“Ëndrra ime është që ta fitoj si senior medaljen e artë në Kampionatin Botëror”.
Kështu kishte thënë karateisti Islam Selmani pas të artës që e fitoi në Evropianin për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21, që u mbajt gjatë muajit qershor në Pragë të Çekisë.
Por, 17-vjeçari Islami nuk ishte pjesë e ekipit të Kosovës në Botërorin për të rinj të mbajtur ditë më parë në Konya të Turqisë. E arta në Çeki mund të mbetet medalja e fundit për karateistin e klubit Besa nga Obiliqi.
Ai mungoi në Botëror pasi aktualisht nuk e ka të drejtën e garimit. Më 6 tetor u dënua nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Karatesë të Kosovës (FKK). Vendimi ka mbetur në fuqi edhe pas mbledhjes së Bordit të FKK-së.
Islami është dënuar me masën përjashtim nga të gjitha aktivitetet vendore dhe ndërkombëtare për një vit.
Por, ai nuk është medalisti i vetëm evropian i dënuar nga Disiplinori i karatesë kosovare. Me 6 muaj largim nga garat është dënuar fituesi i medaljes së bronztë në Evropianin e seniorëve, Elhami Shabani.
Selmani, Shabani, si dhe Arlind Selmanaj dhe Benjamin Shabani janë dënuar pas incidentit në turneun memorial “Zahir Pajaziti”, të mbajtur më 18 shtator në Prishtinë.
KOHA ka siguruar vendimin e Komisionit Disiplinor, i cili nuk është bërë publik nga Federata e Karatesë. KOHA posedon edhe videon e momentit të incidentit në turneun “Zahir Pajaziti”.
Sipas vendimit të 6 tetorit, karateisti Arlind Selmanaj është dënuar me një vit, me arsyetimin se ka sulmuar me kokë kundërshtarin në tatami.
“Komisioni Disiplinor ka konstatuar se Islam Selmani ka bërë sjellje josportive duke u bërë pjesë e incidentit dhe duke poseduar mjet i cili është kërcënim për jetën e pjesëmarrësve në garë (mjet tehi - thikë/brisk)”, shkruan në vendim.
Komisioni vlerësoi se dënimi për Islam Selmanin është minimal.
“Komisioni në rastin e Islam Selmanit ka marrë parasysh shumë rrethana lehtësuese duke pasur parasysh edhe formën e lartë sportive si dhe rezultatet e deritashme, moshën e sportistit, sjelljet e tij të mëhershme në garat vendore dhe ndërkombëtare”.
Ndërkohë, Komisioni vlerësoi se Elhami Shabani ka qenë nxitësi i incidentit jashtë arenës.
“Vendimi i Komisionit Disiplinor bazohet në materialet e ofruara (video) ku është konstatuar që veprimet e Elhami Shabanit bien ndesh me sjelljet sportive në karate dhe është vërtetuar që i njëjti ka shkaktuar sjellje josportive duke ofenduar, fyer dhe ishte nxitës i problemit jashtë arenës-tatamit”.
Shabani, aktualisht i vlerësuar karateisti më i mirë në vend, është i befasuar me vendimin e Disiplinorit, të vërtetuar nga Bordi i Federatës.
“Jam i vetmi fitues i medaljes së artë nga meshkujt dhe nga kjo medalje e fituar me djersë, mund e gjak, ka përfituar edhe Federata. Flamuri i Kosovës është ngritur lart falë medaljes që unë e kam fituar dhe për një incident të vogël, e që është hera e parë, nuk kanë mundur të më japin vërejtje apo qortim, por kanë shkuar direkt me dënim 6 muaj. Jam i befasuar. Unë jam medalisti i vetëm aktiv për momentin në kategorinë e seniorëve, me medalje evropiane që ka Kosova. Asnjë sport tjetër nuk ka medalistë në kategorinë e seniorëve dhe pritet që epitetin e më të mirit nga KOK-u ta fitoj unë. Uroj që ky dënim të mos ketë ndikim në përzgjedhjen e KOK-ut në fund të vitit, sepse disiplina ka qenë maksimale nga ana ime gjatë gjithë karrierës”, ka thënë Shabani për KOHËN.
Elhami Shabani ka qenë në cilësinë e trajnerit në garën ku ndodhi incidenti. Vëllain e tij, Benjaminin, Komisioni Disiplinor e ka dënuar me tre muaj largim nga garat me arsyetimin se “i është afruar fizikisht trajnerit Isak Curri dhe i ka qëndruar në afërsi, kërcënim në rast të fillimit të ndonjë incidenti fizik”.
Nga procedura disiplinore janë liruar Isak Curri, Granit Gykolli e Shpresim Shabani. Për Qendrim Halimin, që po ashtu ngarkohet për posedim të thikës, janë kërkuar prova të reja nga iniciuesi i procedurës.
Selmani e pranon se ka poseduar “brisk”
KOHA ka siguruar edhe deklaratën e Islam Selmanit e po ashtu të klubit Besa nga Obiliqi. Karateisti me potencial pranon se ka poseduar “brisk” të vogël.
“Unë personalisht kërkoj ndjesë që kam poseduar një brisk të vogël, që me ligjet e Kosovës lejohet të mbahet. Por kurrsesi nuk është dashur që në ato momente të ishte në dorën time. Prandaj jam i fajshëm qe kam poseduar atë ditë me vete”, shkruan në deklaratën e Selmanit. “Unë dhe shokët e ekipit kemi qenë së bashku duke shikuar luftën në mes të Arlind Selmanajt dhe Shpresim Shabanit, ku nga aty filloi gjithçka. Unë personalisht dhe shokët e mi, që ishim shumica kadetë dhe juniorë, jemi sulmuar nga seniorët e Gjilanit, të pa provokuar nga ne. Por unë personalisht nuk kam pasur asnjë fjalim me askënd, pos që briskun e kam pasur në dorë dhe njëri nga sigurimi më ka vërejtur briskun e vogël në dorë dhe më është vërsulur dukë dëshiruar të ma marrë nga dora. Gjithçka ka ndodhur mes meje dhe sigurimit për të më marrë briskun dhe në asnjë mënyrë nuk kam pasur qëllim sulmi ndaj askujt tjetër. Të them te vërtetën, kemi qenë të frikësuar nga ai presion i menjëhershëm në drejtimin tonë”.
Karateisti i ri, Islami, në letrën drejtuar Disiplinorit thotë se i vjen keq që ka prishur punën shumëvjeçare të klubit dhe trajnerit Isak Curri, ndërsa premton se nuk do të mbajë asnjëherë brisk në aktivitete sportive.
Trajneri i Islamit, Isak Curri, ka thënë se karateisti pas vërtetimit të vendimit nga Bordi, nuk është paraqitur më në stërvitje.
“Dy sportistët e mi janë dënuar me nga një vit mospjesëmarrje në aktivitetet vendore dhe ndërkombëtare. Jemi dëmtuar si sportistë dhe trajnerë, si klub dhe federatë. Është dashur një vërejtje e fundit me shkrim ose një dënim me kusht. Por, me të kuptuar që Islami ka poseduar thikë, menjëherë u hap rast, jemi pezulluar dhe kemi shkuar në Disiplinor. Kemi bërë ankesë në Bord. Gjashtë anëtarë të bordit kanë qenë pro dënimit, ndërsa kundër pesë dhe një abstenim”, ka thënë Curri për KOHËN.
Ai e quan hakmarrje vendimin e Bordit.
“Jam i zhgënjyer me këtë hakmarrje dhe keqpërdorim të pozitave. Kam investuar 11 vjet në ta. Këta e dënuan dhe ai ka vendosur ta lë karatenë. Islami fillimisht ka thënë se do të vazhdoj por kur Bordi vendosi që të mbetet në fuqi vendimi i Komisionit Disiplinor, më nuk ka ardhur në ushtrime. Islami para dy vjetësh nuk u fut në listë për Evropianin e vitit 2021 edhe pse ka qenë kampion shtetëror. Në vitin 2022 u fut dhe u bë kampion i Evropës”, është shprehur Curri që më herët ka qenë edhe selektor i Kosovës.
FKK-ja e vendosur të mos i ulë dënimet
Anulim të vendimit pati kërkuar edhe Arlind Selmanaj, që po ashtu është pjesë e klubit nga Obiliqi. Bordit në emër të Selmanajt i është drejtuar klubi.
“Kërkojmë nga ju që ta keni parasysh që vendimet duhet të jenë të paanshme dhe të drejta, pasi kundërshtari i Arlindit, që ishte Shpresim Shabani, nuk është dënuar, përkundër sjelljes josportive gjatë duelit. Ai kishte qëllim lëndimin dhe jo poentimin. Provokimet e vazhdueshme gjatë tërë duelit që kishte sportisti jonë nga Shpresimi, dhe kjo dëshmohet edhe me video. Prandaj kërkojmë që dënimi i Arlindit te jetë shumë më i butë, pasi mendojmë se inicues i provokimit ka qenë Shpresimi dhe garuesi jonë ka rënë në këto provokime, duke e afruar kokën në drejtim te Shpresimit e që nuk e ka goditur”, thuhet në ankesën e klubit.
Sekretari i përgjithshëm i FKK-së, Nazmi Gashi, ka thënë se medaljet nuk janë dënuar, por sjelljet e sportistëve.
“Pas një zënke verbale mes klubeve, të dy karateistët tanë medalistë evropianë kanë rënë ndesh me rregulloren disiplinore të FKK-së dhe të dy janë dënuar për sjellje josportive, Islam Selmani një vit dhe Elhami Shabani 6 muaj. Po ashtu, janë edhe dy sportistë të tjerë, njëri me një vit e tjetri me tre muaj. Nuk dënohen medaljet dhe fituesit e medaljeve, por sjelljet e sportistëve dhe në këtë drejtim nga KD ka zero tolerancë. Vetë fakti që janë dënuar dy medalistë evropianë tregon gjithçka. Ka pasur ankesa nga individët në Bord, cili organ ka mbajtur në fuqi vendimin e Komisionit Disiplinor”, ka thënë Gashi.