Sport

Deva “lë” studimet dhe Kosovën për të arritur majat në skitari

Lirika Deva ka bërë një hap të vogël para në karrierën e saj si skitare. Të enjten, Deva arriti rezultatin më të mirë ndonjëherë për Kosovën në lojërat olimpike dimërore për të rinj “Gangwon 2024”, që po mbahen në Korenë e Jugut. Por skitarja 18-vjeçare ka synime edhe më të mëdha. Për t’i realizuar synimet, Deva duhet të heqë dorë nga studimet dhe qëndrimi në Kosovë. Por ajo asnjëherë nuk do të heqë dorë nga përfaqësimi i Kosovës. E Kosovës synon t’i sjellë medalje nga ngjarjet e mëdha ndërkombëtare.

“Kurrë më e motivuar nuk kam qenë. Kam përfunduar shkollën e mesme dhe do ta kem më të lehtë nga viti i ardhshëm. Besoj se do të bëj pauzë me fakultet që të jem 100 për qind e fokusuar në skitari”, ka thënë Deva të enjten për KOHËN, pas garës së fundit në Kore të Jugut.

Babai i 18-vjeçares, Kushtrim Deva, zbulon se bashkë me Lirikën do të zhvendosen në një shtet me kushte më të mira për ushtrime. Kushtrimi është edhe trajner i saj.

“Do të bartemi diku në Evropë për të jetuar, sepse prej këtu është problem. Para një muaji kemi pasur ushtrime në Itali. Nuk kemi bërë skijim qe një muaj e që është shumë. Para garave duhet të jesh në ushtrime intensive, por ishte fundi i vitit shkollor dhe nuk mund të shkëputeshim. Besoj se do të jemi në Itali ose Austri. Ky është plani e uroj të na realizohet”, është shprehur Kushtrim Deva. “Problemi kryesor është që nuk kemi mundësi të ushtrojmë në Kosovë. Në rajon nuk kemi ku të skijojmë, pasi nuk ka qendra që i plotësojnë kushtet për ushtrime”.

Deva e mbylli në vendin e 27-të garën në disiplinën e sllallomit. Doli e 27-ta nga 79-të garuese. Pra, la prapa vetes 51 garues. Lirika pati kohën 1 minutë e 50.54 sekonda nga të dyja lëshimet. Në lëshimin e dytë ishte më e shpejtë për rreth dy sekonda.

Deva garoi edhe të martën në sllallom të madh, ku u rendit e 31-ta.

“Lirika mori edhe 118.95 pikë të FIS-it’, shkruan Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Të enjten është dashur të paraqitet edhe skitari Klos Vokshi. Por siç shkruan KOK-u, Vokshi nuk garoi për shkak të lëndimit të pësuar të mërkurën në garën e sllallomit të madh. Ky është edicioni i katërt i Lojërave Olimpike Dimërore për të Rinj. Kosova në këtë ngjarje u paraqit për herën e dytë. Debutoi në Llozanë të Zvicrës në vitin 2020. Atëbotë, Kosova u pati përfaqësuar me skitarët Era Shala dhe Drin Kokaj. Në Kore të Jugut garojnë mbi 1.800 sportistë nga 78 shtete të ndryshme, të cilët janë të moshës prej 15 deri në 18 vjet.

“Kemi mundur edhe pak më mirë, por në sportin tonë një gabim i vogël e prish rezultatin shumë. Por në këtë nivel të garave nuk është keq dhe besoj se jemi në rrugë të mirë që brenda 3-4 vjetësh nëse nuk kemi lëndime, do të jemi konkurrent”, është shprehur Deva.

Lirika Deva vlerësohet sportiste me potencial të madh. Shihet si pretendente për t’i sjellë Kosovës medalje nga ngjarjet e mëdha ndërkombëtare. Ajo me skitari ka nisur të merret në moshë të hershme. Ka mbështetjen e madhe të familjes.

“Fokusi është që të arrijmë nivelin më të lartë. Në skitari mosha kur gjinia femërore arrin formën më të mirë është rreth moshës 27-vjeçare. Kemi shumë punë përpara vetes dhe nuk jemi të brengosur me Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2026. Thjesht jemi duke u munduar të arrijmë nivelin më të mirë teknik të skijimit”, ka thënë Kushtrim Deva.

Kushtrimi ka besim se vajza e tij do të bëjë hapa edhe më të mëdha në karrierë. Synohet të arrihet kualifikimi në Lojërat Olimpike Dimërore, që do të mbahen në vitin 2026. Deva në lojërat dimërore olimpike për të rinj “Gangwon 2024” u kualifikua me normë, sikurse skitari Vokshi.