Sport

Dhjetëshja e Baselit synon gjëra të mëdha me Kosovën

Vanesa Hoti

E kaluara e Vanesa Hotit sa i përket përfaqësimit ndërkombëtar lidhet vetëm me Zvicrën. Ka luajtur për grumposhat U16, U17 dhe U19 të përfaqësueses helvetike të futbollit.

Por e tashmja dhe e ardhmja për Hotin do të jenë të lidhura me Kosovën. Siç thotë ajo, “gjysmën tjetër të trupit”.

Hoti 25-vjeçare debutoi për Kosovën në turneun “Turkish Women’s Cup” që po mbahet në Alania.

“Jam shumë e lumtur me paraqitjen time të parë me ekipin e Kosovës. E vlerësoj pozitive dhe shumë lart”, ka thënë Hoti të hënën për KOHËN.

Ajo ka prejardhje nga Vushtrria. Thotë se kishte mundësi të priste ftesë nga Zvicra, por vendosi me zemër të luante për Kosovën.

“Kam pasur mundësi të luaj edhe për shtete të tjera. Kanë qenë mundësi reale, por vendosa të luaja për Kosovën. Jam shumë e kënaqur që po luaj për Kosovën. Shpresoj të luaj edhe në të ardhmen për shtetin tim. Ta përfaqësoj shtetin Kosovën dhe qytetin prej nga vij, Vushtrrinë”, ka theksuar Vanesa Hoti.

Hoti është pjesë e skuadrës elitare të Zvicrës, Basel. Për Baselin paraqitet rregullisht si mesfushore ofensive. Te Baseli mban numrin 10, që pëlqehet shumë në futboll. Te Kosova aktualisht ka zgjedhur ta mbajë numrin 22 në fanellë.

Ajo thotë se në Zvicër ka mësuar shumë. Synimet më të mëdha në karrierë i ka me Kosovën.

“Synimet janë të mëdha. Dhe unë do të mundohem ta jap kontributin tim për Kosovën. Shpresoj të paraqitemi në ndonjë ngjarje të madhe së bashku. Te Kosova ka lojtare me shumë potencial. Jam e kënaqur që i jam bashkuar këtij grupi”, ka thënë Hoti.

Ajo me futboll nisi të merrej në moshë të re, ndërsa zhvillimin më të madh e ka pasur te Baseli. Krahas futbollit Hoti ndjek edhe shkollimin e po ashtu është edhe në marrëdhënie pune.

“Me Baselin kam qenë e lidhur ngushtë dhe jam shumë e lumtur. Baseli më ka ofruar të gjitha kushtet dhe falë Baselit dhe Zvicrës jam këtu ku jam sot. Do t’u jem falënderues për gjithë jetën. Për momentin jam pjesë e Baselit, por jam shumë e angazhuar. Jam në shkollë, punë dhe futboll. Do të shohim se ku do të jem në të ardhmen”, ka thënë Hoti.

Kosova fitoi dy ndeshje në Turqi. E mposhti Hong-Kongun 1:0, ndërsa fitoi ndaj Estonisë, 3:0. Ndaj Estonisë debutoi Hoti.

Ndeshjen e fundit në turneun në Turqi, Kosova e ka ndaj Indisë të martën.

Image