Sport

Derbi i kryeqendrës në hije të protestave antiqeveritare në Algjeri

Ditët e derbit në kryeqendër të Algjerisë, Algiers, zakonisht janë raste feste.

Nga lagjet e klasave punëtore të Bab El Ouedit dhe Casbahut e deri te qendra e Algiersit, vendet publike janë plot me tifozë që mbajnë fanella të skuadrave MC Alger (MCA) dhe USM Alger (USMA).

Mirëpo, të enjten, derisa dy klubet rivale po përgatiteshin për derbin lokal, tifozët dukeshin më të interesuar për skenën politike sesa për fushën e futbollit.

“Unë e dua MC Algerin, kurrë nuk humbas një ndeshje”, shpjegon Abdellaoui, një shitës ambulant i shalleve të futbollit dhe flamujve në Casbah, shkruan “Al Jazeera”, transmeton “Koha Ditore”. “Por tash kjo është më e rëndësishme”, shton ai, ndërsa prek një flamur të Algjerisë.

Një konsumator ndërhyn: “Nëse vuaj vdekjen e një anëtari në familje, atëherë si mund të shkoj në dasmë të një shoku? Ne duhet të zgjidhim problemet në vendin tonë, para se të mundë të kemi argëtim në stadium”.

Që nga 22 shkurti, qindra mijëra qytetarë kanë protestuar në Algiers dhe në pjesët e tjera të vendit kundër vendimit të presidentit Abdelaziz Bouteflika për të kandiduar për mandatin e pestë në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.

Derisa presioni i publikut u rrit, Bouteflika, 82-vjeçar, më herët këtë javë u detyrua të hiqte dorë nga kandidatura, të shtynte zgjedhjet për 18 prill dhe të organizonte një konferencë nacionale për ristrukturim të kushtetutës.

Lëvizja ka dështuar të kënaqë protestuesit, që kanë vazhduar të dalin në rrugë për të kundërshtuar atë që thonë se është një tentim joligjor i qeverisë për të shtyrë liderin që të mbetet në fuqi.

Këngët e protestave

Në rrugë, skudrat MCA dhe USMA kanë qenë shumë me ndikim që t'u japin zë protestuesve, përfshirë këngën “La Casa del Mouradia”, nga tifozët e USMA-s që është adoptuar plotësisht nga algjerianët nga të gjitha sferat e jetës.

Kënga ka marrë emrin sipas serisë “La Casa de Papel” të Netflixit dhe kritikon katër mandatet e qeverisjes së Bouteflikas.

“Në mandatin e parë na mashtruan me 'pajtimin', në të dytin u bë e qartë: 'La Casa del Mouradia', në mandatin e tretë vendi vuajti për shkak të interesave personale, e në mandatin e katërt kukulla vdiq dhe problemet mbesin”, janë vargjet e këngës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)