Sport

Derbi Gjilani – Drita luhet të enjten

Këtë mesjavë do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Të mërkurën zhvillohen tri ndeshje, kurse dy të tjera janë të enjten. Vëmendja do të jetë te derbi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës.

Të mërkurën Malisheva e pret Prishtinën në stadiumin “Liman Gegaj”. Malishevasit paraqiten pas disfatës së thellë nga Dukagjini, 4:0. Kurse Prishtina kërkon të reagojë pas dy barazimeve rresht në shtëpi, ndaj Trepçës ’89 dhe Gjilanit.

Ferizaj, që shkaktoi befasinë e javës së kaluar duke e mposhtur Llapin në Podujevë, e pret Trepçën ’89 e cila fitoi 1:0 ndaj Drenicës në “Riza Lushta”.

Të mërkurën luan edhe Drenica me Dukagjinin. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Ndërkaq dy duelet më interesante zhvillohen të enjten.

Gjilani, në krizë financiare, do të takohet me rivalin e qytetit, Dritën, që në xhirot e fundit nuk po kalon formë të mirë, ani pse vazhdon të mbetet në vendin e parë, por me tri ndeshje më shumë të luajtura se Ballkani. Të dy skuadrat kanë barazuar së fundi, Gjilani me Prishtinën, kurse Drita me Ballkanin.

Derbin e parë të këtij sezoni e ka fituar Drita me rezultatin e thellë 4:1.

Edhe derbi i së enjtes do të luhet pa praninë e shikuesve, për shkak të sigurisë dhe kushteve jo të mira në fushën me bari sintetik në Gjilan.

Duel interesant pritet edhe në Suharekë. Kampioni në fuqi, Ballkani, që renditet i dyti, do të jetë nikoqir i Llapit të mesit të tabelës.

Të gjitha ndeshjet zhvillohen prej orës 13:00.