Sport

Diar Halili, futbollisti që synon të luajë për ekipin e parë të Portos

Futbollisti Diar Halili u rrit te 2 Korriku në Prishtinë ku qëndroi për një dekadë. Në verën e vitit 2020, kaloi te Besa e Pejës, më të cilën skuadër luajti në Superligën e Kosovës në futboll. Paraqitjet e tij të mira me ekipin pejan kanë bërë që ai të bëjë një hap të madh në karrierën e tij. Halili është huazuar te Porto në Portugali për një vit, dhe klubi portugez ka të drejtën e blerjes së tij në fund të sezonit. Te Porto, është transferuar edhe Gentrit Salihu po ashtu nga Besa. Halili tregon se ishte afër kalimit te Braga, por shkaku i vizës gjërat u komplikuan dhe përfundoi te Porto.

“Te Porto jam i huazuar për një vit, me mundësi të blerjes. Me sa e di, Besa ka përqindje në kartonin tim. Fillimisht, ka pasur interesim nga Braga në fund të sezonit të kaluar. Kam qenë dhjetë ditë në testime te Braga edhe kam kaluar shumë mirë. U kam pëlqyer shumë te Braga dhe ata kanë gjetur gjuhë të përbashkët me Besën. Por, unë kam pasur problem me vizë. Pasi e ka kryer kryetari i klubit transferimin e Gentritit te Porto, më ka treguar që Porto ka pasur interesim edhe për mua dhe kur një klub i madh si Porto ka interesim për mua, nuk kam hezituar fare. Por, Besa më ka treguar se interesim për mua ka pasur edhe nga Franca dhe Kroacia. Unë isha në pesë ekipe evropiane në prova”, tha Halili.

18-vjeçari që luan në qendër të mbrojtjes, ende nuk ka debutuar me grupmoshën U19 të Portos. Arsyeja sipas tij, është se shkaku i problemeve me vizë është bashkuar vonë me ekipin. Po ashtu, për dy javë ka qenë edhe pjesë e Përfaqësueses U19 të Kosovës në kualifikimet për Evropian.

“Pasi kam pasur probleme me vizë, unë kam ardhur në Porto në fund të shtatorit dhe kam stërvitur vetëm një javë me ekipin përpara se t’i bashkohem Kosovës U19 për kualifikimet e Evropianit. Me Kosovën kam qenë dy javë dhe tani ka gati një javë që jam bashkuar sërish me Porton. Ende nuk kam luajtur asnjë ndeshje zyrtare. Të shtunën e kemi ndeshjen e parë në kampionat dhe shpresoj që do të kem rastin që të paraqitem”, tha Halili.

Porto U19 paraqitet edhe në Ligën e Kampionëve për këtë grupmoshë. Ndeshjen e radhës e ka në udhëtim te Milani, takim në të cilin Halili synon të luajë.

“Ne bëjmë pjesë në Youth League. Shpresoj dhe besoj që në ndeshjen e ardhshme që e kemi me Milanin në Itali, do të paraqitem. Por dihet që vendimi është i trajnerit. Ne duhet të punojmë shumë”, tha Halili. “Pritja ka qenë shumë e mirë nga të gjithë këtu në Porto. Vendi ku qëndrojmë është shumë i mirë. Kemi kushte shumë të mira dhe tani na mbetet neve që ta tregojmë veten”.

Meritat për kalimin e tij te Porto në formë huazimi, Halili ia lë kryesisë së Besës.

“Kryesia e Besës është meritore për transferimin tim këtu. Dhe jo vetëm për transferim këtu, por Besa na ka ndihmuar edhe në zhvillimin tonë sezonin e kaluar, ku kemi luajtur në Superligë. Shumica kanë thënë që Besa po bie nga Liga, por nuk e kanë ditur qëllimin e Besës që ka pasur, pra që të nxjerr lojtarë të rinj dhe ti dërgojë jashtë vendit”, theksoi ai.

Halili është i vendosur që t’i bindë drejtuesit e Portos dhe një ditë të luajë edhe për ekipin e parë të gjigandit nga Portugalia.

“Në një klub të madh siç është Porto, është problem të depërtosh sepse konkurrenca është shumë e madhe. Por, me punë të madhe, shpresoj që këtë vit të luajë për ekipin B të Portos dhe një ditë pse jo të luajë edhe për ekipin A”, theksoi futbollisti nga Prishtina. “Edhe në Superligën e Kosovës luhet futboll i fortë. Por këtu është më ndryshe. Intensiteti është më i lartë. Kushtet janë shumë të mira këtu për punë. Këtu lojtarët punojnë më ndryshe që nga mosha e re. Edhe në Kosovë nëse do të ishin kushtet e mira siç janë këtu, atëherë edhe atje do të ishte më ndryshe”

Halili ka veshur fanellën e Kosovës U15, U17 dhe U19. Ai synon të luajë edhe për Kosovën A.

“Kam qenë pjesë e çdo gjenerate të Kosovës deri më tani. Paraqitjet me grupmoshat e Kosovës më kanë ndihmuar shumë që të rriten si lojtar. Normal, synoj të luaj për U21 dhe një ditë edhe për ekipin A të Kosovës. Të luash për shtetin tënd, është një ndjenjë e papërshkrueshme”, përfundoi Halili.

Diar Halili ka shënuar një gol në Superligën e Kosovës me Besën në moshën 17-vjeçare. Suksese të mëdha kishte arritur edhe me grupmoshat e reja të 2 Korrikut.