
“E do rendi të mos pajtohemi me këtë fakt, e do rendi të themi pse po shkatërrohet e gjithë kjo, por Ferizaj është duke e ndërtuar një shpirt të ri dhe këtë barrierën emocionale jo vetëm të familjes sonë, por edhe rrethit këtu, duhet ta shohim me perspektivë që ky vend nuk është keqpërdorur, por po ndërtohet një shkollë. Po të pyesnim sportdashësit do të thoshin se këtu duhet të mbetet stadiumi, por siç kemi lëvizur ne nga dy dhoma, sot kemi pesë vëllezërit nga një shtëpi në vete”, ka thënë Agron Selmani në rrëfimin për 20 vjetët e kaluara në stadium.
Rrënimi vërehej që nga dyert e stadiumit. Tabelës së stadiumit “Ismet Shabani” i kishin mbetur vetëm dy shkronjat e para “Is”, ndërsa portat ishin ndryshkur. Në gjendje më të keqe kishte mbetur fusha, në të cilën do të ndërtohet shkolla. Për familjen Selmani përfundimisht stadiumi do të mbetet vetëm një kujtim. Shpejt do të hiqen portat e po ashtu do të rrënohet edhe një tribunë e re e ndërtuar para disa vjetëve.
Selmani rrëfen për dy dekadat e kaluara në stadium. Tregon se në Ferizaj i njohin si “djemtë e stadiumit”.
“Deri në moshën 20-vjeçare unë e kam përjetuar, kam lindur këtu. Figurativisht po e shpjegoj se neve na quajnë djemtë e stadiumit. Dikush nga miqtë na thotë se ke lindur në qendër të fushës, te penalltia, dikush në 16-metërsh. Pak me shaka, por një realitet jo i hidhur, një realitet i mirë. Ne kemi lindur të tre vëllezërit këtu dhe në moshën 20-vjeçare jemi detyruar të largohemi nga këtu për shkak se familja është zhvilluar, pesë djem dhe tri vajza, jemi detyruar ta ndërtojmë shtëpinë tonë”, ka vazhduar rrëfimin Selmani.

Agron Selmani dhe familja e tij janë krenarë për kontributin që kanë dhënë për klubin e Ferizajt dhe stadiumin “Ismet Shabani”. Ai tregon se babai tij, tashmë i ndjerë, ka punuar mirëmbajtës i stadiumit, kurse nëna thotë se është përkujdesur për pastrimin e rrobave të lojtarëve.
“Nëna është kujdesur për veshmbathjen e të gjitha kategorive të klubit. Në atë kohë kanë munguar mjetet e amvisërisë dhe të gjitha rrobat janë larë me dorë. I kemi ndihmuar ne fëmijët gradualisht siç jemi rritur, por nëna është një heroinë e vërtetë sepse ajo ka bërë mrekulli që sportistët të dalin sa më të pastër në fushë, duke mos anashkaluar edhe kontributin e babait, i cili është marrë edhe me punë administrative të klubit, pjesën organizative të lojës e po ashtu edhe ne që kemi qenë fuqi punëtore, sidomos tre vëllezërit e parë Luani, Vetoni dhe unë”.
Edhe pse në kushte të vështira, Selmani thotë se ka mbretëruar një atmosferë e mirë në familje, ndonëse lodhja ka qenë e madhe me punët e stadiumit.
“Të gjitha punët i kemi kryer. Kemi qenë mbështetës të babait dhe të nënës, duke llogaritur edhe pastrimin e rrobave, mirëmbajtjen e fushës. Unë si fëmijë kam kositur barin e fushës, kemi bërë vijat, pastrimin e fushës. Nuk turpërohemi prej asaj që kemi punuar sepse na ka bërë më të fortë, personalitete më të mira edhe jemi kënaqur me punën tonë. Babai ka ditur të na motivojë në mbrëmje pas gjithë aktivitetit të lodhshëm ditor, në ato dy dhoma ku kemi jetuar. Ka ditur t’ia krisë këngës në mënyrën e vet, ashtu siç e ka mësuar nga familja, brez pas brezi. Me të vërtetë ka pasur kënaqësi”, është shprehur Agron Selmani.
Ai tregon se nuk janë thyer asnjëherë ndonëse kishte situata të rënda.
“Ishte për familjen tonë një kohë jashtëzakonisht e vështirë, por kemi qenë me shpirt të sportistit, me shpirt luftarak dhe ia kemi dalë edhe për çështjet ekzistenciale. I kemi kaluar me sportivitet dhe gjithmonë e kemi gjetur kënaqësinë në atë që na ka afruar Zoti. Një diçka të vogël, por diçka shumë të mirë”, vazhdon Agroni.
Selmani ka qenë edhe futbollist në klubin e Ferizajt, diçka e natyrshme kur rritesh brenda stadiumit. Por, pasi gjeti punë në Prishtinë, ai i dha fund karrierës ende pa e nisur mirë.
Pasi mirëqenia e familjes u përmirësua, Selmani thotë se e nisi shkollimin për t’u bërë trajner futbolli. Ai ka marrë licencën “Profi” në Sarajevë, ndërsa karrierën si trajner e nisi në klubin e futbollit Ulpiana. Ulpianën e drejtoi në Superligë. Më pas u bë trajner te Gjilani për të vazhduar te Kosova e Vushtrrisë. Në fund ka punuar te klubi i tij, klubi Ferizaj.
Në Ferizaj ka punuar në tri periudha të ndryshme. Thotë se herë i ka shkuar keq e herë mirë. Aktualisht ka rolin e drejtorit sportiv në klubin e zemrës. Vlerëson se sporti i ka krijuar identitet.
“Sporti ma ka krijuar një personalitet, diku më të vështirë, diku më të lehtë. Kam ndërruar klube, diku kam qenë i suksesshëm e diku jo, por futbolli i ka këto gjëra”.
Pas rreth gjysmë ore bisedë për KOHËN ai u kthye për të vazhduar orarin e punës në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj. U largua nga hapësira që dikur ishte stadium, ku mbase nuk do të kthehet për kohë të gjatë.
Aty ku dikur luhej futbolli, do të mësojnë mijëra të rinj. Mund të mësojnë edhe fëmijë të familjes së gjerë Selmani. Familjes, që dikur me xhelozi ruante çdo cep të stadiumit.