Sport

Debutimi i papritur i Blendi Idrizit në Bundesligën gjermane

Pasi më 8 maj shënoi një gol dhe bëri tri asistime në një fitore të thellë të ekipit të dytë të Schalkes në kategorinë e katërt gjermane, dyer të mëdha u hapën për futbollistin kosovar, Blendi Idrizi. 23-vjeçari u vendos në hotel me ekipin e parë të klubit të famshëm gjerman dhe nisi stërvitjet me seniorët. Rrethana të tjera shkuan në favor të mesfushorit ofanziv dhe Idrizi të mërkurën mbrëma fitoi debutimin në Bundesligë, njërën prej top-ligave evropiane të futbollit.

Idrizi startoi te Schalke 04, që pësoi 2:1 në shtëpi nga Hertha Berlini, në kuadër të xhiros së 31-të të kampionatit gjerman. Schalke shumë më herët ka humbur gjasat për të mbetur në Bundesligë. Por kjo nuk ul vlerën e rritjes së kosovarit. Schalke mbetet prej klubeve të mëdha gjermane, ndonëse do të luajë në Bundesliga 2 edicionin tjetër.

Schalke kaloi herët në epërsi, por Hertha barazoi në mesin e pjesës së parë dhe realizoi golin e fitores në mesin e pjesës së dytë. Në minutën e 77-të Idrizi la vendin në fushë për Steven Skrzybski.

“Jemi 23-24 lojtarë në hotel. Të martën kemi pasur ushtrime, ndërsa njëri lojtar doli pozitiv për koronavirus. Ata që ishin në kontakt me lojtarin u detyruan të izolohen dhe kështu unë isha në kombinim, u krijua mundësia. Dhe trajneri më njoftoi që do të startoja. Pasi ishte loja e parë për mua në Bundesligë, isha pak nervoz. Por si lojë e parë që ishte, shkoi mirë. Kemi mundur të barazojmë në 2:2, sikur të shënonte Shkodran Mustafi. Po ashtu kemi goditur dy herë shtyllën. Pra na ka munguar fati. Edhe trajneri ka thënë se si ndeshje e parë ishte e mirë për mua”, ka thënë Idrizi të enjten për KOHËN. Ai pati një gjuajtje të mirë në pjesën e dytë.

Idrizi ka treguar se skuadrat janë të vendosura në hotele, pasi Bundesliga është e vendosur që ta përfundojë me kohë edicionin. Për të kufizuar mundësinë e infektimit, skuadrat po qëndrojnë së bashku.

“Kanë mbetur edhe dy ndeshje dhe shpresoj që ta fitoj rastin sërish. Por debutimi në Bundesligë është realizim i ëndrrës për mua. Kontratë kam deri në qershor, kurse për të ardhmen nuk ka ndonjë vendim. Unë jam i fokusuar që të punoj maksimalisht në stërvitje. Për gjërat e tjera merret menaxheri. Natyrisht do të ishte gjë e madhe nëse mbetem te Schalke, tek ekipi i parë. Schalke është klub shumë i madh, ndonëse do të luaj në Bundesliga 2. Do të ishte hap i madh dhe i rëndësishëm”, ka thënë Idrizi.

Në kategorinë e katërt gjermane për ekipin e dytë të Schalkes, Idrizi ka 31 paraqitje këtë edicion, gjashtë gola e gjashtë asistime. Ai është nga Gjilani, ndërsa në Gjermani jeton nga mosha 12-vjeçare.

Blendi në janar të vitit të kaluar kishte kaluar nga Fortuna Koelni tek ekipi i dytë i Schalkes. Ka qenë pjesë edhe e Alemannia Aachenit dhe disa skuadrave më të vogla gjermane.

Ndërkohë i ka tri paraqitje me Kosovën U21. Kishte debutuar ndaj Shqipërisë më 15 tetor të vitit 2019, ndërsa luajti ndaj Shqipërisë dhe Turqisë në nëntor të vitit të kaluar. Të tria ndeshjet ishin kualifikuese, por për Idrizin nuk kishte shumë minuta.

Debutimi në Bundesligë natyrisht rrit aspiratat e tij që një ditë të fitojë vendin te Kosova A.

“Sa herë që jam ftuar e kam luajtur për Kosovën, kam ndier krenari. Nuk kam luajtur shumë, por të gjitha momentet ishin momente krenarie. Synimi im natyrisht është që një ditë të luaj për Kosovën A. Shumë do të varet prej meje se si do të zhvillohet karriera ime. Por përfundimisht fanella e Kosovës është synimi im”, ka thënë Blendi Idrizi.