Skuadra e Gjilanit pretendon se ka lënë pas vetes humbjen nga Arbëria e Dobrajës, që e pësoi të martën. Për ta kompensuar tërësisht atë disfatë të papritur, te nënkampioni i Kosovës synojnë fitoren kundër kampiones, Dritës.
Derbi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës është takimi kryesor i xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në futboll dhe do të lërë nën hije të gjitha duelet e tjera që do të zhvillohen gjatë tri ditëve. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën prej orës 13:30 në stadiumin e qytetit në Gjilan.
Në fakt, si për Gjilanin, ashtu edhe Dritën, kjo mbetet përballja kryesore e sezonit. Në duelin e parë të këtij sezoni, të luajtur muajin e shkuar, nuk pati gola, por këtë herë situata pritet të jetë tjetër, kanë paralajmëruar te të dyja skuadrat.
Gjilani zë vendin e tretë në tabelë me 23 pikë, katër më pak se Drita që është e dyta dhe ka një ndeshje më pak të luajtur. Lider i Superligës mbetet Ballkani me 32 pikë të grumbulluara.
Sulmuesi i Gjilanit, Darko Nikaq, ka thënë për KOHËN se ekipi i tij është maksimalisht i përgatitur për derbin më të madh të vendit, të cilin synon ta fitojë, edhe pse ai pranon se nuk do të jetë lehtë. Gjilani me humbjen e fundit nga Arbëria i dha fund serisë prej 11 ndeshjeve rresht pa disfatë. Këtë edicion, ekipi i trajnerit Gentjan Mezani ka dy disfata të shkaktuara nga Arbëria (1:0) dhe Feronikeli (4:0).
“Përfundimisht do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, në fakt derbi më i madh i futbollit kosovar. Ne e shohim si secilin derbi që e kemi luajtur deri më tash dhe natyrisht që synimi është t’i marrim tri pikët për t’u kthyer te fitorja sa më shpejt. Ne jemi të gatshëm dhe jemi përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme, në të cilët duhet të japim maksimumin për të arritur qëllimin”, është shprehur Nikaq, duke thënë se triumfi në derbi do t’i gëzonte pamasë edhe “Skifterat”, tifozët e klubit. “Mirëpo, duhet të tregohemi të kujdesshëm për shkak se çdo derbi vendoset nga një detaj i vogël. Duhet t’i presim gabimet e kundërshtarit dhe t’i shfrytëzojmë ato për të shënuar. Në fund shpresoj që do të jemi ata që do të festojmë pas ndeshjes”.
Drita në derbin kundër Gjilanit futet pas barazimit në shtëpi me Feronikelin (1:1). Skuadra e Ardian Nuhiut këtë edicion ka vetëm një humbje, të cilën ia shkaktoi Ballkani në xhiron e shtatë. Në shtatë ndeshjet e fundit, Drita ka regjistruar pesë fitore dhe dy barazime.
Sulmuesi i Dritës, Kastriot Rexha, ka thënë se Drita synon fitoren jo vetëm për ta vazhduar formën e mirë, por edhe për t’i gëzuar tifozët “Intelektualët”, që për shkak të situatës së krijuar me koronavirusin nuk do të mund të jenë të pranishëm në tribunat e stadiumit të qytetit.
Mungesa e tifozëve ka zbehur goxha shumë derbin gjilanas. Zakonisht, paraqitja e tyre në tribuna lë në hije paraqitjen në fushë. Pa shikues, derbi as për së afërmi nuk e ka peshën e zakonshme.
“Si çdo ndeshje tjetër, edhe kjo me Gjilanin e ka rëndësinë e veçantë. Mirëpo, luajmë me rivalin e qytetit, që e bën ndeshjen edhe më interesante. Do të luajmë për tri pikët. Është një rast i mirë për ta mbajtur hapin me kreun e tabelës dhe gjithashtu kjo fitore do ta rriste edhe më shumë vetëbesimin brenda ekipit tonë. Atmosfera është shumë e mirë dhe mbi të gjitha jemi të përgatitur për këtë duel. Do të japim më të mirën nga vetja, në mënyrë që t’i gëzojmë tifozët tanë me fitore në derbi”, ka thënë Rexha.
Gjysmë ore para derbit që do të luhet në qytetin e Gjilanit, do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Feronikelit dhe Trepçës ’89 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Kjo xhiro do të hapet të shtunën me ndeshjen ndërmjet Besës së Pejës dhe Prishtinës, që zhvillohet në Brestovik, dhe do të jetë e vetmja që do të luhet këtë ditë. Kjo ndeshje nis prej orës 13:00, kurse te Prishtina kanë insistuar se për asnjë moment nuk bën të nënvlerësohet ekipi i Besës. Besa në tetë ndeshjet e fundit nuk di për fitore, kurse në tri përballjet e fundit ka pësuar humbje. Madje, në dy duelet e fundit, ekipi pejan ka pranuar nga katër gola. Besa renditet e fundit në tabelë me vetëm gjashtë pikë të mbledhura, derisa Prishtina është e katërta me 21 pikë dhe në këtë duel futet pas një serie prej tri fitoreve e një barazimi në katër ndeshjet e fundit.
“Besa e këtij edicioni, edhe pse po luan me përbërje me djem të rinj, po paraqitet mjaft mirë dhe pothuajse çdo skuadre i ka shënuar gol. Pra, ne duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm për të vazhduar me serinë pozitive të fitoreve që e kemi”, ka thënë mesfushori i Prishtinës, Behar Maliqi.
Xhiroja e 15-të e elitës së futbollit kosovar do të mbyllet të hënën, me dy ndeshje që do të zhvillohen në Suharekë e Skenderaj. Ballkani e pret në shtëpi Arbërinë, derisa Drenica do të përballet me skuadrën e Llapit, që në dy ndeshjet e fundit ka po aq humbje dhe zë vendin e parafundit në tabelë me tetë pikë të tubuara.
Superliga – XV
E shtunë
Besa – Prishtina (13:00)
(Arbitra: Sh. Murtezi, S. Berisha, H. Osmani, A. Halilaj)
E diel
Feronikeli – Trepça ’89 (13:00)
(Arbitra: V. Ibërdemaj, F. Berisha, B. Selimaj, I. Mehmeti)
Gjilani – Drita (13:30)
(Arbitra: D. Çaka, E. Bicaj, I. Kabashi, V. Hoxha)
E hënë
Ballkani – Arbëria (13:00)
(Arbitra: M. Ajeti, L. Muhadri, A. Ejupi, I. Ceroviku)
Drenica – Llapi (13:00)
(Arbitra: L. Jashari, G. Hyseni, M. Berisha, E. Zasella)
