Sport

Derbi i titullit

Të gjitha ndeshjet e xhiros së 31-të në Superligën e Kosovës do të zhvillohen të shtunën, në kohën e njëjtë. Mirëpo, vetëm një prej këtyre përballjeve do të ketë vëmendjen më të madhe, duke i lënë “nën hije” duelet e tjera të kësaj xhiroje që startojnë të gjitha në orën 17:00. Në qytetin e Gjilanit, do të zhvillohet dueli mes rivalëve lokalë, që njihet ndryshe si derbi më i madh në Kosovë ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, skuadra që këtë edicion po luftojnë për titullin e kampionit. Këtë herë, Drita do të jetë vendëse përballë Gjilanit. Kjo është përballja e tretë këtë edicion mes këtyre dy skuadrave dhe bilanc dukshëm më të mirë ka Drita që ka shënuar dy fitore në dy duelet e mëparshme. Mirëpo, këtë herë, në ndeshjen e tretë dhe që mund të jetë vendimtare për titullin e kampionit, Gjilani po e kërkon hakmarrjen ndaj Dritës. Drita aktualisht prin në tabelë me 65 pikë të tubuara, derisa Gjilani është i treti me katër pikë më pak kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të këtij edicioni. Të dyja skuadrat kanë pasur një ecuri të mirë prejse kanë rifilluar garat në Superligën e Kosovës në fillim të muajit qershor, pas një pauze prej gati tre muajve shkaku i përhapjes së koronavirusit. Në tetë xhiro të zhvilluara deri më tash që nga rifillimi, as Drita e as Gjilani nuk dinë për humbje. Drita ka shtatë fitore e një barazim derisa Gjilani ka regjistruar gjashtë fitore karshi dy barazimeve.

“Normalisht, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për të dyja ekipet, sepse zhvillohet në një moment ku nuk duhet të bëhen gabime, pasi çdo hap fals nuk mund më të rikuperohet për shkak se nuk ka kohë. Gjatë tërë javës kemi punuar dhe jemi përgatitur për këtë derbi që është shumë i rëndësishëm edhe për shkak të renditjes tabelare. Në fund, shpresoj që do të jemi ne ata që do t’i gëzohemi fitores pas përfundimit të ndeshjes”, ka thënë mesfushori i Gjilanit, Muhamed Useini.

Mirëpo, ka diçka që e mundon mesfushorin Useini, fakti që ky derbi do të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura. Në fakt, prejse kanë rifilluar garat në Kosovë, shikuesit nuk janë lejuar në tribuna për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit. Useini pranon se tifozët ishin ata që i jepnin ngjyrë këtij derbi për të cilin frymon qyteti i Gjilanit.

“Është mëkat i madh sepse bukuria e kësaj ndeshjeje do të ishin tifozët në tribuna që përkujdesen për një atmosferë të jashtëzakonshme”, shtoi Useini.

Megjithatë, tifogrupi “Skifterat” gjatë kësaj jave kanë qenë në pranishëm në disa stërvitje të ekipit të Gjilanit për të dëshmuar përkrahjen për futbollistët në derbin e madh. Madje, nëpër qytet tashmë janë vendosur flamujt nga të dyja tifozeritë, përfshirë këtu edhe “Intelektualët” e Dritës. Por, asnjëra prej tifozerive nuk do të jetë në gjendje që të ofrojë përkrahje për ekipin e zemrës nëpër objektet përreth stadiumit, siç ka ndodhur zakonisht në ndeshjet e mëparshme. Kjo, për faktin se Gjilani ditë më parë së bashku me disa qytete të tjera të Kosovës janë futur në karantinë pas masave të reja për luftimin dhe parandalimin e COVID-19 nga Qeveria e Kosovës. Në Gjilan tashmë edhe lëvizja është e kufizuar, kurse në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës është ndaluar grumbullimi i më shumë se pesë personave në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme.

“Si tifogrup derbin do ta përcjellim në kafene nëpërmjet projektorit, për shkak se kjo është mundësia e vetme pas masave të reja dhe paralajmërimit nga policia se nuk mund të mblidhemi të objektet apo ndërtesat përreth. Ne do të bëjmë tifo edhe në këtë mënyrë dhe do ta përkrahim Gjilanin drejt fitores, normalisht duke respektuar të gjitha rregullat që kërkohen”, ka thënë Shkëlqim Limani, kreu i tifogrupit “Skifterat”. “Zëri i ‘Skifterave’ nuk do të mungojë edhe pse tribunat do të jenë të zbrazëta. Do të jemi lojtari i 12-të i Gjilanit, në këtë ndeshje që duhet ta fitojmë”.

Një organizim të ngjashëm për ta përcjellë derbin e qytetit të Gjilanit, do ta kenë edhe tifogrupi “Intelektualët” e Dritës. Ngjashëm si klubi i Dritës që ka marrë vendim për heshtje totale, ngjashëm ka vepruar edhe tifogrupi që nuk janë prononcuar fare. Në fakt, Drita prej javës së shkuar ka marrë vendim që askush prej klubit të mos flasë për media deri në fund të edicionit, në mënyrë që të fokusohen për ndeshjet e mbetura të këtij edicioni.

“Po vjen...Të dashur qytetarë të Gjilanit , para dy vjetëve u treguam të gjithëve si pritet kampioni në qytet. Këtë vit po na vjen përsëri, në shtëpinë e vet, në qytetin e Kampionëve! Tri beteja deri në fund të luftës! Një luftë e përbashkët. Një qytet i bashkuar për një klub. Një klub për gjithë qytetin! Përpara djema, ta kthejmë në shtëpi!”, ishte postimi në “Facebook” i tifogrupit “Intelektualët” në prag të derbit me rivalin e madh të qytetit – Gjilanin.

Përballje tjetër interesante në këtë xhiro, do të zhvillohet në qytetin e Suharekës. Skuadra e Ballkanit që zë vendin e dytë në tabelë me 62 pikë – tri më pak se Drita – e pret Prishtinën që tashmë është dorëzuar në garën për titullin e kampionit. Prishtina është e katërta në tabelë me 58 pikë. Ballkanin pas Prishtinës e presin edhe dy finale të tjera, njëra me Gjilanin në udhëtim dhe tjetra me Dritën në shtëpi. Ballkani do të përballet me Prishtinën edhe në finalen e Kupës së Kosovës që zhvillohet më 29 korrik. Edhe te Ballkani është vendosur mos-prononcimi për media për t’u fokusuar në tri ndeshjet vendimtare dhe të fundit të këtij edicioni. Fakti interesant i kësaj xhiroje është se të gjitha ndeshjet do t’i kenë edhe nga dy arbitra shtesë, të cilët do të qëndrojnë prapa portave.

Superliga – XXXI

E shtunë (17:00)

Drita – Gjilani

(Arbitra: D. Çaka, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, Sh. Murtezi, S. Isufi, A. Shala)

Ballkani – Prishtina

(Arbitra: G. Shala, B. Morina, I. E. Bicaj, I. Kabashi, E. Zasella)

Flamurtari – Feronikeli

(Arbitra: M. Bejtullahu, F. Jakupi, S. Berisha, F. Jashari, B. Ajeti, I. Ceroviku)

Trepça ’89 – Llapi

(Arbitra: G. Nuza, F. Berisha, B. Selimaj, V. Kelmendi, B. Jahmurataj, A. Halilaj)

Ferizaj – Dukagjini

(Arbitra: V. Kastrati, F. Abrashi, G. Hyseni, L. Muhadri, E. Baliqi, G. Mehmeti)

Drenica – Vushtrria

(Arbitra: B. Kasumi, D. Preniqi, J. Musolli, M. Berisha, T. Maloku, A. Ejupi)

 

1. Drita 30 20 5 5 55:19 65

2. Ballkani 30 18 8 4 53:20 62

3. Gjilani 30 19 4 7 56:25 61

4. Prishtina 30 17 7 6 53:21 58

5. Feronikeli 30 13 5 12 45:35 44

6. Llapi 30 12 6 12 42:51 42

7. Flamurtari 30 11 7 12 41:52 40

8. Drenica 30 10 8 12 36:38 38

9. Trepça ’89 30 9 8 13 46:49 35

10. Ferizaj 30 9 2 19 31:60 29

11. Vushtrria 30 4 6 20 27:69 18

12. Dukagjini 30 3 4 23 21:67 13