Sport

Derbi gjilanas pa shkëlqimin e zakonshëm

Trajneri Akis Vavalis ka kërkuar që Drita ta shfrytëzojë formën e mirë që e shfaqi në dy ndeshjet e kaluara dhe të triumfojë në derbin e së dielës kundër Gjilanit. Drita është ende pa disfatë në këtë edicion dhe ka seri prej dy fitoreve. Gjilani ndërkohë mori pikët e plota në mesjavë, ndërsa synon të dalë i pamposhtur edhe nga derbi lokal.

Ndeshja Drita – Gjilani është vendosur të luhet të dielën nga ora 15:00 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Në Lipjan do të jenë të pranishëm tifozët e Dritës, “Intelektualët”, por nuk u është lejuar udhëtimi i “Skifterave” të Gjilanit. Zhvillimi i ndeshjes në Lipjan dhe mungesa e njërit grup të tifozëve bën që derbi më i madh në Kosovë mos ta ketë peshën e zakonshme.

Drita në derbi lokal nuk ka humbje në gjashtë ndeshjet e fundit. Këtë edicion pas gjashtë takimeve të luajtura ka të grumbulluara 12 pikë. Gjilani ka fituar shtatë pikë nga gjashtë ndeshje.

Derbi gjilanas i takon xhiros së tetë.

“Po e mbyllim një javë garuese në derbi ndaj Gjilanit. Vijmë pas dy fitoreve, por kemi një ndeshje të vështirë sepse në derbi nuk merren parasysh përgatitjet fizike apo taktike. Në ndeshje të tilla nuk duhet shumë përgatitje, por të japësh 100 apo 200%. Edhe pse kundërshtari ka pasur një ditë më shumë pushim, unë kam besim te djemtë. Kundërshtari ka bërë ndryshime dhe prurje të reja, por unë jam shumë optimist për nesër sepse të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë dhe do të japin maksimumin”, ka thënë Vavalis në konferencën për shtyp, të shtunën.

Blerim Krasniqi ishte përkrah Vavalisit në konferencë. Ai ka thënë se derbit luhen gjithmonë për t’u fituar.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne sikur gjitha ndeshjet e tjera. Duhet të marrim maksimumin nga derbi. Derbi është një ndeshje që luftohet nga të dyja ekipet, do të japim gjithçka në fushë, të bëjmë maksimumin dhe t’i marrim tri pikë”, ka thënë sulmuesi i Dritës, Krasniqi.

Gjilani fitoren e fundit në derbin ndaj Dritës e ka shënuar më 25 nëntor të vitit 2021.

Edicionin aktual e ka nisur me probleme organizative e financiare që tashmë i ka kaluar. Te Gjilani theksojnë se ekipi duhet të komponohet edhe më shumë pas ndryshimeve të shumta.

“Ndeshjet ndaj rivalit lokal gjithmonë janë të vështira, por motivi është gjithmonë i madh”, ka thënë Oltion Bilalli të shtunën për KOHËN.

Ai e ka pranuar se mungesa e “Skifterave” në tribuna do të jetë goditje e madhe për ekipin. Sipas Bilallit, tifozët janë ndihmë e madhe për skuadrën.

“Natyrisht se mos prezenca e ‘Skifterave’ është hendikep për ne, por ne do të luajmë edhe për ta dhe shpresojmë në fund të festojmë së bashku. Ky ekip është në përpunim e sipër dhe do edhe pak kohë për t'u konsoliduar. Objektivat janë të qarta dhe ne mbetemi prapa tyre”, deklaroi Bilalli.

Në gjashtë përballjet e fundit skuadrat gjilanase kanë barazuar katër herë. Dy duelet tjera i ka fituar Drita.

Të dielën nga ora 15:00 është edhe takimi mes Dukagjinit dhe Feronikeli 74.

Dukagjini vlerësohet favorit për shkak se ka seri prej pesë ndeshjeve pa disfatë. Në këtë seri ka një fitore e katër barazime.

Feronikeli ka dy fitore dhe pesë disfata.

Xhiroja e tetë e Superligës së Kosovës në futboll mbyllet me ndeshjen mes Fushë Kosovës dhe Prishtinës. Edhe ky takim luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, të hënën.