Trajneri tiranas, Ilir Daja, e ka nisur mbarë punën e tij në krye të Ballkanit. Ai debutoi me fitore në Kupën e Kosovës, si dhe në kampionat.
Fillimisht Ballkani mposhti Malishevën në garën për Kupë me rezultatin 1:0 dhe u kualifikua në çerekfinale. Skuadra suharekase triumfoi edhe kundër Dukagjinit në kampionat, bindshëm, 4:1.
Për Dajën është hera e parë që drejton skuadër në Kosovë. Te Ballkani pritjet janë të mëdha për trofe dhe dalje në Evropë. Në dy vjetët e kaluar suharekasit luftuan deri në fund, megjithatë nuk ia dolën.
Trajneri Daja ka thënë për KOHËN se meritat për fillim të mbarë u takojnë të gjithëve në klub, e në veçanti lojtarëve.
“Unë e kam zakon të flas në shumës, pra kemi filluar mbarë në Kupë dhe në kampionat. Pas një minifaze përgatiture që kemi zhvilluar në Turqi, ku kemi pasur ngarkesa maksimale dhe në javën e parë ku luajtëm për Kupë, e kemi ditur që ekipi nuk do të jetë në formën më të mirë. Ndërprerja e kampionatit për dy muaj ndikon në humbjen e ritmit në ndeshjet zyrtare. Por ekipi u shfaq shumë mirë në javën e parë të kampionatit. Pozitive ishte që luajtëm një pjesë të parë shumë të mirë, ku kishim disa raste dhe një ekuilibër të mirë. E gjithë merita është e lojtarëve, sepse kanë punuar shumë të përqendruar dhe me seriozitet maksimal. Kur punohet kështu do të vijnë edhe ndeshjet e mira”, deklaroi Daja.
Ai mendon se ka ende gjëra që duhet përmirësuar në lojën e Ballkanit.
“Jam i kënaqur me kontributin që kanë bërë lojtarët, pavarësisht që kemi gjëra për të përmirësuar. Është vetëm fillimi dhe është një rrugë e gjatë. Ato gjëra jo të mira që u shfaqën në ndeshjen e fundit kundër Dukagjinit duhet të mundohemi t’i riparojmë, sepse mund të them që kanë bërë një ndeshje të mirë”, u shpreh trajneri i Ballkanit.
Daja nuk heziton të pranojë se Ballkani ka ekip që të luftojë për të dy trofetë e futbollit kosovar, titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Por, ai kërkon nga lojtarët që të qëndrojnë me këmbë në tokë.
“Unë mendoj që duhet të luftojmë për ndeshjen e radhës, sepse në fund fare bëhen llogaritë. Nëse bëjmë mirë në çdo ndeshje, besoj që do të jemi aty ku janë edhe objektivat e klubit. E kemi një kontingjent të lojtarëve, ku gati në çdo rol kemi lojtarë të dëshmuar dhe janë role natyrale të tyre. Me kontingjentin e lojtarëve që kemi mund të luftojmë qoftë në Kupë, qoftë në kampionat, por që duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse çdo ndeshje është e rëndësishme dhe më e rëndësishme akoma është ndeshja e radhës”, shtoi Daja.
Ai tregon se në ndeshjen e parë kundër Malishevës e kishte lënë jashtë skuadrës sulmuesin Theophilus Solomon. Sipas Dajës, të gjithë duhet të respektojnë rregullat e klubit.
“Unë si natyrë nuk dënoj njeri, sepse e di që kam një kontingjent të lojtarëve me të cilët duhet të punoj gjatë gjithë periudhës deri në përfundim të kampionatit dhe kompeticionit të Kupës. Por, natyrisht që nëse duam që gjërat t’i bëjmë serioze, ka edhe rregulla që duhet t’i respektojnë të gjithë bashkë. Nuk është dënim, por është një rregull i munguar nga Solomoni në ndeshjen e parë dhe sigurisht ai që thyen duhet të paguajë në sensin e mosrespektimit të rregullave, kushdo qoftë ky lojtar”, tha Daja.
55-vjeçari nga Tirana është i befasuar me pritjen që i është bërë në Suharekë.
“Në fakt ka qenë një pritshmëri tjetër, por jam befasuar për të mirë për vetë mikpritjen që kam pasur duke filluar nga drejtuesit e klubit, nga grupi i lojtarëve dhe nga qyteti. Suhareka është një qytet që të imponon respekt me qytetarinë dhe edukatën që kanë karshi ekipit dhe mbështetjes së tyre qoftë në ndeshjen e parë në Kupë, ashtu edhe në kampionat”, nënvizoi Daja.
Ai në futbollin e Kosovës ka parë seriozitet dhe lojtarë të rinj që kanë të ardhme.
“Ajo që është mendim i parë është serioziteti që kanë futbollistët, disiplina që kanë në punë. Është një grup që ka kohezion të mirë, apo atë që ne shpesh e quajmë fryma e grupit. Mendoj që ka shumë talent, ka futbollistë të rinj me perspektivë. Ndoshta me zhvillimin e infrastrukturës së klubeve, qoftë të stërvitjeve, sepse është e rëndësishme pjesa e seancave stërvitore, qoftë edhe të fushave ku zhvillohen ndeshjet, besoj që do të ketë një zhvillim të mirë për të përfaqësuar denjësisht futbollin kosovar”.
Trajneri i skuadrës nga Suhareka foli edhe për duelin e radhës kundër Prishtinës. E cilësoi ndeshje të vështirë.
“Përqendrimi i energjive psiko-fizike është te kampionati, sepse ndeshemi në fund të javës me Prishtinën. E mendojmë një ndeshje të vështirë dhe nuk nisemi nga pozicioni që ka Prishtina në tabelë, sepse jo më shumë se në kampionatin e kaluar është shpallur kampion, është ekip që mban petkun e kampionit. Do të jetë ndeshje e vështirë që duhet interpretuar në maksimum nëse duam të marrim rezultatet më të mira”, përfundoi Daja.
Iliri Daja mori drejtimin e Ballkanit në fillim të këtij viti.