Sport

Dekada e medaljeve evropiane

Për dhjetë vjet xhudistët kosovarë i kanë fituar plot 19 medalje në Kampionatet Evropiane për seniorë. Medalje janë fituar çdo vit rresht në ngjarjen kryesore kontinentale. Shtatë prej këtyre medaljeve janë të arta. Suksesi më i madh u arrit vjet kur Kosova ishte vendi më i suksesshëm në Evropian me dy të arta e një të bronztë

Për disa vjet Majlinda Kelmendi po fitonte medalje në garat e mëdha të xhudos. Ishte e suksesshme në garat Grand Prix e Grand Slam e më së shumti në kupat botërore. Por nuk po zinte vend në podium në kampionatet zyrtare, Evropianë e Botërorë. Para saj e trajnerit Driton Kuka ishte një barrierë. Aq e madhe dukej atëbotë sa trajneri Kuka kishte dilemat e tij nëse ishte i denjë që një xhudiste me potencial të madh ta shndërronte në fituese të ngjarjeve të mëdha.

Barriera e madhe u kalua në Budapest të Hungarisë, më 25 prill të vitit 2013.

Ishte Kampionati Evropian për Seniorë. Dhe Majlinda zuri vend në podium. Në shkallën më të ulët të tij, si fituese e medaljes së bronztë. Nëse shikohet karriera e Majlindës, ajo medalje nuk ishte kushedi se çfarë suksesi. Por nëse shikohet ecuria në karrierë e Majlindës, ajo medalje ishte pika e kthesës.

Ishte pikë kthese për Majlindën, për trajnerin Kuka, për xhudon kosovare dhe për sportin kosovar në përgjithësi. Ishte suksesi më i madh deri atëherë i sportit të Kosovës dhe fillimi i një ecurie të jashtëzakonshme.

Majlinda tashmë e ka përfunduar karrierën si xhudiste, ndërsa mund të mburret me medaljen e artë olimpike, titujt e botës dhe shumë tituj të Evropës, ndër të tjera.

Ajo e bronztë në Budapest po ashtu shënoi fillimin e një serie të jashtëzakonshme të xhudistëve kosovarë. Për dhjetë vjet rresht nxënësit e Driton Kukës kanë fituar medalje në ngjarjen më të madhe kontinentale, Kampionatin Evropian. Dekada shumë e suksesshme u kompletua të premten e të shtunën kur Distria Krasniqi e Laura Fazliu fituan medalje në Evropianin 2022, që u mbajt në Sofje të Bullgarisë. Distria të premten fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa Laura të shtunën fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 63 kilogramë. Laura në këndin e trajnerit e kishte pikërisht Majlindën. Ajo tashmë është në shtabin teknik të Driton Kukës.

Një dekadë më parë Kuka e Majlinda ishin të përkushtuar për një medalje në kampionatet zyrtare. Pas një ecurie të mirë pas Lojërave Olimpike “Londra 2012” kishte shpresa për Evropianin në Budapest.

Majlinda nisi mirë, me fitore ndaj polakes Zuzanna Pawlikowska. Në çerekfinale u shokua nga italiania Odette Giuffrida, atëherë plotësisht e panjohur. Por e kishte rastin e dytë përmes repesazhit. Fillimisht e mposhti hungarezen Barbara Maros e në luftën vendimtare për të bronztën gjermanen Mareen Kraeh. Festa e saj pasi siguroi të bronztën ishte shumë emocionale. Ndoshta e njëjtë me festën pas të artës në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

Image
Majlinda Kelmendi feston pas medaljes së bronztë në Evropianin 2013

Barriera e kaluar

Majlinda ishte e para në ranglistën botërore atëbotë dhe bartësja e parë në Evropian.

“Nuk e di çka ndodhi që e humba luftën me italianen. Isha duke udhëhequr, por një moment pakujdesie më kushtoi me humbje. E tëra ndodhi 15 sekonda para fundit, kur tashmë e kisha në dorë fitoren. Por ia dola të kaloja këtë shok dhe me dy fitore arrita te medalja e bronztë, që natyrisht është sukses i madh”, kishte thënë Majlinda Kelmendi për “Kohën Ditore”, me të përfunduar garën në Budapest.

“Unë jam e para në ranglistën botërore, por nuk kisha medalje të fituara në garat më të forta si kampionatet botërore, evropiane dhe Lojërat Olimpike. Më ishte krijuar një lloj barriere drejt suksesit në këto gara. Kjo barrierë me medaljen e fituar sot nuk ekziston më”, ishte e bindur Majlinda.

Dhe ashtu doli. Ajo rreshtoi sukseset, duke përfshirë dy tituj të botës, të artën olimpike...

Sa u takon Evropianëve, Majlinda ka pesë medalje, prej tyre katër të arta. E artë ishte në Montpellier në vitin 2014, në Kazan në vitin 2016, në Varshavë në vitin 2017 dhe në Minsk në vitin 2019. Në Minsk, Evropiani i xhudos u zhvillua në kuadër të Lojërave Evropiane. Pra, për një garë ajo mori dy të arta. Në shumë Evropianë, Majlinda ka munguar për shkak të lëndimeve. Gjitha sukseset ajo i ka në kategorinë deri 52 kg.

Image
Nora Gjakova ishte e treta në Lojërat Evropiane “Baku 2015”

Seria e veçantë e Norës

Nora Gjakova po ashtu ka suksese kulmore në xhudo. Të artën olimpike e fitoi në Tokio, vitin e kaluar. Nora mund të mburret edhe me faktin që fitoi medaljen e parë të Kosovës në një ngjarje të rëndësishme shumësportëshe. Bëhet fjalë për Lojërat Evropiane të mbajtura në Baku në vitin 2015. Në atë ngjarje shumësportëshe Nora e fitoi të bronztën në kategorinë deri 57 kg. Ishte moment historik për sportin e Kosovës. Medalja e Norës ishte e vetmja për Kosovën në ngjarjen e mbajtur në qershor të vitit 2015, ndonëse Kosova mori pjesë me shumë sportistë.

Nora nuk iu ka ndarë më podiumit në Kampionate Evropiane. Të bronztën e fitoi edhe në vitin 2016 në Kazan dhe në vitin 2017, në Varshavë. Në Tel-Aviv, në vitin 2018, u shpall kampione evropiane. Në Minsk, në Lojërat Evropiane, që shërbyen edhe si Evropian i xhudos, fitoi medaljen e argjendtë. Në vitin 2020 nuk u paraqit në Evropian pasi pak para udhëtimit doli pozitiv në testin për koronavirus. Kështu seria e saj e jashtëzakonshme u ndërpre për të vazhduar vitin e kaluar, kur fitoi sërish të bronztën në Evropianin, në Lisbonë.

Medaljet e të tjerëve

Distria Krasniqi, tjetra kampione olimpike, medaljen e parë evropiane e ka fituar në vitin 2018. U rendit e dyta në kategorinë deri 52 kg. Në vitin 2020 fitoi medalje të bronztë evropiane, kurse vitin e kaluar ishte kampione kontinentale në kategorinë deri 48 kg. Sivjet vazhdoi me medalje të bronztë.

Akil Gjakova në Evropianin e këtij viti u ndal në luftën e parë. Kështu nuk ia doli të mbronte titullin e kampionit që e fitoi vjet në kategorinë deri 73 kilogramë. Paraqitja e Akilit në Lisbonë në prillin e vitit të kaluar ishte impresive. Dhe ia siguroi majën e podiumit. Për të është medalja e vetme evropiane deri më tani.

Loriana Kuka i ka dy medalje të bronzta evropiane në kategorinë deri 78 kilogramë. Të parën e fitoi në Minsk, në vitin 2019. Tjetrën e fitoi në Pragë në vitin 2020. Vjet ishte e pesta, ndërsa sivjet mungoi për shkak të një lëndimi. Në Sofje, javën e kaluar, mungoi edhe Nora Gjakova, po ashtu e lënduar.

Në grupin e kampionëve të mëdhenj të shtunën bëri vend edhe Laura Fazliu. Ajo fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 63 kilogramë. Fitoi katër luftëra në mënyrë impresive para se të ndalej në finale. Ndër të tjera, e mposhti bartësen e parë. Laura është 21-vjeçare dhe i parashikohet karrierë e madhe.

“Fillimi i vitit nuk ishte si e kam planifikuar. Kam pasur humbje në dy garat e para të vitit. Ato humbje më kanë bërë që të reflektoj. Pas atyre humbjeve e kam ditur se në çka duhet të fokusohem më shumë dhe çka të përmirësoj. Ia kam vendosur vetes qëllimin që të përgatitem për Kampionat Evropian. Me paraqitjen në Evropian jam shumë e kënaqur. Është rezultati më i mirë në karrierën time të deritashme”, ka thënë Laura për KOHËN.

Trajneri Driton Kuka e ka quajtur kolose të xhudos Laurën.

“Të dëgjosh këso fjale nga trajneri më i mirë në botë është diçka shumë e veçantë. Fjalët e Tonit janë të rëndësishme për mua. Më motivojnë që të punoj fort drejt sukseseve të reja”, thotë Laura.

Gjithsej në Evropianët për seniorë Kosova i ka deri më tani 7 medalje të arta, tri të argjendta e nëntë të bronzta. Pra, 19 në total. Jo pak.

Të tjera priten në vitet e ardhshme. Me Laurën suksesin kulmor e kanë nisur xhudistet e gjeneratës së re. Por edhe shumë pritet nga Nora, Distria, Akili e Loriana. Puna e kryemjeshtrit Kuka është garanci.