Lindon Emërllahu i Ballkanit është ndër futbollistët më të rinj të Kosovës që kanë debutuar në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. 19-vjeçari luajti titullar në dy ndeshjet e rrethit të parë kualifikues të Championsit kundër Zhalgirisit. Madje ishte ndër më të dalluarit në fushë te skuadra nga Suhareka.
Ballkani u eliminua me rezultat të përgjithshëm, 2:1.
Emërllahu “e pa dritën” te Ballkani vetëm pas ardhjes së trajnerit Ilir Daja. Trajneri tiranas, Daja, e mori drejtimin e Ballkanit në janar. Ia doli ta fitojë titullin e kampionit me suharekasit dhe kështu siguroi paraqitjen në Ligën e Kampionëve.
Emërllahu ka thënë për KOHËN se me ardhjen e trajnerit Daja, gjërat për të kanë ndryshuar për të mirë.
Ai shtoi se trajnerët e tjerë nuk i kanë dhënë rast të luajë në ekipin e parë. Tregon se rasti iu dha pas lëndimeve të Kushtrim Gashit dhe Edvin Kuçit, lëndime që Emërllahu nuk do t’ua dëshironte.
“Sigurimi i vendit në ekip të parë nuk ka qenë fare i lehtë pasi që e dimë që konkurrenca është e madhe te Ballkani. Por, me punë dhe përkushtim, e edhe pas disa lëndimeve të Gashit dhe Kuçit, më erdhi mundësia që të jem në ekip të parë që e kisha pritur disa kohë. Normalisht pastaj gjërat shkuan më së miri. Ka pasur edhe trajnerë të tjerë para ardhjes së profesor Ilirit dhe nuk më kishin dhënë hapësirë. Me ardhjen e profesorit, gjërat ndryshuan shumë”, u shpreh Emërllahu, të dielën.
Për debutimin në raundin e parë kualifikues të garës elitare për klube në Evropë, mesfushori defanziv thotë se e kishte ëndërruar, por nuk e kishte pritur që të ndodhë kaq shpejt.
“Nuk e kam besuar aspak. Unë e kisha ëndërr që të luaj një ditë në Champions, por që vjen dita kaq shpejt, nuk e kam besuar as vet. Debutimi im në Champins ka shkuar shumë mirë, pa marr parasysh emocionet që kisha para dhe gjatë ndeshjes. Ishte diçka e veçantë për mua dhe nuk do ta harrojë kurrë”, deklaroi Emërllahu.
“Meritat më të mëdha i ka familja e cila më ka qëndruar afër çdoherë. Pastaj edhe klubi i Ballkanit që më ka qëndruar afër për çdo gjë”.
Pas eliminimit në raundin e parë të Ligës së Kampionëve, Ballkani garat do t’i vazhdojë në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Të martën, kampioni i Kosovës do të jetë mysafir i La Fioritas së San Marinos.
Emërllahu kërkon që ekipi të ketë kokën lart dhe të japë më të mirën për të fituar dhe për të kaluar në raundin e tretë të kësaj gare.
“Kundërshtarin që e kemi në Ligën e Konferencës nuk duhet nënvlerësuar. Ne duhet të hyjmë me seriozitet dhe të fokusuar për ta fituar ndeshjen. Kemi ekip cilësor dhe besoj që së bashku mund t’ia dalim”, tha ai.
Pas paraqitjeve të mira me Ballkanin në kampionatin e Kosovës ku edhe e fitoi titullin e kampionit, Emërllahu mori edhe ftesën e Kosovës U19. Me të rinjtë fitoi turneun “Roma Caput Mundi” në Itali.
Ai kishte pritur edhe ftesën e Kosovës U21.
“Kam marrë ftesë nga Kosova U19, ku e fituan edhe turneun që u mbajt në Itali. Kam pritur ftesë nga Kosova U21, por ja që si duket nuk kishte vend për mua”, përfundoi futbollisti nga Suhareka.
Lindon Emërllahu është futbollist i akademisë së Ballkanit. Vlerësohet e ardhmja e klubit.