Tifozët e Shqipërisë nuk janë të kënaqur me përzgjedhësin aktual, italianin Edoardo Reja. Ai nuk pritet të mbetet edhe për shumë kohë në krye të kuqezinjve.
Reja me Shqipërinë e mbylli edhe një cikël kualifikimesh mes shumë kritikave. Në Grupin 2, të Ligës B, të Ligës së Kombeve, Shqipëria doli e treta me vetëm dy pikë të mbledhura. Përfundoi prapa Izraelit që fitoi grupin me tetë pikë dhe Islandës që pati katër pikë. Rusia u pezullua nga UEFA dhe nuk garoi. U vlerësua cikël i dështuar i kuqezinjve pasi kishte optimizëm për ta fituar grupin dhe siguruar promovimin në Ligën A.
Shqipëria pritet së shpejti ta zëvendësojë italianin Reja. Dhe prapë mund të vazhdojë me trajner italian. Gianni de Biasi është emri më i përfolur i momentit.
De Biasi në një përgjigje të shkurtër për KOHËN të mërkurën nuk e ka mohuar një rikthim eventual te Shqipëria, me të cilën shkroi historinë duke u kualifikuar në Kampionatin Evropian të vitit 2016. De Biasit në fund të këtij muaji e përfundon kontratën dyvjeçare me Përfaqësuesen e Azerbajxhanit.
Azerbajxhani garoi në Grupin 3 të Ligës C dhe doli i dyti. Pati tri pikë më pak se Kazakistani, kurse la prapa Sllovakinë dhe Bjellorusinë.
“Kam kontratë me Azerbajxhanin deri më 30 shtator dhe më pas do t’i shqyrtoj të gjitha ofertat që do t’i kem përpara. Lërini spekulimet! Shumicën e kohës janë si era. Në botën mediatike 95 për qind të fjalëve janë gënjeshtra”, ka thënë De Biasi.
De Biasi vlerësohet lart në Shqipëri për arritjen e vitit 2016. Ai kualifikoi Shqipërinë për herë të parë në një turne të madh. Madje arriti të shënonte edhe një fitore kundër Rumanisë. Shqipëria ishte mposhtur nga Franca e Zvicra në fazën e grupeve, por paraqitjet u vlerësuan pozitivisht.
Shqipëria ka regjistruar dy barazime e dy disfata në Ligën e Kombeve. Fitore nuk ka shënuar as në ndeshjet miqësore të zhvilluara këtë vit. Deri në fund të këtij viti Shqipëria do t’i ketë edhe dy miqësore. Ndaj Arabisë Saudite do të luajë më 20 tetor, kurse më 16 nëntor zhvillon miqësoren kundër Italisë, që mungon në Kampionatin Botëror.
Nëse Shqipëria nuk fiton një nga këto dy sfida, do të regjistronte një rekord negativ pas 26 vjetësh. Viti 1996 është i fundit të cilin Shqipëria e ka mbyllur pa asnjë fitore.
Përzgjedhësi Edoardo Reja, që rrezikon largimin nga “kuqezinjtë”, e mori drejtimin e Shqipërisë në prill të vitit 2019, ndërsa ka kontratë deri në fund të këtij viti. Ndërkohë, De Biasi qëndroi si përzgjedhës i Shqipërisë për gati gjashtë vjet, prej dhjetorit të vitit 2011 deri në qershor të vitit 2017. Nën drejtimin e tij, Shqipëria zhvilloi në total 51 ndeshje duke regjistruar 19 fitore, 10 barazime e 22 humbje.