Sport

Distria jep sinjale të forta për rivalet në kategorinë e re

Po zhvillohej gjysma e luftës kur Distria Krasniqi me lëvizje të shpejtë vendosi këmbën e saj prapa këmbës së kundërshtares. Pasoi ajo që Distria e bën më së miri – lëvizje e rrjedhshme me tërë trupin dhe një hedhje efektive dhe shumë e bukur.

Kroatja Ana Viktorija Puljiz mund të jetë ndier e barabartë me Distrinë për disa momente në “tatami”, por një moment pakujdesie i kushtoi me rënie në shpinë. Për Puljizin është sukses i madh vetë përballja me kampionen olimpike dhe arritja në finale të garës Grand Prix, që të premten nisi në Portugali.

Për herë të parë Grand Prix po mbahet në Portugali, ndërsa për Distrinë gara e së premtes ishte një fillim i ri në kategorinë e re. Ajo është kampione olimpike dhe e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 48 kilogramë. Por për shkak të telasheve me peshë ka vendosur të garojë në kategorinë deri 52 kilogramë. Në vjeshtë kishte një provë, jo shumë të suksesshme, dhe tani shënoi fillim të ri në kategorinë e re. Edhe më herët Distria ka garuar në kategorinë deri 52 kg, por sukseset e mëdha i ka në 48 kg.

Që në garën e parë të vitit, Distria ka dhënë sinjale të forta për rivalet në kategorinë e re. Këtë e kanë përmendur edhe komentatorët e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Për shkak të rangimit më të ulët në kategorinë deri 52 kg, Distria ishte “vetëm” bartësja e katërt në Almada të Portugalisë. Por nuk hasi në ndonjë rezistencë. Të gjitha luftërat i përfundoi me “Ippon”.

Fitoi ndaj francezes Leonie Gonzalez, spanjolles Ariane Toro Soler, portugezes Joana Diogo dhe në fund ndaj kroates Puljiz.

“Kur kampionia olimpike, Distria Krasniqi, është prezent, përfundimisht sjell presion te garueset e tjera. Por presion ka edhe për Distrinë, pasi të jesh xhudistja që duhet mposhtur, të vendosë në pozitë të brishtësisë mendore që jo të gjitha mund ta përballojnë”, ka shkruar sajti zyrtar i IJF-së. Paraqitjes së Krasniqit i është bërë analizë e thellë nga IJF-ja.

“Kam ardhur këtu për të marrë pikët, pasi për shkak të ndërrimit të kategorisë nga e para në ranglistë tani jam e 38-a. Kam kërkuar sa më shumë pikë që të jetë e mundur që në muajt e ardhshëm të jem bartëse”, ka thënë Krasniqi për IJF-në.

Për sajtin zyrtar të Unionit Evropian të Xhudos, suksesi i Distrisë është i pritur.

Trajneri Driton Kuka, që nuk ishte në Portugali, ka vlerësuar paraqitjen e xhudistes së tij. Në Portugali, Kuka e ka dërguar asistentin e tij, Fatos Tabaku.,

“Kategoria e re për Distrinë, por ajo sigurt do të lëvizë drejt kreut edhe në këtë kategori”, ka theksuar Driton Kuka.

Të premten kanë garuar edhe Erza Muminoviq e Flaka Loxha. Erza u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 52 kg, ndërsa Flaka në luftën e parë të kategorisë deri 57 kg.

Të shtunën garon Laura Fazliu.

Ndërkohë Nora Gjakova, Akil Gjakova e Loriana Kuka nuk janë kthyer ende në gara. Ata së fundi kanë garuar në Lojërat Olimpike të Tokios. Nora ka fituar të artën në kategorinë deri 57 kilogramë.

Image