Sport

Denoncimi i “tiktokerit” që përqeshi Xhakën e Shaqirin vlerësohet i drejtë

Denoncimi që Federata e Futbollit e Zvicrës ia bëri “tiktokerit” Mirco Casorelli për racizëm po vlerësohet e drejtë në Zvicër nga një organizatë që merret me këto çështje.

“Blick” ka shkruar të hënën se Casorelli përmes videove të ndryshme ka përqeshur lojtarët dhe trajnerët e Zvicrës, përkatësisht ata që nuk e këndojnë himnin para ndeshjeve. Janë përmendur kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka dhe zëvendëskapiteni Xherdan Shaqiri.

Federata e Futbollit e Zvicrës ka vlerësuar se videot e Casorellit në rrjetet sociale shkelin rregullat anti-racizëm dhe e ka denoncuar atë.

Federata zvicerane gjykon se Casorelli ka kaluar kufirin mes satirës dhe racizmit. Të njëjtin mendim e ndajnë edhe në Komisionin Federal kundër Racizmit (EKR).

“Po, postimet e raportuara nga federata janë raciste dhe ksenofobike. Autoritetet tani duhet të qartësojnë nëse janë edhe të natyrës kriminale”, kanë thënë nga EKR për “Blick”.

Sipas kësaj organizate postimet janë fyese ndaj lojtarëve për shkak të origjinës nacionale të tyre.

“Apo tallja bëhet në mënyrë nënçmuese. Sipas mendimit tonë, përmbajtja satirike nuk është lehtësisht e dukshme”, kanë thënë nga EKR, që është komision i pavarur në Zvicër, i themeluar në vitin 1995.

Ky komision ka vlerësuar se federata helvetike ka dërguar sinjal të qartë me denoncimin që ka bërë. EKR ka vlerësuar se deklarimi në një postim se është racist nuk e bën postimin më pak racist.

“Humori nuk bën të përdoret për të shkelur dinjitetin njerëzor apo për të përhapur qëndrime poshtëruese dhe negative”, kanë thënë nga komisioni.

Policia e kantonit të Bernës, ku federata bëri denoncimin, ka nisur hetimet. Casorelli duhet të shpjegohet para policisë. Ai ka mohuar se ka bërë fyerje në baza racore përmes videove të tij. Por, nëse është kaluar kufiri do të vendosin organet e sigurisë në Zvicër.