“Disiplina e hekurt” mund të jetë çelësi i suksesit të radhës për Dukagjinin në garat evrpoiane, saktësisht në duelin kundër Rijekës kroate, ka thënë trajneri Armend Dallku të mërkurën në konferencën për shtyp. Suksesin e parë dhe historik, Dukagjini e shënoi javën e kaluar kur e eliminoi FC Europan në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndaj skuadrës nga Gjibraltari, klinasit shënuan dy fitore, 2:1 në Prishtinë, dhe 3:2 në udhëtim.
Tani, Dukagjini për kundërshtar do ta ketë një ekip të një niveli më të lartë, të cilin Dallku e vlerëson shumë. Dukagjini e Rijeka, të enjten në orën 20:00, do të luajnë në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Për ne është historike sa i përket përfaqësimit si klub ose si rajon i Dukagjinit, duke pasur parasysh se është hera e parë në këto kompeticione. Kemi bërë më të mirën e mundshme sa i përket kalimit të turit të parë. Kështu që për neve ka qenë esenciale. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi arritur në turin e dytë dhe shpresojmë të bëjmë paraqitje të mirë, t’i kënaqim ata tifozë që do të vijnë. Me disiplinë shumë të hekurt sa i përket anës tonë, për këto ditë sa kemi pasur mundësi të kërkojmë nga lojtarët tonë, të dalim me rezultat pozitiv”, është shprehur Dallku në hapje të konferencës për shtyp.
Ndaj Rijekës nuk do të luajë mesfushori Bujar Shabani për shkak të suspendimit. Në dyshim për të luajtur është edhe mbrojtësi Arbër Shala që pësoi lëndim në ndeshjen e kaluar ndaj Europas, bashkë me sulmuesin Ahmed Januzi. E kjo paraqet problem për trajnerin Dallku.
“Problematikën kryesore e kemi pasur rikuperimin e ekipit, marrë parasysh që kemi pasur një udhëtim jashtëzakonisht të gjatë, jashtëzakonisht të mundimshëm. Ato kanë qenë mundësitë tona të vetme për të arritur në Gjibraltar dhe për t’u kthyer. Jemi munduar këto ditë, aq sa kemi pasur mundësi, t’i rikuperojmë djemtë. Bujari është mungesë relativisht e madhe për neve. Bujari është prej lojtarëve që në këto kompeticione, ka qenë ndër të vetmit që ka pasur shumë ndeshje në këmbë”, ka theksuar Dallku, i cili gjendjen e Shalës do ta përcjellë deri në ditën e lojës për të vendosur nëse do të luajë apo jo.
Trajneri Dallku bëri disa improvizime në duelin ndaj Europas në Gjibraltar, e që dolën të suksesshme. Ai theksoi se kjo ka ndodhur për shkak të kontingjentit të cunguar të futbollistëve. Megjithatë, ai është i lumtur për grupin që e ka në dispozicion. Përkrah trajnerit Dallku, në konferencë për shtyp ka qenë edhe sulmuesi Altin Merlaku. Merlaku në ndeshjet debutuese në nivelin e tretë të garave të UEFA-s, nuk ka shënuar, por megjithatë, ka dhënë kontributin e tij. Asistoi në golin e fitores 2:1 në “Fadil Vokrri” ndaj Europas, dhe ishte asistues në dy golat e fundit në fitoren 3:2 në udhëtim. Në ndeshjen kthyese, Merlaku luajti në pozitën e qendërsulmuesit. Ai theksoi se pavarësisht se ku luan, do ta japë gjithmonë maksimumin për skuadrën e tij.
“Kam luajtur si qendërsulmues. Mund të them të drejtën, prej se luaj futboll, vetëm një vit kam luajtur si sulmues qendre, te KF Besa. Të them të drejtën ishte pak interesant sepse kisha harruar pak të luajë si sulmues qendre, por besoj se e bëra më të mirën, pata angazhim, raste dhe asistime”, deklaroi Merlaku.
Dallku e Merlaku kanë bërë thirrje që shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri” të enjten në mbrëmje të jenë të mbushura plot. Thanë që përkrahja e tyre do të ishte armë shtesë për vazhdimin e historisë. Dukagjini i Klinës të mërkurën nuk mbajti stërvitje në “Fadil Vokrri”. Stërvitjet i kreu në Klinë gjatë ditës. Ndërkohë, trajneri i Rijekës, Segrej Jakiroviq ka insistuar se pret që ekipi i tij të ketë qasje serioze ndaj Dukagjinit.
“Kjo do të jetë vetëm pjesa e parë pasi luajmë dy ndeshje. Kemi punë me një kundërshtar të fortë dhe për këtë arsye duhet të tregojmë seriozitet të madh dhe disiplinë taktike. Shpresoj që të marrim rezultat të favorshëm”, tha ai.
Skuadra që avancon tutje, në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, do të përballet me fituesin e duelit ndërmjet Torshavnit të Ishujve Faroe dhe Haverfordwestit të Uellsit.