Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se skuadra e tij duhet të përqendrohet në taktika dhe jo në emocione para ndeshjes derbi me Manchester Unitedin.
Ballafaqimi City – United luhet të dielën në orën 16:30 dhe i takon xhiros së 27-të të Premier Leagues.
City, që fitoi 3:0 në “Old Trafford” në muajin tetor, ka 15 pikë më shumë se Unitedi.
City zë vendin e dytë me 59 pikë, kurse Unitedi i gjashti ka 44 pikë.
Të dyja ekipet janë në formë të mirë.
City ka 18 ndeshje pa disfatë, ndërsa në vitin 2024, Unitedi e ka pësuar vetëm një humbje.
“Qytetarët” janë në kërkim të një tjetër titulli dhe u duhet fitorja në këtë ballafaqim.
City ka fituar pesë nga gjashtë titujt e fundit në Premier League.
Jack Grealish do të mungojë për këtë ndeshje të madhe, ndërsa Joshko Gvardiol është afër rikthimit nga telashet me nyjën e këmbës te Manchester City.
Sa u përket statistikave, City i ka fituar pesë nga gjashtë takimet e fundit në të gjitha garat përballë Unitedit.
Unitedi fitoren e fundit e kishte realizuar në “Old Trafford” në edicionin e kaluar, 2:1.
Statistikat e Cityt në shtëpi janë të jashtëzakonshme.
Në 35 ndeshjet e fundit në “Etihad”, City nuk ka pësuar disfatë duke fituar 30 ndeshje e duke barazuar në pesë të tjerë.
Lider i Premier Leagues është Liverpooli me një pikë më shumë se City dhe dy më shumë se Arsenali.
Liverpooli të shtunën nga ora 16:00 luan në udhëtim te Nottinghami, kurse Arsenali e mbyll xhiron e 27-të të hënën me ndeshjen në udhëtim te Sheffield Unitedi nga ora 21:00.