Sport

Daja synon suksesin që asnjë trajner nga Shqipëria nuk e ka

Pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe në FIFA, në maj të vitit 2016, futbolli kosovar u bë joshës për shumë lojtarë e trajnerë të vendeve të rajonit.

Më së shumti ardhje në vitet e fundit ka pasur nga Shqipëria, si të lojtarëve ashtu edhe të trajnerëve. Janë më shumë se dhjetë trajnerë nga Shqipëria që në pesë vjetët e fundit kanë “defiluar” në futbollin e Kosovës.

Disa prej tyre ishin shumë të suksesshëm në Shqipëri. Kanë fituar tituj kampioni në Shqipëri, por ky sukses u ka munguar në futbollin e Kosovës.

Asnjë nga trajnerët nga Shqipëria nuk ia ka dalë të fitojë titullin e kampionit në Kosovë.

I fundit që ka zbarkuar në futbollin e Kosovës është Ilir Daja, i cili të mërkurën është prezantuar te Ballkani nga Suhareka.

Me tre tituj kampioni në futbollin e Shqipërisë, Daja vlerësohet prej top-trajnerëve. Ai do të provojë të fitojë titullin e parë në histori të Ballkanit e po ashtu ta sigurojë daljen e parë në garat evropiane. Dhe rrjedhimit ta arrijë suksesin që kolegët e tij nuk e kishin.

Daja ka fituar nga një titull me Elbasanin, Dinamon e Tiranës dhe me Skënderbeun.

Mirel Josa me Prishtinën e ka fituar Kupën e Kosovës në vitin 2018. Josa ka garuar në garat evropiane me ekipin prishtinas. Në Evropë është paraqitur edhe Gentjan Mezani me Gjilanin, në vitin 2020.

Josa ka pesë tituj të fituar në Shqipëri. Katër herë ishte kampion me Skënderbeun dhe një herë me Tiranën. Josa aktualisht drejton Laçin.

Në fakt, Josa dhe Mezani ishin më së afërmi të arrinin titullin e kampionit në futbollin e Kosovës. Josa doli dy herë nënkampion me Prishtinën (2018, 2019), kurse Mezani me Gjilanin e mbylli edicionin 2019/2020 në vendin e dytë, më pikë të njëjta me Dritën. Por fal dueleve direkte më të mira Drita festoi titullin e kampionit.

Mezani këmbëngul ende se Gjilani ishte kampioni i vërtetë i atij edicioni.

“Ne bëmë një kampionat shumë të mirë dhe vazhdoj të jem i bindur në atë që kam thënë atëherë që Gjilani është kampioni i vërtetë i atij viti. Këtë e din e gjithë Kosova”, u shpreh Mezani të enjten për KOHËN.

Ai tregon se objektivi i Gjilanit ka qenë Evropa, gjë të cilën e ka arritur. Thotë se kanë qenë edhe disa faktorë që kanë ndikuar që Gjilani të mos shpallet kampion.

“Unë po flas për vete, sepse secili trajner i ardhur ka pasur eksperiencën e vet dhe çdo skuadër ka pasur objektivin e vet të vendosur në fillim. Me ardhjen time në krye të Gjilanit mendoj se ndërtuam një skuadër mjaft kompetitive. Objektivi ynë ishin kupat e Evropës pasi ishte një skuadër e re dhe me shumë lojtarë të ardhur, kryesisht nga Shqipëria që do të thotë nuk e njihnin mirë kampionatin, ani pse ishin lojtarë shumë të mirë. Pra u duhej koha e mjaftueshme për ta njohur dhe për t’u ambientuar në një kampionat tjetër dhe të fortë siç është ai i Kosovës”, theksoi Mezani.

I pari nga trajnerët e Shqipërisë që erdhi pasluftës në Kosovë ishte Medin Zhega. Ai drejtoi skuadrën e Prishtinës në edicionin 2001/02. Nuk ia doli të fitojë titullin e kampionit.

Bledi Shkëmbi udhëhoqi Lirinë e Prizrenit (2017/2018) dhe Ballkanin nga Suhareka (2020/2021). Me të dyja ekipet ishte në garë për titull deri në xhirot e fundit, por nuk ia doli të fitojë asgjë në fund.

Shpëtim Duro drejtoi Dritën nga Gjilani (2018/2019). Duro nuk pati sukses dhe u largua.

Sulejman Starova (2017/2018) dhe Klodian Duro (2020/2021), ishin në krye të Feronikelit. Nuk ia dolën të arrijnë ndonjë sukses me ekipin nga Drenasi. Starova mbahet mend për numrin e madh të barazimeve që arrinte me Feronikelin, kurse Duro pati edhe telashe të tjera duke mos arritur të mbajë atmosferën e mirë brenda ekipit.

Për dallim nga Duro që e ka fituar Kupën e Shqipërisë me Kukësin, Starova është tri herë kampion i Shqipërisë me Teutën, Tiranën dhe Partizanin.

Mirë nuk u eci as Gugash Maganit te Trepça ’89 (2019/2020) dhe Bledar Devollit te Drenica (2020/2021).

Samuel Nika ka arritur t’i inkuadroi në Superligë nga Liga e Parë, Flamurtarin dhe Vushtrrinë. Ky ka qenë suksesin më i madh i Nikës, i cili më pas nuk ka udhëhequr skuadrat në Superligë. Nika ka qenë edhe trajner i Lirisë në Ligën e Parë.

Aktualisht Edlir Tetova drejton Ulpianën. Në vjeshtë ekipi nga Lipjani ka ditur t’i befasojë ekipet pretenduese për titull, por renditet në vendin e nëntë (të parafundit).

Dy herë kampioni i Kosovës me Trepçën dhe Feronikelin, trajneri Gani Sejdiu, mendon se homologët e tij nga Shqipëria kanë ardhur me synime të qarta, por nuk kanë arritur t’i realizojnë objektivat e klubeve.

Sejdiu tregon edhe disa faktorë që kanë ndikuar që trajnerët nga Shqipëria të mos kenë sukses, përkatësisht mos ta fitojnë titullin.

“Është e vërtetë që këta trajnerë nga klubet perspektive janë sjellë për objektiva të larta apo thjesht për ta fituar titullin e që është normale. Por, realisht nuk kanë realizuar pritjet. Pse nuk janë arritur objektivat, për çka edhe kanë ardhur, unë nuk mund ta di. Por mund të jenë disa faktorë si ambientimi, informacionet e pamjaftueshme për ligën, lojtarët. Apo ndoshta klubet kanë pritur që me vet prezencën e tyre gjithsesi do të arrihen objektivat, duke pasur besimin e lartë për ta e që ndoshta edhe ka qenë joreale sepse i kanë vënë në presion më të madh se që duhet e që ky presion i madh ndikon në punën e tyre”, u shpreh Sejdiu.

“Gjithsesi këta trajnerë kanë sjellë kualitet dhe përvojat e tyre te ne e që është e mirëpritur dhe pozitive”.

Për dallim prej trajnerëve nga Shqipëria, Zekirija Ramadani dhe Ardian Nuhiu janë dy trajnerët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që kanë tituj kampioni në futbollin kosovar. Ramadani ka fituar tre tituj me skuadra të ndryshme, Trepçën ’89 (2017), Feronikelin (2019) dhe Prishtinën (2021). Kurse Nuhiu ka fituar një titull me Dritën (2020).