Sport

Derbi në Gjilan mund ta ndezë garën për titull

Ballkani lëshoi pikë në fundjavë në ndeshjen ndaj Feronikeli 74 dhe Llapi iu afrua në katër pikë. Kampioni në fuqi, Ballkani, tani luan me Dritën në Gjilan. Nëse eventualisht lëshon sërish pikë, gara për titull të kampionit do të hapej plotësisht.

Drita e Ballkani takohen të mërkurën prej orës 13:00 në derbin e madh të xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja zhvillohet në fushën me bari sintetik në Gjilan.

Ballkani është lider me 44 pikë. Llapi është i dyti me 40 pikë, ndërsa Drita e treta me 37. Skuadra suharekase lëshoi shumë pikë në pjesën finale të stinorit vjeshtor, ndërsa njëjtë veproi edhe në xhiron e kaluar.

Te Ballkani kanë pranuar peshën e madhe të ndeshjes në Gjilan.

“Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe i qasemi me seriozitetin maksimal. Kemi pasur shumë probleme me lëndime kohët e fundit dhe kjo është arsyeja pse nuk jemi shkëputur më shumë. Në ndeshjen e fundit i humbëm dy pikë në shtëpi. Pjesa e dytë e kampionatit është shumë më e ashpër dhe çdo skuadër jep maksimumin për të arritur objektivin. Ndeshjet me Dritën janë gjithnjë interesante. Në vitet e fundit e kishim konkurrentin kryesor. Do të japim maksimumin që të arrijmë rezultat pozitiv dhe ta ruajmë diferencën deri në fund, në mënyrë që titulli të mbetet në Suharekë”, ka thënë kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç.

Se Ballkani udhëton në Gjilan për fitore e thotë edhe Vesel Limaj. Sipas Limajt, “fitorja ndaj Dritës në Gjilan do të ishte shumë e rëndësishme për Ballkanin”.

Ballkani e nisi stinorin pranveror me fitoren 3:0 ndaj Lirisë në Prizren. Ndërkohë Drita humbi 1:0 fillimisht nga Llapi në Gjilan para se të fitonte po ashtu 1:0 ndaj Lirisë në Prizren. Të dy skuadrat kanë mbetur pa lojtarë të rëndësishëm dhe derbi do të shërbejë edhe për të treguar forcën e vërtetë që kanë.

“Na pret ndeshje derbi. Përballë e kemi kampionin aktual dhe natyrisht se diferenca e pikëve e favorizon Ballkanin. Ka cilësi ai ekip, por neve na takon të japim maksimumin dhe të arrijmë fitore. Me fitore do të rrinim afër Ballkanit. Ky është objektivi ynë kryesor dhe kjo do ta bënte më interesant kampionatin. Kam besim të madh te futbollistët, në kualitetin që posedojmë. Ndeshjes do t’i qasemi me seriozitetin maksimal dhe me dëshirën më të madhe për fitore”, ka thënë trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani.

Futbollisti i Dritës, Egzon Bejtullahu, ka premtuar maksimumin e të gjithë lojtarëve.

“Shpresoj që në fund të dalim me rezultat pozitiv”, ka theksuar Bejtullahu.

Të mërkurën janë edhe dy ndeshje të rëndësishme. Në Lipjan, Prishtina e pret Malishevën. Është përballje direkt për pozitën e katërt, të cilën aktualisht e mban Malisheva me 32 pikë. 30 pikë në vendin e pestë i ka Prishtina.

Feronikeli 74 e Gjilani takohen në Drenas. Skuadra nga Drenasi është e shtata me 22 pikë, ndërsa Gjilani është i teti me 20 pikë.

Të enjten janë dy ndeshje tjera të xhiros së 21-të.

Superliga – XXI

E mërkurë (13:00)

Prishtina – Malisheva

Feronikeli 74 – Gjilani

Drita – Ballkani

E enjte (13:00)

Dukagjini – Liria

Fushë Kosova – Llapi

1. Ballkani 20 44

2. Llapi 20 40

3. Drita 20 37

4. Malisheva 20 32

5. Prishtina 20 30

6. Dukagjini 20 27

7. Feronikeli 74 20 22

8. Gjilani 20 20

9. Fushë Kosova 20 11

10. Liria 20 9