Prishtinë, 13 dhjetor – Penalltia e fituar nga Leotrim Kryeziu në fund të ndeshjes dhe e shndërruar në gol nga Besnik Krasniqi, ka qenë vendimtare për Prishtinën, e cila e mposhti Ballkanin me rezultat 2:1, në derbin e javës së 18-të, të fundit për stinorin vjeshtor të Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshja e zhvilluar të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet u karakterizua me raste të mira shënimi nga të dyja skuadrat, por në fund tri pikë i takuan skuadrës së Prishtinës.
Fundi i pjesës së parë ishte shumë interesant. Në gjashtë minutat shtesë të kësaj pjese, të dyja ekipet shënuan nga një gol. Së pari, Otto John realizoi për epërsinë e Prishtinës, duke përfituar nga një dalje e pasigurt e portierit Armend Ruxhi, i cili nuk u kuptua si duhet me Visar Berishën.
Por Ballkani u rikthye shpejt në lojë, duke e barazuar rezultatin në 1:1 në minutën e gjashtë shtesë të pjesës së parë. Kapiteni i Ballkanit, Visar Berisha shënoi me kokë nga afërsia, pas asistimit të bukur të Armend Thaçit nga krahu i djathtë. Ishte një skemë e përgatitur nga Ballkani pas një goditje dënimi.
Në pjesën e dytë Prishtina ishte më kërkuese, ndërkaq Ballkani provonte të rrezikonte me anë të kundërsulmeve.
Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Prishtina fitoi penallti. Arbër Potoku i Ballkanit e ndali në zonë sulmuesin Leotrim Kryeziun dhe arbitri kryesor Tefik Maloku e vlerësoi si ndërhyrje të palejueshme, duke drejtuar dorën nga pika e bardhë. Nga 11 metra i saktë u tregua Besnik Krasniqi, që realizoi gol që në fund pati vlerën e tri pikëve.
Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka thënë pas ndeshjes se futbollistët e tij në fushë kanë dhënë maksimumin dhe me meritë e kanë fituar ndeshjen.
“Në pjesën e parë e patëm më të vështirë pasi që na e bëri të vështirë punën Ballkani në fillim, kurse në pjesën e dytë ndryshuam skemën duke krijuar rastet tona. Jam i kënaqur me kolektivin pasi dhamë maksimumin dhe arritëm të fitojmë kundër Ballkanit që nuk është aspak e lehtë. Penalltitë në minutat e fundit lënë gjithmonë hapësirë për trajnerët që pësojnë që të mendojnë se ndoshta nuk ishte penallti. Nga vendi ku qëndrova unë e pashë që kishte tërheqje ndaj Kryeziut në zonë”, tha Ramadani.
Për Prishtinën ishte fitorja e gjashtë në tetë ndeshjet e fundit, ku nuk di për humbje. Me 31 pikë, “bardhekaltrit” renditen në vendin e tretë.
Për penalltinë e dhënë në favor të Prishtinës, pati protesta të ashpra nga banka rezervë e Ballkanit, në krye me trajnerin Ismet Munishi.
Sipas Munishit, referimi nuk ka qenë i mirë dhe ai mendon se suharekasit janë dëmtuar.
“Referimi s’ka qenë i mirë, pasi ishte luftë në 16-metërsh, plus ishte minuta e 90-të, ishte derbi. Është koha e fundit që të ndalen këto gjëra, pasi edhe vjet e humbëm titullin kështu. Prishtina luajti mirë, pati rastet e saj, ne tonat, por kur gjyqtari vendos të bëhet protagonist kështu është”, ka thënë trajneri i Ballkanit pas ndeshjes.
Për Ballkanin ishte humbja e tretë në këtë kampionat dhe e dyta në tri ndeshjet e fundit. Me 38 pikë zë vendin e dytë me një pikë më pak se Drita, por skuadra nga Gjilani ka një ndeshje më pak të luajtur.
Drita të hënën takohet me Arbërinë në Gjilan dhe me fitore siguron titullin vjeshtor.
Fitore shumë të rëndësishme në kuadër të kësaj jave ka shënuar edhe Llapi, i cili e ka mposhtur Feronikelin me rezultat 3:2.
Golat e triumfit për llapjanët i realizuan Yll Hoxha (autogol 22’), Sava Gardasheviq (35’) dhe Arbnor Ramadani nga penalltia (61’). Ndërkaq të dy golat për Feronikelin i shënoi sulmuesi nga Maqedonia e Veriut, Marko Simonovski (42’, 76’). Tri pikë në javën e 18-të i ka arkëtuar edhe Gjilani që të shtunën e ka fituar përballjen ndaj Besës në Pejë, 2:1.
Java e fundit do të mbyllet të hënën më dy ndeshje. Pos ndeshjes mes Dritës e Arbërisë luhet edhe një takim në Mitrovicë. Trepça ’89 është nikoqire e Drenicës në stadiumin “Riza Lushta”. Të dyja ndeshjet nisin nga ora 13:00.
Ndërkohë, në fundjavë luhen dy ndeshjet e mbetura: Prishtina – Drita, Ballkani – Gjilani.
Superliga - XVIII
Prishtina – Ballkani 2:1
(Shënues: John 45+1’, B. Krasniqi 90’ p. – Berisha 45+6’)
Llapi – Feronikeli 3:2
(Shënues: Hoxha 22’ a.g., Gardasheviq 35’, Ramadani 61’ – Simonovski 42’, 76’)
Besa – Gjilani 1:2
(Shënues: Syla 77’ – Progni 2’, Nikaq 62’)
E hënë (13:00)
Drita – Arbëria
(Arbitra: V. Kastrati, S. Berisha, G. Mehmeti, S. Isufi)
Trepça ’89 – Drenica
(Arbitra: G. Nuza, F. Sekiraqa, E. Bicaj, V. Hoxha)
