Karateja kosovare po përballet me telashe të mëdha të brendshme. Të enjten dorëheqjen e kanë dhënë dhjetë anëtarë të bordit ekzekutiv të Federatës së Karatesë së Kosovës. Në letrën e dorëheqjes, të cilën e ka KOHA, janë përmendur arsye të shumta për dorëheqjen.
Bordi ekzekutiv i FKK-së i ka 15 anëtarë. Dhe dorëheqjen e kanë dhënë shumica prej tyre. Sipas Statutit të Federatës, në një situatë të tillë mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor. Pra zgjedhje të reja.
Letra e dorëheqjes është protokolluar në Federatën e Karatesë, ndërsa në të janë nënshkrimet dhe numrat personalë të dhjetë prej 15 anëtarëve të bordit ekzekutiv. Dorëheqjen e kanë dhënë nënkryetarët Gazmend Havolli e Bashkim Ibrahimi, si dhe anëtarët e bordit: Fidair Berisha, Ismail Fazliu, Muhamet Kolgeci, Isak Pllana, Idriz Baruti, Hamide Ibrahimi, Baki Desku, Arsim Ibrahimi.
Në letrën e dorëheqjes janë përmendur dhjetë pika të ndryshme. Tri të parat kanë të bëjnë me dështimin e pjesëmarrjes në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. Të dorëhequrit vlerësojnë se imazhi i Federatës ka rënë, “duke ulur përfaqësimin brenda dhe jashtë vendit, duke rrezikuar edhe largimin e FKK-së nga Federata Botërore e Karatesë”.
Është shkruar edhe për “dështimin në realizimin e premtimeve lidhur me subvencionimin e Federatës nga Ligji për Sponsorizim”, “dështimin në krijimin e një ambienti të përbashkët brenda FKK-së”, “dështimin në shlyerjen e borxheve të FFK-së, premtim i dhënë disa herë nga kryetari Avni Gashi”.
Të dorëhequrit kanë shprehur dyshime që kryetari i Federatës ka qenë i përfshirë në bojkotimin e një gare në Prizren. Po ashtu kanë vlerësuar se dy mbledhjet e fundit të bordit dhe dy kuvendet e fundit kanë krijuar atmosferë jokolegiale në Federatë.
Ka kohë që ka përplasje të brendshme e goxha të fuqishme brenda komunitetit të karatesë. Avni Gashi erdhi në krye të Federatës pas dorëheqjes së Ismet Krasniqit, që tani e drejton Komitetin Olimpik të Kosovës.
Pas dorëheqjes së protokolluar të enjten, zgjedhjet në Federatën e Karatesë duhet të mbahen brenda 30 ditësh.
“Në situatat kur kryetari apo bordi, apo shumica e anëtarëve të bordit dorëhiqen dhe të njëjtit nuk i kryejnë detyrat e parapara në Statut, mbledhja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor do të konvokohet 30 ditë nga dita e dorëheqjeve. Përgatitjen teknike dhe administrative të Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor e merr përsipër sekretariati i FKK-së”, shkruan në pikën gjashtë të nenit të gjashtë të Statutit të Federatës së Karatesë së Kosovës.