Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë masa lidhur me incidentet e rënda në nivelet më të ulëta të futbollit kosovar. Incidentet e fundjavës së kaluar u vlerësuan goditje e madhe për futbollin kosovar.
Derisa në Superligë brenga kryesore është kurdisja e rezultateve, në ligat e niveleve më të ulëta dhuna vazhdon të jetë prezentë. Fundjavën e kaluar janë regjistruar disa incidente të rënda.
Një incident i rëndë ndodhi në ndeshjen e Minatorit të Magurës me Beharin e Vitomiricës. Ndeshja e Ligës së Dytë (niveli i tretë), nuk gjeti fundin për shkak të dhunës, përkatësisht sulmit ndaj arbitrit.
Disiplinori të premten e ka përjashtuar për dy vjet nga futbolli lojtarin e Minatorit, Arbër Bylykbashi, për “sulm fizik ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Granit Pacolli”.
Një vit larg futbollit është dënuar të qëndrojë Gazmend Zeqa, përfaqësues zyrtar i Vjosës së Shtimes. Ai në ndeshjen ne Fushë Kosovën e ka tërhequr ekipin nga fusha, në shenjë pakënaqësie.
Arianit Bytyqi i Minatorit është dënuar me gjashtë ndeshje moslojë, ndërsa për numër të njëjtë ndeshjes është suspenduar Edmond Hazrollaj, trajner i Minatorit.
Nuk kanë shpëtuar as arbitrat. Për shkelje esenciale të rregullave të lojës, që quan në ndërprerje të ndeshjes, arbitri i takimit Fushë Kosova – Vjosa, Patriot Fazliu, nuk do të drejtojë ndeshje në gjashtë muajt e ardhshëm.
Për gjashtë muaj është suspenduar edhe përfaqësuesi i Fushë Kosovës, Rines Gjurevci.
Lista e të dënuarve është goxha e gjatë.
Për lëshim në organizim, Ferizaj i Ligës së Parë është dënuar me zhvillimin e dy ndeshjeve si vendas në fushë tjetër. Ka pasur një incident të rëndë në ndeshjen Ferizaj – Ulpiana.
Sipas Disiplinorit, “në minutën e 93-të derisa po i jepej ndihma një lojtari të lënduar të Ferizajt, një person i pa autorizuar ka hyrë në fushë dhe nga prapa e ka goditur me grusht arbitrin kryesor të ndeshjes, duke e paaftësuar për vazhdimin e takimit”.
Dy ndeshje larg fushës së vet do t’i luajë edhe Fushë Kosova.
Dënime janë ndarë edhe për Vushtrrinë, Bekim Pantinan e këtij klubi, drejtorin e Gjilanit, Sevdail Robelli dhe kryetrajnerin e Arbërisë, Arbnor Morina.