Sport

Daja: Më gëzon loja e mirë, tani mendojmë për Prishtinën

Ilir Daja ka shprehur keqardhje për gjendjen nëpër të cilën po kalon Feronikeli dhe ka nënvizuar se ka qenë i detyruar të luajë me formacionin më të mirë të mundshëm.

Ballkani i udhëhequr nga trajneri Daja fitoi të shtunën me rezultatin 6:0 kundër Feronikelit.

“Pas hapit fals në xhiron e kaluar, ishim të detyruar të fusnim lojtarët titullar. Është pozitive fakti që e kemi qarkulluar topin që nga fillimi i pjesës së parë”, tha fillimisht pas ndeshjes trajneri Daja.

Në mesjavë, Ballkani e pret Prishtinën në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll, ndërsa fituesi i duelit kalon në gjysmëfinale. Gjysmëfinalet luhen me sistemin vajtje-ardhje.

“Kupa e ka një specifikë ndryshe nga kampionati. Një takim ku duhet të jemi të fokusuar. Prishtina ka cilësi në skuadër. Elementi kryesor në atë ndeshje duhet të jetë përqendrimi. Besoj se në fazën e mbrojtjes jemi mirë duke parë që me gjithë kundërshtarët që kemi luajtur, kanë pasur pak hapësira për të ardhur deri te goli. Ne duhet t’i konkretizojmë rastet që i kemi në fazën e sulmit, në mënyrë që ta ngremë Ballkanin në një tjetër nivel”, u shpreh Daja.

Njësoj si trajneri i Ulpianës, Edlir Tetova, i cili nuk foli pas takimit, edhe trajneri Faruk Elshani i Feronikelit nuk u prononcua.