Sport

Derbi vë përballë liderin dhe përcjellësin e parë

Ndonëse deri në fund të kampionatit në Superligën e Kosovës në futboll ka edhe shumë xhiro për t’u zhvilluar, derbi i së shtunës mund t’i japë drejtim garës për titull të kampionit. Në stadiumin e qytetit në Suharekë, nga ora 13:00, luajnë dy skuadrat e para në tabelë, Ballkani e Llapi.

Ballkani ka 51 pikë, një më shumë se Llapi dhe dy më shumë se Drita e vendit të tretë. Pra, gara për titull kampioni është shumë e fortë.

Ballkani – Llapi është derbi i xhiros së 26-të të kampionatit të Kosovës në futboll.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, vlerëson se të shtunën përballë njëra-tjetrës do të jenë dy skuadrat më të organizuara aktualisht. Ai ishte i shkurtër në përgjigjen dhënë KOHËS të premten, por ishte i qartë se Llapi e kërkon fitoren për të dalë në krye të tabelës.

“Do të jetë ndeshje derbi. Dy skuadrat më të organizuara në Superligën e Kosovës do të luajnë mes vete, ndërsa detajet do ta vendosin ekipin fitues. Por, ne do ta japim më të mirën nga vetja. Pastaj të shohim çfarë do të ndodhë. Ky është futbolli dhe duhet pranuar të tri rezultatet”, ka deklaruar Batatina.

Llapi ngjitjen e madhe në tabelë e ka bërë falë serisë pozitive të rezultateve në stinorin pranveror. Ka pesë fitore, një barazim e një disfatë. Por, u eliminua nga Kupa e Kosovës. Në mesjavë llapjanët pësuan 2:1 nga Malisheva.

Ndërkohë Ballkani, që në gjysmëfinale të Kupës do ta ketë Suharekën për kundërshtare, ka pasur formë të luhatshme në stinorin pranveror të Superligës.

Ka tri fitore, dy barazime e dy disfata. Të mërkurën pësoi humbje të rëndë nga Fushë Kosova, 2:0.

Pra të dy skuadrat në derbi paraqiten pas disfatave të pësuara.

Mbrojtësi me përvojë i Ballkanit, Armend Thaqi, thotë se ndeshja me Llapin do të jetë e vështirë. Sipas Thaqit, gara për titull do të jetë e hapur deri në fund.

“Ndeshja ndaj rivalit direkt do të jetë shumë e vështirë dhe e fortë. Këto janë ndeshje që pak a shumë vendosen nga detajet. Por, janë ndeshje të cilat të afrojnë edhe më shumë drejt qëllimit. Diferenca e pikëve është shumë e vogël dhe ndeshjet direkte mund të ndikojnë në fund. Jemi përgatitur maksimalisht dhe jemi gati të japim gjithçka nga vetja për ta mbajtur pozitën e liderit. Kemi shumë ndeshje deri në fund, por çdo hap fals do të ishte një hap më larg titullit dhe jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes”, ka deklaruar Thaqi për KOHËN.

Në dy përballjet e kaluara të edicionit aktual, të dyja skuadrat kanë fituar nga një herë. Në Suharekë, Ballkani fitoi 2:1, ndërsa në ndeshjen e fundit në “Zahir Pajaziti”, Llapi triumfoi 5:3.

Të shtunën në program për t’u luajtur është edhe dueli mes Lirisë dhe Malishevës.

Ndërkohë derbi gjilanas, Drita – Gjilani luhet të dielën, bashkë me takimet Dukagjini – Feronikeli 74 dhe Fushë Kosova – Prishtina.

Superliga – 26

E shtunë (13:00)

Ballkani – Llapi

Liria – Malisheva

E diel (13:00)

Drita – Gjilani

Dukagjini – Feronikeli 74

Fushë Kosova – Prishtina


1. Ballkani 25 15 6 4 43:23 51

2. Llapi 25 15 5 5 39:20 50

3. Drita 25 15 4 6 31:14 49

4. Malisheva 25 14 2 9 41:31 44

5. Prishtina 25 8 13 4 31:22 37

6. Dukagjini 25 7 10 8 26:33 31

7. Feronikeli 74 25 7 5 13 23:36 26

8. Gjilani 25 6 7 12 22:26 25

9. Fushë Kosova 25 4 7 14 17:37 19

10. Liria 25 1 7 17 15:46 10