Federata e Futbollit e Kosovës e ka publikuar orarin e ndeshjeve të xhiros së 27-të të Superligës dhe xhiros së 21-të të Ligës së Parë, Grupi A dhe B.
Derbi i kësaj xhiroje në elitën e futbollit kosovar do të luhet të dielën në Suharekë, ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës. Kjo ndeshje do të zhvillohet prej orës 15:00.
Në po të njëjtën ditë, zhvillohet edhe përballja tjetër mes Feronikelit dhe Llapit.
Ndërkohë, kjo javë do të hapet të shtunën me dy ndeshje, Arbëria – Drita dhe Drenica – Trepça ’89.
Ndërkaq dueli i fundit zhvillohet të hënën ndërmjet Gjilanit dhe Besës.
Interesante pritet të jenë edhe disa duele në Ligën e Parë, në të dyja grupet.
Istogu – Malisheva, është kryendeshja e javës së 21-të të Grupit A, takim që zhvillohet të shtunën në stadiumin “Demush Mavraj”. Në po të njëjtën ditë, A&N është nikoqire e Vëllaznimit. Ndërkaq, kjo xhiro do të hapet të premten me ndeshjen Dukagjini – Liria.
Të dielën zhvillohen edhe dy përballje të tjerë në këtë grup, Onix Banja e pret Trepçën, kurse Vushtrria përballet me Drenasin.
Derbi do të ketë edhe në Grupin B të Ligës së Parë. Flamurtari në kryeqytet e pret Ulpianën. Ky takim zhvillohet të shtunën nga ora 15:00.
Të shtunën përballen dhe 2 Korriku – Ramiz Sadiku dhe KEK-u – Vllaznia e Pozheranit.
Të dielën, Ferizaj e pret Kikën, kurse të hënën Vitia përballet me Dardanën në ndeshjen e fundit të xhiros.
Të gjitha ndeshjet në Superligë dhe në Ligën e Parë do të nisin nga ora 15:00.
