Një seri e nisur në vitin 2013 nuk është ndalur deri më tani. Nuk pritet të ndalet as këtë vit, e me shumë gjasa do të vazhdojë gjatë.
Seria nisi në Budapest të Hungarisë. Vazhdoi në Montpellier, Baku, Kazan, Varshavë, Tel Aviv, Minsk, Pragë, Lisbonë, Sofje.
Nisi me Majlinda Kelmendin. Vazhdoi me Nora Gjakovën, Distria Krasniqin, Loriana Kukën, Akil Gjakovën e Laura Fazliun. Nxënësit e kryemjeshtrit Driton Kuka kanë fituar 19 medalje në Kampionatet Evropiane për seniorë deri më tani. E 20-ta, e me shumë mundësi edhe e 21-ta, 22-ta.... priten këtë javë. Sërish më Montpellier të Francës ku Majlinda Kelmendi fitoi të artën evropiane në vitin 2014. Ishte e arta e parë kontinentale për Kosovën.

Shifra prej 19 medaljeve është e veçantë. Edhe më e veçantë është ecuria me medaljeve që tashmë ka një dekadë e që me shumë mundësi do të arrijë vitin e njëmbëdhjetë këtë javë në Francë.
Evropiani për seniorë mbahet prej 3 deri më 5 nëntor. Në ngjarjen kryesore kontinentale do të jenë Nora, Distria, Akili, Loriana, Laura. Të gjithë janë kandidatë të fortë për medalje. Do të jetë edhe Flaka Loxha.

“Dhjetë vjet me medalje evropiane. Statistikë e veçantë. Shpresoj që kjo të vazhdojë edhe sivjet”, thotë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Ai nuk preferon të flasë para garave të rëndësishme si Evropiani. Aq më pak xhudistët. Për ta “flet” paraqitja në tatami.
“Kthehemi në Montpellier ku në vitin 2014 fituam të artën e parë evropiane në xhudo dhe titullin e parë evropian për shtetin tonë. Është një kujtim i bukur. Shpresoj që edhe këtë herë të kthehemi me kujtime të bukura dhe me medalje”, ka shtuar Kuka.

Ai është më meritori për 19 medaljet e deritashme të Kosovës, që do të bëhen 20, 21, 22... Me shumë mundësi këtë javë në Montpellier të Francës, shtet ku vitin e ardhshëm mbahen Lojërat Olimpike.
“Shifër që më bën krenar si trajner. Ndjenjë e bukur ta dëgjosh këtë numër”, thotë Toni Kuka, njëri prej trajnerëve më të mirë në botë.
Majlinda ka katër tituj të Evropës dhe medaljen e bronztë të vitit 2013. Ajo medalje theu një barrierë të madhe. Majlinda tashmë është trajnere në shtabin teknik të Driton Kukës.

Nora ka një medalje të artë evropiane, një të argjendtë dhe katër të bronzta. Vetëm pandemia kishte ndërprerë serinë e saj të hatashme.
Distria ka një të artë, një të argjendtë e dy të bronzta. Loriana ka dy të bronzta. Akili fitoi të artën në vitin 2021. Laura vjet ishte nënkampione.
Gara e fortë në tatami do të tregojë se cili prej këtyre xhudistëve do të fitoj tjetër medalje kontinentale. Apo ndoshta të gjithë këta.
“Është me rëndësi të paraqitemi mirë. Çdo gjë e kemi punuar si duhet dhe jemi në formë të mirë”, thotë Kuka.
Vlerësimi i tij për punë të mirë mund të përkthehet lehtë në një lloj garancie për sukses, ndonëse në sport asnjëherë e asgjë nuk është e garantuar. Por puna e Tonit deri më tani, ishte garanci për sukses. Kështu pritet të jetë në Montpellier dhe në Evropianët e ardhshëm po ashtu.
